Çfarë po ngjan në Rusi ?! Cilat mund të jenë pasojat për Ukrainën dhe botën ?!

         Është shumë shpejt tu përgjigjemi këtyre pyetjeve kardinale. Aq më shumë që « grushti i shtetit » sipas vetë Putinit, i organizuar nga komandanti i ushtrisë private Wagner, Jevgeni Prigozhin, ka vetëm pak orë që është vënë në veprim. Megjithatë diçka është e sigurt që tani : Rusia nuk do të jetë më kurrë siç ka qënë gjatë këtyre 23 vjetëve të shkuar nën drejtimin e Putinit. Pavarësisht se çfarë rrjedhje do të marrin ngjarjet.

         Aurora e Putinit psh është dëmtuar tani në mënyrë të pandreqshme. Deri më sot Putini shikohej në Rusi dhe jashtë saj si një lloj profeti, që ia kishte arritur të ringrinte vendin e tij pas tallazeve që pësoi Rusia gjatë viteve të para të tranzicionit nga sistemi komunist në atë kapitalist. Putini ia arriti që ta rivinte Rusinë mbi « shina »! Rendi u rivendos. Mirëqënia u rrit. « Tërmetet » e brendshme që rrezikonin ta fundosnin edhe më perandorinë dhe konfederatën ruse me ndarjen dhe pavarësinë e republikave të tjera u ndalën, reputacioni i Rusisë në arenën ndërkombëtare u riforcua si kurrë më parë. Kjo i siguroi Putinit një aura të shpëtimtarit të Rusisë. Sondazhet tregonin një mbështetje të popullit rus ndaj tij që rrotullohej rreth 80 për qindëshit !

     Por lufta në Ukrainë e plasariti këtë imazh. Rusia, ndryshe nga sa pritej, nuk arriti ta mposhte Ukrainën. Vendet perëndimore forcuan bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe gjithashtu ndihmën ndaj vendit të sulmuar. NATO që dukej sikur kishte zënë pluhuri, u rizgjua siç zgjohet luani nga gjumi. Finlanda dhe Suedia u afruan dhe iu bashkangjitën Aleancës Atlantike. Ukraina u shndërrua pak nga pak në varrin e dhjetra mijëra të rinjve rusë që u vranë atje pa e kuptuar se përse.

      Diçka është e sigurt dhe e pamohueshme : Në Rusi sot nuk kemi të bëjmë thjesht me një grusht shteti i frymëzuar nga një «nacionalist i çmëndur », por me fillimin e një lufte civile. Pavarësisht nga rezultati i saj, pavarësisht nga eleminimi  i mundshëm i Prigozhinit, asgjë nuk do të jetë më si më parë në ish – vendin e carëve dhe komunistëve. Pasqyra ku Putini shihte me admirim veten është tashmë thyer dhe nuk mund të ngjitet më.

     Në fakt e gjitha kjo që po ngjan e ka zanafillën në luftën e padrejtë dhe agresionin rus ndaj Ukrainës. Popullsia ruse priste një fitore të shpejtë të ushtrisë se saj ndaj Kievit. Por falë mobilizimit, kurajos dhe patriotizmit të popullsisë ukrainase dhe sidomos të ndihmave të gjithanshme ushtarake dhe financiare që Kievi po merr nga Perëndimi këto ëndrra me sy hapur u kthyen në një zgjënder të frikshme. Rusët u zhgënjyen. U zhgënjyen sidomos nga qëndrimi i Kremlinit ndaj kësaj lufte. Megjithëse e sulmoi Ukrainën me tanke dhe topa, në Rusi me një dekret të firmosur nga Putini, ishte e ndaluar të përmendnje fjalën luftë, por veçse « operacion special ushtarak » ! Por ky « operacion » po zgjaste ca si shumë.  16 muaj kanë kaluar dhe asgjë nuk duket në horizont. Të dyja ushtritë ngjajnë sikur kanë ngelur në llucë. Rusia nuk bën dot hap para si pasojë e rezistencës së admirueshme të ushtrisë ukrainase, e cila megjithë kurajon e saj dhe ndihmën e pakursyer nga Perëndimi nuk po arrin, gjithashtu, të rimarrë provincat e pushtuara nga Kremlini. Ndërkohë që çdo ditë shtohej numri i të vrarëve nga të dyja krahët. Por ndërsa të rinjtë ukrainas binin dëshmorë për të mbrojtuar atdheun e tyre, të rinjtë rusë nuk e dinin se përse po sakrifikoheshin. As familjet e tyre, as prindërit, vëllezërit apo fëmijët e rekrutëve të mobilizuar.

       E çuditëshmja është se Prigozhini që po nxit dhe organizon grushtin e shtetit bën pjesë në anën më radikale dhe luftënxitëse të Rusisë. Ai e akuzon Putinin dhe rrethin e tij për mefshtësi, papërgjegjësi, mungesë vendosmërie dhe shkaktar që Rusia është duke e humbur luftën. Ky qëndrim i Prigozhinit duket se ka gjetur, për herë të parë, mbështetje në rradhët e popullsisë ruse, që nuk e kupton se përse Putini ngurron të hedhë të gjitha forcat në betejë ! Në një kohë që rusët shkojnë për dhjamë qeni në llogoret e luftës.

      Ajo që dihet dhe kuptohet sot është se tani asgjë nuk do të jetë si më parë. Edhe sikur Prigozhinin ta ekzekutojnë në këtë çast që po shkruajmë këto rradhë. Inteligjencia ruse, analistët politikë  do të merren gjatë me shkaqet e këtij rebelimi të paparë. Dhe padyshim që « druri » do të bjerë mbi Putinin dhe rrethin e tij. Si përgjegjës për fillimin e një lufte që ata nuk janë në gjendje ta fitojnë. Dhe diktatori i Kremlinit, që po sheh se si po i tunden themelet do të jetë i detyruar të ndryshojë taktikë. Do të bëhet më i ashpër në luftën në Ukrainë. Ndofta duke shpallur edhe mobilizimin e përgjithshëm.  Nuk do të ketë më « hiq e mos e këput ». Ai do të detyrohet që ose ta fitojë këtë luftë ose të humbasë kokën. Njëlloj si Hitleri dikur. Rrugë të mesme më nuk ka.

         Për më shumë dhe për më keq duket që edhe sikur grushti i shtetit të dështojë apo të përfundojë me sukses “kusuret” do i heqë bota. Lufta në Ukrainë do të ndizet edhe më shumë, me rrezikun e shtrirjes edhe jashtë kufijve të saj. Dhe ndofta edhe të përdorimit të armëve bërthamore. Putini ndihet sot si një kafshë e plagosur. Dhe dihet që kafsha e plagosur është edhe më e rrezikshme. Orët dhe ditët në vijim do të jenë tejet domethënëse.     

          Ngjarjet e fundit në Rusi nuk parandjellin asgjë të mirë për bashkësinë ndërkombëtare. Valët e tronditjeve dhe tërmetit në Kremlin do të ndjehen së shpejti në të gjithë botën. Të presim dhe të shohim si do shkojnë ngjarjet. Por « bathët” nuk duken të mbara.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment