Dje, e diel 25 qershor, në Europë u zhvilluan 2 lloj zgjedhjesh. Njëra për nga pjesëmarrja u pagëzua si « grosse » dhe tjetra « klein ». Sepse në zgjedhjet e para morën pjesë disa milionë veta, ndërsa në të dytën veçse disa dhjetëra mijëra. Por, çuditërisht rezultati qe i njëjtë.
Zgjedhjet e « mëdha » u mbajtën në Greqi, të voglat në një bashki në Gjermani. Në Greqi fitoi për herë të dytë partia e djathtë e Jorgos Micotaqis, e cila la shumë prapa dy partitë e majta Pasok-n dhe Syrizan ! Ndërsa në Gjermani, për herë të parë që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, partia e ekstremit të djathtë « Alternativa për Gjermaninë » fitoi në landin Thuringen një bashki të përbërë nga disa komuna.
Kjo fitore e AfD-së u arrit pavarësisht se kundër kësaj partie ksenofobe dhe antieuropiane u bashkuan partia kristiandemokrate, ajo socialdemokrate e kancelarit Scholtz, partia e të Gjelbërve « Grûn », liberalët si dhe partia e majtë « Die Linke » ! Dhe pavarësisht kësaj aleance të paparë, partitë « normale » humbën. AfD-ja fitoi me mbi 52 përqind të votave !
Por të njëjtat këmbana ranë edhe në Athinë. Përveç partisë « Demokracia e Re » e Micotaqit, në parlamentin grek hynë jo një, por tri parti të ekstremit të djathtë, pasardhëse të partisë famëkeqe e « Agimit të Artë » nxjerrë jashtë ligjit nga drejtësia greke. Këto 3 parti fituan së bashku 14 përqind të votave të zgjedhësve grekë.
Dhe këto nuk janë raste të vetmuara, kur populli voton kundër establishmentit ( sistemit në fuqi). Kështu psh në zgjedhjet që u mbajtën në Hungari vitin e kaluar 11 parti opozitare, nga e djathta deri te e majta, u bënë bashkë për të mposhtur autoritarin dhe nacionalistin Orban. Të gjitha humbën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Turqi më 14 maj. Të gjitha partitë u bënë bashkë për të mposhtur nacional islamistin Erdogan. Edhe ato u mundën me turp.
Të gjithë djathtas : – kjo duket se është prirja e sotme në fushëpolitikën europiane. Pak kohë më parë ishte partia spanjolle e ekstremit të djathtë « Vox », që korri një fitore të bujshme në zgjedhjet lokale. Ndërsa tani ajo po përgatitet që së bashku me partinë e djathtë popullore spanjolle të udhëheqin një koalicion që me shumë gjasa do qeverisë Spanjën gjatë 4 viteve të ardhshme, duke filluar nga muaji gusht.
Të ishte kaq do të ishte gjysma e së keqes. Por fitoret e partive të ekstremit të djathtë dhe atyre nacional autoritare ndaj partive demokrate dhe liberale po bëhen diçka kaq e zakonshme, saqë pothuajse nuk përbëjnë më lajm. Kështu psh Partia e Melonit në Itali fitoi maxhiorancën e vendeve në parlament, pavarësisht se ajo shihej dhe tregohej me gisht si vazhduese e programit dhe praktikave të partisë së Duçes !
Edhe në vendet e bukura skandinave si psh në Finlandë partia e ekstremit të djathtë « Finlandezët e vërtetë » është anëtare e qeverisë. Në Suedi, një parti e ngjashme mban në këmbë një qeveri të udhëhequr nga e djathta. Partitë të tjera nacionaliste, antiemigracion dhe ksenophobe po mprehen për të ardhur së shpejti në pushtet nëpër vende të ndryshme europiane.
Po si spjegohet kjo dyndje e ekstremit të djathtë ?! Ku janë zhdukur partitë demokrate dhe sidomos ato socialiste dhe socialdemokrate ?! Këtu pikërisht rreh çekiçi. Partitë e majta socialiste dhe socialdemokrate në Europë po tkurren dhe ligështohen çdo ditë e më shumë. Se ato janë shkëputur tashmë tërësisht nga hallet e popullit. Ato shkurt kanë tradhtuar idealin e tyre të dikurshëm që bazohej te mbrojtja e të drejtave të popullit punonjës, të proletarëve, fermerëve apo shtresave të mesme intelektuale. Gjatë këtyre 30 viteve të fundit ato janë kthyer në parti mondialiste, që i shërbejnë kastës që drejton botën, New Order-it, Bilderbergve, Iluminatit, qerthullit ekonomik të Klaus Schvab-it në Zvicër etj etj. Për më shumë dhe për më keq ato nga parti socialiste që mbronin të drejtat e punëtorëve, mbrojnë sot të drejtat e atyre që nuk duan të punojnë, por preferojnë të jetojnë në kurriz të shoqërisë duke përfituar nga ndihmat dhe mbështetja sociale në vendet e pasura perëndimore.
Por ka edhe më shumë. “Socialistët” kanë dalë edhe në krye të mbrojtjes së të drejtave jo vetëm të emigrantëve, por edhe të pakicave morale dhe seksuale. Aq sa psh lobi LGBTQ+ po fiton më shumë të drejta në Perëndim edhe sesa çiftet normale heteroseksuale, burrë – grua. Megjithëse nuk janë të aftë të bëjnë vetë fëmijë, atyre u është lejuar të adoptojnë fëmijë apo edhe t’i porosisin ata “in vitro”! Dhe për të mos e ndjerë veten keq si të diskriminuar ata për pak ia arritën që të zhdukin nga fjalori apo regjistrat e gjendjes civile termat “nënë” dhe “babë” dhe t’i zëvendësojnë ato me “prindi 1” dhe “prindi 2”!
Por popujt europianë vërejnë gjithçka. Pavarësisht se nuk flasin. Dhe kur vjen puna ata e shprehin mllefin e tyre në kutitë e votimit. Kështu spjegohet edhe kthimi në hije i partive të majta në Europë.
Emigrimi i pakontrolluar, madje i nxitur dhe i planifikuar, është po ashtu një shqetësim dhe dhëmbje koke për popullsitë autoktone të kontinentit europian. Ka një politikë e ashtuquajtur e “qytetarit nomad” e mbështetur dhe frymëzuar nga grupe të caktuara që kërkon sot një botë pa kufinj, pa shtete dhe kombe, por e përbërë vetëm nga blerës dhe konsumatorë. Dhe për më shumë që të qeveriset nga organizmat ndërkombëtarë dhe shumëkombëshet dhe jo nga qeveritë e zgjedhura nga popujt. Si pasojë e kësaj politike Europa po e ndryshon ngjyrën dhe përbërjen. Numri i afrikanëve dhe myslimanëve psh është rritur aq shumë saqë po vë në rrezik identitetin sa të Europës si një tërë, por po aq edhe të shteteve të saj.
Partia që fitoi në zgjedhjet lokale në Thuringen të Gjermanisë, AfD-ja, nuk kishte as fonde dhe as pushtet sa partitë tradicionale, që kanë qeverisur këtë land gjatë këtyre 80 vjetëve të fundit. Por kryetari i saj kishte një autobus me të cilin ai u ra kryq e tërthor komunave të bashkisë ku ai ishte zgjedhur kandidat. Dhe në këtë autobus ishin shkruar vetëm dy fjalë. Ato që gjenden në ballin e këtij shkrimi: “Liebe Heimat – Duajeni Atdheun”. Dhe kjo fjali i preku njerëzit në zemër. Sepse dashuria për Atdheun është një vlerë dhe ideal për të cilin popujt kanë luftuar dhe dhënë jetën. Dhe tani europianët po shohin sesi atdheu i tyre po u tretet para syve. Sesi ai po ndryshon zakonet dhe përbërjen e tij. Dhe nuk e kuptojnë se përse ?!
Socialistët këto vitet e fundit, në vend që të merren me problemet ekonomike dhe sociale me të cilat ndeshet vendi, debatojnë dhe ngrejnë furtuna në gotë si psh për wc-të e shkollave. Përveç atyre djalë dhe vajzë, sipas tyre, shkollat duhet të pajisen edhe me wc për transgjenrit ! Për ata që nuk ndjehen as çun dhe as çupë! Çfarë hallesh kanë njerëzit dhe me çfarë merret e majta! Prandaj edhe janë duke shkuar si kovë pusi !
Ndërsa në Spanjë, nën udhëheqjen e socialistëve ngjau një « thagmë » tjetër e paparë. Socialistët spanjollë, shumicë aktuale në parlamentin e tanishëm, deri në zgjedhjet e korrikut, aprovuan një ligj që u jep të drejtë adoleshentëve nga 14 vjeç e sipër të ndërrojnë seksin edhe pa autorizimin e prindërve apo të mjekëve! Si rezultat i drejtpërdrejt i këtij ligji si dhe të tjerëve të ngjashëm kryeministri socialist dha dorëheqjen pak kohë më parë, pas humbjes katastrofike që pësoi partia e tij në zgjedhjet rajonale dhe lokale. Dhe pritet që të arrijë rezultatin më të keq të këtyre 40 vjetëve të fundit edhe në zgjedhjet e korrikut.
Se kur kjo e majtë do të zgjohet nga hashashi që e ka trullosur këtë nuk e di askush. Sidoqoftë humbja e partive të majta dhe atyre të djathta liberale dhe demokrate nuk është lajm i mirë për askënd. Qoftë për vendasit, por sidomos për emigrantët, pakicat etnike, seksuale, morale, fetare etj etj.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment