Zhaporizha – një « casus belli » për Luftën e Tretë Botërore ?!

      Centrali atomik i Zhaporizhës ridel përsëri në skenë si një mundësi reale e nxitjes së një lufte të re botërore. Dhe me siguri edhe bërthamore. Ky problem nuk është i ri, por tani duket se ka marrë fuqi dhe interes në rritje.

       Është presidenti i Ukrainës, Zhelenski, i cili dy ditë më parë bëri të ditur, se sipas informacioneve që ai zotëron, Rusia po bëhet gati të bombardojë centralin atomik të Zhaporizhës, më i madhi në Europë. Në kulmin e tij ky central prodhonte me anë të 6 reaktorëve të tij, 6 000 megavat energji elektrike në vit! Sot ai është vënë në “gjumë”. Nga 6 reaktorët e tij vetëm njëri funksionon akoma. Dhe ky për të prodhuar një energji elektrike që mund t’i mbajë temperaturat e reaktorëve në një nivel të pranueshëm. Sipas specialistëve të energjisë bërthamore centrali nuk duhet kurrsesi ta ndërpresë punën pa iu mbaruar lënda e tij e parë, uraniumi. Se ekziston mundësia e shpërthimit.

     Paralajmërimi i Zhelenskit është shumë shqetësues në disa aspekte. Aq më shumë që përfaqësuesi i AIEA ( Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara), Rafaelo Grossi, deklaroi se njerëzit e tij nuk kanë vërejtur asgjë të jashtëzakonshme në këtë central! Dhe ai ka aty 2 apo 3 ekspertë permanentë të fizikës bërthamore.

    Analistët politikë kanë kujtuar me këtë rast se disa muaj më parë Zhelenski po ashtu alarmoi botën kur deklaronte se trupat ruse po bombardonin centralin e Zhaporizhës. Paradoksi ishte se ky central ishte dhe vazhdon të jetë nën kontrollin e Moskës. Pra dukej si diçka e çuditshme që rusët të bombardonin veten e tyre!

     Bota reagoi me shqetësim ndaj këtyre lajmeve apokaliptike. Se vërtet që Zhaporizha nuk funksionon sot me kapacitet të plotë, por në të gjenden në sasi të pallogaritshme mbeturina uraniumi të vendosura në fuçi hermetike. Një shpërthim i këtyre fuçive do të shkaktonte, më së paku, një Çernobil të dytë!

    Po këta analistë i lidhin deklaratat e fundit të presidentit të Ukrainës me rezultatet e pakta të kundërofensivës, që Kievi ka nisur para pak kohësh. “Është një mënyrë për të shmangur vëmendjen nga zhgënjimi lidhur me rezultatet e shpresuara të kësaj kundërofensive” – vënë në dukje specialistët perëndimorë.

         Por disa shkojnë edhe më tej duke i marrë paralajmërimet e Zhelenskit shumë seriozisht. “Shpërthimi i Zhaporizhës vë në rrezik jo vetëm jetën e ukrainasve dhe rusëve, por ndofta edhe atë të gjermanëve, rumunëve,  suedezëve dhe europianëve të tjerë. Se gjithçka varet nga forca, shpejtësia dhe drejtimi i erës, që do të shpërndajë “pluhurin” atomik ndofta deri në brigjet e Atlantikut- bëjnë të ditur ata.

           Dhe në rast të plotësimit të një profecie të tillë ogurzezë lufta hyn në një spirale tejet të rrezikshme. Aq  më shumë që jo më vonë se dje, senatori amerikan, Richard Blumenthal, duke përmendur mundësinë e një bombardimi të Zhaporizhës nga ana e rusëve, që me shumë gjasa do të shkaktonte pasoja për jetën e europianëve, përmendi nenin 5 të NATO-s. Që shprehimisht thotë se nëse dikush sulmon një anëtar të NATO-s gjithë aleanca do vihet në mbrojtje të këtij vendi dhe do t’i shpallë luftë agresorit.

         Por dihet që Ukraina ende nuk është anëtare e Aleancës Atlantike, pavarësisht kërkesave të saj të vazhdueshme. “Ne do ta shkatërrojmë Rusinë në rast të bombardimit të Zhaporizhës” – u shpreh politikani i lartë amerikan. Kjo është deklarata e parë e këtij lloji, pra e përdorimit të armëve bërthamore ose e përfshirjes edhe të NATO-s në konflikt, që kur ka nisur agresioni rus ndaj Ukrainës, më 23 shkurt të vitit të kaluar. Deri më tani amerikanët ishin shprehur se edhe në rast të përdorimit nga Rusia të armëve bërthamore taktike kundër Ukrainës, NATO do të hynte në luftë, por pa përdorur armën atomike.

         Pyetja bazë që shtrohet tani është se çfarë interesi mund të ketë Rusia për të hedhur në erë centralin atomik?! Kur pasojat me siguri që do i bien rëndshëm mbi kurriz. Ose ndryshe a ka interes Ukraina që të fusi në luftë edhe NATO-n, sidomos tani që sukseset në betejat kundër forcave ruse janë minimale?!

        Në fakt në Perëndim po ndjekin sa me vëmendje aq edhe me shqetësim rrjedhën e konfliktit ruso-ukrainas. Pak ditë më parë, ish – sekretari i përgjithshëm i NATO-s, danezi Rasmussen, pohoi se në rast mossuksesi të ushtrisë ukrainase, ndofta duhej të shqyrtohej edhe mundësia e futjes në Ukrainë të trupave balte dhe atyre polake për t’i bërë ballë agresionit rus.

         Por ai nuk e shtjelloi më shumë këtë strategji. Pa spjeguar psh se çfarë do ndodhë në rast se Rusia bombardon trupat polake në Ukrainë ose edhe më keq akoma, bombardon kryeqytetin e Polonisë, Varshavën, si pjesëtare dhe pjesëmarrëse aktive në luftë?!

       Një ide e tillë pra e përfshirjes me hir apo me pahir të Aleancës Atlantike në konfliktin ruso – ukrainas e ka shprehur pak ditë më parë edhe vetë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zhelensky. Duke folur për mediat vendase, ai ndër të tjera është shprehur se, nëse ata humbasin luftën kundër Rusisë, atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet të zgjedhin mes hyrjes në luftë me Moskën ose rënies së NATO-s!

         Edhe presidenti i vendit agresor, Putini, duke hamendësuar një përshkallëzim të luftës, pohoi se ekziston një “rrezik serioz” që Aleanca Atlantike mund të përfshihet në konflikt!

     « Është qartë se NATO është përfshirë në luftë. Furnizimi i Ukrainës me armë të rënda dhe së shpejti edhe me avionë e provon këtë” – pohoi ai. Dhe nuk mungoi të kërcënonte se ato (vendet e NATO-s) rrezikojnë shumë në rast se përfshihen edhe më tej në këtë konflikt. Ne kemi më shumë bomba atomike se ata! – kërcëlloi dhëmbët diktatori rus.

       Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Kontrollit të Armëve, Rusia ka në dispozicion 6250 bomba atomike, Amerika 5500, Franca 290, Britania e Madhe 220. Ndërsa të dhënat për Kinën, Indinë, Pakistanin dhe Izraelin mungojnë. Por vetëm me 1/10 e armëve që rusët dhe amerikanët zotërojnë është fare e mundur që jeta në Tokë të zhduket. Ose më së paku në hemisferin e veriut.

     Sot për sot po vihet re se askush nuk është në gjendje të parashikojë si do përfundojë kjo luftë. Me shkatërrimin e botës apo me një paqe të ndërmjetësuar apo vendosur nga vendet që nuk janë të përfshira në konflikt?! Sepse interesa të mëdha janë në “lojë”. Humbja e çdonjërës palë, mund ta ngrejë tensionin edhe më shumë, duke e nxitur palën humbëse të përdorë “fishekun“ e fundit. Një aksident, me dashje apo padashje, si psh një shpërthim në Zhaporizha, mund ta çojë botën në prag të një lufte të paparë dhe të paprovuar deri më sot, me qindra milionë të vdekur.

       “Zoti u mbajtë dorën dhe u ndriçoftë mëndjen” – siç thoshte im atë, Vasili, gjatë raprezaljeve të regjimit komunist.

                      Nga Viron Gjymshana

Lini një koment