Shpirti i skllavit

      Po bëhen disa kohë që masmediat shqiptare, sa në Kosovë aq edhe në Shqipëri, po  diskutojnë, qëmtojnë, parashikojnë dhe debatojnë rreth qëndrimit të kryeministrit të Kosovës ndaj aleatëve tanë perëndimorë. Madje ka edhe ndonjë organ mediatik që pothuajse i është qepur Albin Kurtit, siç thotë edhe populli ynë me « bukë në trajsë”.

       Në këtë batërdi apo gjurulldi është përfshirë si kurrë ndonjëherë më parë edhe politika shqiptare, me në krye të parin e qeverisë Edi Ramën.

      Strumbullari i gjithë kësaj « hataje »  gjendet te qëndrimi i kryeministrit kosovar që nuk po pranon një plan të servirur nga Brukseli dhe Uashingtoni. Një qëndrim i tillë është diçka e paparë në historinë politike të Shqipërisë gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit dhe atë të Kosovës, që kur ajo u çlirua nga çizmja serbe më 1999-tën. Prandaj duket se disa janë të tmerruar nga ky kundërshtim i pangjarë dhe dëgjuar deri më sot ndaj aleatit tonë strategjik.    

      Prandaj edhe akuzat ndaj Kurtit nuk kanë të sosur. Arrogant, egoist, mosmirënjohës,i papjekur politikisht, arrivist, antikombëtar, nacional-komunist, agjent i Serbisë etj etj. Por akuza që përbën emëruesin e përbashkët të të gjitha thirrjeve dhe mallkimeve kundër tij është se ai « po na prish me Perëndimin » ! Me Perëndimin që në të vërtetë e çliroi Kosovën. Dhe disa ia kanë filluar që sot të qarave me oi, oi. A thua se po vjen fundi i botës.

       E vërteta është se kryeministri i Kosovës i trazoi disi “urat” pa pasur nevojë. Konsekuent në qëndrimin e tij parimor ai u kërkoi banorëve serbë të Kosovës që ata t’i ndrronin targat e tyre serbe me atë të vendit ku jetojnë dhe janë shtetas. Ky veprim shkaktoi tallaze sa në Beograd, por po aq edhe në Uashington dhe Bruksel. Çfarë kërkon ky që nuk i lë rehat serbët ?! – ishte pikëpyetja që ngritën diplomatët e huaj. Në fakt si sot si mot, Perëndimi kërkon me të drejtë qetësi në Kosovë. Sidomos tani që atij i është hapur edhe një front tejet i rrezikshëm në luftën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

       Por edhe para 3 – 4 vjetësh  Perëndimi po ashtu ngrysi vetullat kur kryeministri kosovar i asaj kohe, Haradinaj, vendosi bllokimin e futjes së mallrave serbe në vendin e tij. Kaq duhej t’i kishte mjaftuar Kurtit për të kuptuar kahjen e zhvillimeve të sotme politike.

        Në parim Kurti ka të drejtë. Si do tu vinte serbëve sikur banorët shqiptarë të Preshevës dhe Medvegjës të pajisnin automjetet e tyre me targat e Kosovës ?! Por serbët duket se janë mësuar të mos u lejojnë shqiptarëve atë që ia lejojnë vetes së tyre. Prandaj pas çdo mase që merr qeveria e Kosovës në komunat me shumicë serbe, shkaktohen trazira, « dallgët » e të cilave arrijnë deri në Uashington. Me një fjalë dhe thjesht serbët nuk pranojnë të qeverisen nga Prishtina. Dhe për këtë ata janë gati të hyjnë edhe në konflikt, sikur forcat e NATO-s të mos ishin aty.

      Pikërisht në këtë kohë përplasjesh serbo – shqiptare kryeministri Vuçiç, si një prestigjator i vërtetë, nxorri nga mënga një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet negociatorëve serbë dhe atyre kosovarë. Bazë e saj ishte krijimi dhe formimi i një asosacioni, apo Zajednice në serbisht, ku serbët do të gëzonin një pavarësi të madhe nga Prishtina.

       Sipas Beogradit, kjo bashkësi duhej të krijohet në 10 komuna të shpërndara neper Kosovë, që përmbledhtas zënë një sipërfaqe prej 1 708 km katrorë me popullsi rreth 124 mijë banorë (ku Veriu i Kosovës zë një sipërfaqe 1 007 km. katrorë me rreth 48 mijë banorë), me kuvend të krijuar nga përfaqësues të 10 komunave dhe me President që do të përfaqësojë serbët brenda dhe jashtë Kosovës etj. etj. Pra me kompetenca ekzekutive, që do të thotë një Republikë Serbska brenda Kosovës, që realisht do të ishte një hap drejt ëndrrës së krijimit të “Botës serbe”…

       Ndryshe nga Thaçi, Mustafa e të tjerë udhëheqës kosovarë, Kurti nuk e ka pranuar këtë marrëveshje.  Kjo është edhe arsyeja e konfrontimit të tij verbal sa me Uashingtonin aq edhe me Brukselin, të cilët këmbëngulin në vënien e saj në jetë pa humbur asnjë minutë !

       Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme. Sekush mbron interesat e tij. Perëndimi në këto kohë konflikti dëshiron ta afrojë Serbinë në vathën e vet, me synimin e vetëm që ajo të largohet nga Moska. Ndërkohë që Beogradi ia ka marrë dorën politikës së uljes në dy karrige. Që në kohën e Titos ish- Jugosllavia njihej si gruaja e Lindjes dhe dashnorja e Perëndimit!

        Por Kosova nuk dëshiron të shndërrohet në mall këmbimi në këto allishverishe. Për Prishtinën “Enogh is enogh”. Ja se çfarë shkruajnë përfaqësuesit e Vetvendosjes lidhur me planet për krijimin e Zajednicës serbe në Kosovë dhe për mbështetësit e saj:

“Për miqtë i dorëzuam armët pas lufte!

Për miqtë e zhveshem uniformën e UÇK-së, pas lufte!

Për miqtë hjekem dorë nga ushtria jonë, pas lufte!

Për miqtë pranuam qe edhe mos të blejmë asnjë armë!

Për miqtë pranuam edhe 10 deputetë serb në parlament më 30 mijë vota!

Për miqtë, pranuam që të shpallemi edhe Republikë multietnike me 95% shqiptarë!

Për miqtë pranuam ndarjen e Mitrovicës pas lufte!

Për miqtë i humbëm mijëra hektarë tokë me Maqedoninë

Për miqtë i humbëm mijëra hektarë tokë me Malin e Zi!

Për miqtë lejuam edhe targat e Millosheviqit në Kosovë!

Për miqtë pranuam edhe gjuhën serbe si gjuhë zyrtare edhe aty ku nuk ka asnjë shkja!

Për miqtë i duruam hajnat për 20 vjetë!

Për miqtë mbetëm të bllokuar të vetmit në Ballkan!

Për miqtë edhe zavëndes kryeministrin e parë e pranuam shkja!

Për miqtë e votuam edhe gjykatën e Hagës!

Për miqtë pranuam edhe krimineli Radojaiç të na poshtëronte!

Për miqtë as urën e Ibrit nuk e kalum për 23 vjetë!

Për miqtë pranuam edhe flamurin kombëtar t’a zavendësojmë më flamurin me 6 ylla!

Për miqtë hoqëm dorë edhe nga bashkimi kombëtar!

Për miqtë pranuam gjithçka e nuk morëm asgjë!

Tani nuk do pranojmë që për miqtë t’a humbim edhe Trepçën e edhe Ujmanin, dhe gjithë veriun e Kosovës!

Boll është boll!”

       Në këtë « luftë » mediatike dhe politike ajo që të tërheq më shumë vëmendjen dhe të trishton është edhe qëndrimi i disa figurave publike shqiptare, duke përfshirë edhe kryeministrin Rama, që i janë sulur me të gjitha bateritë Kurtit. Siç shkruam edhe më sipër duke i veshur lloj lloj epitetesh ! Si spjegohet ky qëndrim ?! Kjo mungesë dinjiteti dhe guximi ?! Mirë që nuk e mbrojnë atë dhe Kosovën, por pse e sulmojnë ?! Çfarë po bën Kurti që po duan ta kryqëzojnë ?! A nuk ka të drejtë ai të thotë « Jo ». Qoftë edhe miqve dhe aleatëve të Kosovë ?! Ndryshe këtu nuk kemi të bëjmë me aleatë, por thjesht me vasalitet.

      Miku i mirë është ai që ta thotë të vërtetën në fytyrë. Edhe sikur kjo e vërtetë të mos të të vijë për mbarë. Dhe Kurti nuk po bën asgjë më shumë. Ai po u thotë miqve, se ky plan, pra asosacioni i komunave serbe, është si gozhda e Nastradinit që Beogradi mund ta përdorë sa herë të dojë të destabilizojë Kosovën. Shembulli i Bosnjës që nuk po bën një hap përpara  gjatë gjithë këtyre 40 vjetëve mjafton dhe tepron.

      Por për puthadorët shqiptarë, sa në Tiranë aq edhe në Prishtinë, kjo « jo » do të thotë përmbysje e botës ! Tmerr. Gjithë jetën të kërrusur, duke iu servilosur më të fortit dhe të fuqishmit, herë Enverit, herë Berishës dhe tani Ramës, duke i bërë temenara herë Turqisë, herë Moskës dhe herë Kinës dhe tani Uashingtonit,  kjo specie nuk mund ta drejtojë dot më shpinën. Është edhe çështje evolucioni.  

      Shpirti i skllavit që nuk guxon të thotë jo, por vetëm të bindet dhe përulet, duket se ka bërë fole në qënien e tyre. Prandaj nuk duhen dëgjuar më kujisjet e tyre prej qeni të rrahur që kur ka qënë këlysh.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment