Fjalëkryqi i ngatërruar i zgjedhjeve të Himarës (2003)

-Nga Viron Gjymshana –

       Nëqoftëse do të perifrazonim Nolin, do të shkruanim se lajmi për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Partisë Demokratike dhe PBDNJ-së për lënien e Himarës kandidatit të pakicës greke, nuk është as i ri dhe as i papritur. Shenjat drejt një mirëkuptimi të tillë ka vite që vihen re. Të paktën që nga viti 2001. Por arsyet duhen kërkuar më thellë dhe më larg. Ndofta në atë revoltë që nisi kryesisht në Jugun e vendit pas falimentimit të firmave piramidale më 1997-tën.

         Opinioni publik shqiptar është tashmë në dijeni të qëndrimeve të disa qarqeve të caktuara nacionaliste greke, të cilat kanë ngritur deri në Parlamentin Europian në Bruksel pretendimet e tyre rreth Shqipërisë së Jugut. Këto pretendime arritën kulmin e tyre gjatë zgjedhjeve të kaluara vendore në Dhërmi dhe Himarë të para 4 vitesh. Por po ashtu ato kanë gjetur vend edhe gjatë takimeve që delegacioni i Parlamentit Europian për vendet e Europës juglindore ka zhvilluar  me ata të Kuvendit të Shqipërisë. Bollano dhe të tjerët u ankuan atëhere për parregullsi të theksuara gjatë atyre zgjedhjeve. Por falë guximit dhe paanshmërisë së eurodeputetes gjermane Doris Pack që kryesonte këtë mbledhje, pretendimet e palës greke u hodhën poshtë.

         Po ashtu opinioni vendas është njohur me odisenë e letërkëmbimit të tejzgjatur ndërmjet komisionerit europian të ngarkuar për marrëdhëniet me jashtë, Chris Patten dhe eurodeputetit të djathtë grek, Kristos Ksarhakos. Dosja e këtij letërkëmbimi është aq e ngjeshur sa do të dilte për një libër të tërë.

        Në një ga letrat e dy europarlamentarëve grekë, përkatësisht të Stavros Xarchakos dhe Kristos Zacharias të grupimit të partive popullore dhe demokrate, shkruhej ndër të tjera se kryebashkiaku socialist i komunës së Himarës, ka aprovuar 15 urdhëresa për prishjen e ndërtesave dhe pronave që i takojnë pakicave greke në Himarë. Sipas parlamentarëve grekë këto shkatërrime kanë një parapavijë të pastër politike.

        Dhe dy europarlamentarët grekë i kërkuan komisionerit Patten t’i njoftonte se çfarë qëndrimi mban Komisioni Europian ndaj akteve të tilla dhe nëse veprime të tilla raciste të autoriteteve shqiptare kundër grekërve etnikë në Shqipëri janë në përputhje me parimet e pranuara nga shtetet anëtare të BE-së. Dhe së fundmi çfarë masash të menjëhershme do të merren për të ndaluar persekutimin e pakicës greke në Himarë nga ana e Shqipërisë ?

        Në përgjigjen e tij zyrtari i lartë i Bashkimit Europian theksonte se në Bruksel nuk janë në dijeni të shkatërrimit të pronave që i takojnë pakicës greke atje. Përkundrazi, sipas informacioneve që Komisioni zotëron, në të gjithë vendin ka pasur prishje të ndërtimeve  të paligjshme, duke përfshirë këtu edhe ato në Himarë. Në rastin konkret në Himarë nuk janë prishur vetëm lokalet dhe pronat e banorëve me prejardhje greke, por edhe atyre shqiptare, nënvizoi Patten.

       Por rasti i eurodeputetit Ksarhakos dhe të tjerëve është vetëm maja e ajsbergut, pjesa më e dukshme e përpjekjeve të politikanëve grekë në pretendimet e tyre ndaj Shqipërisë së Jugut. Parlamenti Europian ka qënë dëshmitar i veprimeve shumë më konsekuente dhe të hapura  të personaliteteve greke ndaj jugut të vendit tonë.

        Në vzhdën e përpjekjeve të tyre të pandërprera për të mbështetur mëtimet e PBDNJ-së, eurodeputetët grekë organizuan pak muaj më parë edhe një konferncë shtypi në Parlamentin Europian me pjesëmarrjen edhe të eurodeputetëve grekë dhe atij minoritar nga Shqipëria, Karamelo. Të gjithë ata u shprehën për shkelje të të drejtave të pakicës greke në Shqipëri, për Himarën 4000 vjeçare greke( !) etj etj . Për më shumë ata shpërndanë edhe një lloj broshure të shkruar në greqisht ku shpaloseshin edhe të gjitha këndvështrimet dhe pretendimet greke ndaj Toskërisë.

       Para kësaj ofensive klasa politike shqiptare ka qënë gjithmon¨e përçarë. Ose edhe më keq akoma. Për hir të ruajtjes apo rimarrjes së pushtetit, udhëheqësit dhe politikanët shqiptarë u kanë bërë madje jehonë mëtimeve të palës greke.  Kështu psh deklarata e një viti më parë e drejtuesit të opozitës shqiptare, Sali Berishës, se në Shqipëri dhunohen të drejtat e pakicave, ndërsa ka ushtuar nga njëra anë si rrufe në qiell të kthjellët, nga ana tjetër ajo ka qënë në sinkron të plotë me propagandën e palës greke. Ajo jo vetëm që u bënte jehonë pretendimeve të qarqeve greke, duke u ofruar atyre edhe një argument më shumë, por ajo binte në kundërshtim të hapur edhe me qëndrimet e përfaqësuesve të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian !

      Në këtë kahje shumë komente dhe kritika pati në opinionin e brendshëm vendas pas takimit që Nikolas Gejxh zhvilloi 2 muaj më parë me udhëheqësin e opozitës shqiptare. Aq më shumë që në kohën e sundimit të tij, Berisha e pati shpallur Gejxhin persona non grata në Shqipëri ! E vërteta është se takimi Berisha – Gejxh paraqet edhe ai një vijimësi konstante në politikën e 5 viteve të fundit të kreut të opozitës shqiptare. Pra asgjë nuk duket e rastit apo e pallogaritur deri në imtësi.

         Tablloja bëhet edhe më e errët kur sjell ndërmend disa qëndrime konstante dhe të paspjegueshme të përfaqësuesve të Partisë Demokratike në Parlamentin europian ndaj pretendimeve greke. Kështu psh në sallat e Parlamentit Europian mbahen mend mirë debatet  dhe kundërshtimi që deputeti Pavlli Zëri pati pas zgjedhjeve të fundit lokale me eurodeputeten greke, Ana Karamanu, kur po diskutohej për zgjedhjet e kaluara vendore në Himarë dhe respektimin e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri. Apo replikat që deputetët shqiptarë patën me deputetin grek Mastorakis, gjatë takimit të fundit që u zhvillua në shtator të vitit të kaluar në Bruksel.

        Gjatë gjithë këtyre takimeve dhe debateve binte në sy qëndrimi i heshtur, i ftohtë dhe deri indiferent i përfaqësuesv të partisë demokratike, kur anëtarët e pakicës greke në Shqipëri ose europarlamentarët grekë akuzonin shtetin shqiptar për shkelje të të drejtave të minoritetit si dhe për manipulime gjatë votimeve në Dhërmi dhe Himarë ! Partia Demokratike ishte e vetmja atëhere që mbështeti ankesat e palës greke duke pranuar se në Dhërmi dhe Himarë ka pasur manipulime.

          Ndofta dikush mund të mendojë se të gjitha këto qëndrime,heshtje etj do të kthehen në hiç, porsa Berisha të rimarrë pushtetin. Ai atëhere do u vëjë kufirin te thana mëtimeve greke, siç bëri gjatë periudhës 1992 – 1996. Kjo mund të jetë e vërtetë, por edhe e kundërta mund të jetë po aq e vërtetë. Koha ka dëshmuar se në përpjekjet për të ruajtur ose apo rimarrë pushtetin , shpesh herë bëhen pazarllëqe  të rrezikshme që lënë pasoja edhe për më vonë.

         Historia e Shqipërisë njeh personazhe që në këmbim të ndihmës së të huajve kanë pranuar një Shqipëri gjysmake, jo vetëm pa Kosovën, por edhe që të fillonte në lumin Mat dhe të mbaronte në Shkumbin , duke ia lënë pjesët e tjera Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Por edhe sikur këto krahasime historike apo supozime të mos kenë asnjë bazë, ka disa argumente bashkëkohore që ngjallin frikë për të ardhmen e Shqipërisë së jugut.

        Është deri diku fakt i njohur që në kancelaritë e Bashkimit Europian por shqyrtohet ndër të tjera, si një opcion i mundshëm i zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës, edhe ndarja e saj. Sipas këtyre projekteve të shprehura nën zë, Serbisë mund t’i jepet pjesa e Mitrovicës dhe ndofta edhe disa zona të tjera. Njëkohësisht pjesa serbe e Bosnjës do t’i bashkohet Serbisë.  Kuptohet që Beogradi është njëri nga nga frymëzuesit, përkrahësit dhe përfituesit më të mëdhenj të këtij skenari, megjithëse tani për tani  ai bën naze dhe hiqet sikur do që t’i jepet mprapsht e gjithë Kosova !

      Sipas këtyre projekteve të pashpalluara zyrtarisht, një Kosovë e tillë e gjymtuar mund të lejohet të bashkohet edhe me Shqipërinë. Në këtë variant të ndërrimit të kufijve mund të përfshihet tani apo pas 10 vitesh edhe Maqedonia dhe Shqipëria. Atëhere, sipas këtyre planeve edhe pushteti lokal në Himarë apo Dropull e tjetërkund  do të ketë të drejtën të organizojë referendume për shkëputje apo autonomi nga Shqipëria dhe bashkëngjitje me Greqinë. Askush nuk do të ketë të drejtë tu kundërvihet këtyre aspiratave.

   Në këtë mënyrë edhe harta e Shqipërisë ndryshon përsëri. Bashkëpunimi ndërmjet PD-së dhe PBDNJ-së vetëm se e lehtëson realizimin e këtyre planeve.

« Koha Jonë »

Bruksel, 03.09.2003

Lini një koment