Arrestimi i përfaqësuesit të pakicës greke në Himarë, Fredi Belerit, me urdhër të KQZ-së, ngriti përsëri tensionin politik në vend. Aq më shumë që në këtë “mesele” që i takon thjesht institucioneve të pavarura të shtetit shqiptar i futën hundët edhe përfaqësuesit e lartë të Athinës, deri te ministri i jashtëm i Greqisë, Dendias!
Në fakt kemi të bëjmë thjesht me një ndalim të Belerit, i cili sipas shumë dëshmitarëve, përpiqej të blinte me para votuesit në Himarë. E vërteta është se me Belerin këto ditët e fundit u morën shumë sa mediat vendase, por po aq edhe politika. Aq sa edhe kryeministri Rama e cilësoi Belerin me epitetin « maskara ». Gjithë kjo stuhi u ndez pasi përfaqësuesi i Vorio Epirit në Shqipëri foli për rihelenizimin e Himarës në rast se do të zgjidhej këtë të dielë!
Pa shkuar shumë larg në histori duhet thënë se Himara është tokë shqiptare e populluar nga një pjesë shqiptarësh greqishtfolës. E ka pohuar këtë fakt edhe një personalitet i tejnjohur në botën shqiptare, Petro Marko i pavdekshëm. Kam pasur rastin ta vizitoj Himarën në vitet 1970, pra në kohën e komunizmit. U ndodha një herë në një shitore atje për të blerë diçka. Vura re se gratë në rradhë flisnin me zë të lartë dhe veçse greqisht. Vetëm një herë dëgjova një nga këto gra që përmendi fjalën “qumësht” në vend të fjalës përkatëse greke!
Megjithatë mendimi im është se KQZ-ja apo drejtësia shqiptare janë nxituar pakëz në këtë punë. Dashur pa dashur po krijojmë një problem dhe po bëjmë hero një maskara. Për mua ai duhet thjesht të ishte injoruar. Edhe shtypi nuk kishte pse të merrej aq shumë me të. Nga ana tjetër shteti shqiptar duhet të punonte me të gjitha format që ai të mos fitonte në Himarë.
Ndryshe si mund të spjegohet se Berisha me Metën zgjedhin këtë person për t’i përfaqësuar ata në Himarë?! Kjo dëshmon se ata i kanë hequr brekët para Greqisë. Dhe shpresojnë të rikthehen në pushtet me ndihmën e Athinës. Një politikë të tillë, Berisha nuk e ka për herë të parë. Edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2003 ai zgjodhi për kandidat të partisë së tij një person të dalluar si mbrojtës i helenizmit. Por për këtë do flasim gjërë e gjatë më poshtë.
Për mua Fredi Beleri duhet të ndiqet në gjendje të lirë. Pra ai duhet të dali nga qelia më së shumti deri të shtunën. Dhe në rast provimi të fajit duhet të dënohet me një gjobë të majme. Kaq. Në Shqipëri kanë vrarë dhe nuk kanë bërë një ditë burg.
Sepse ndryshe pasojat do të jenë të rënda për shtetin shqiptar. Aq më shumë që Perëndimi është shumë i ndjeshëm përsa i takon të drejtave të pakicave që gjenden në territorin shqiptar. Duhet të kujtojmë këtu rastin e Albin Kurtit në Kosovë. Ai donte ta shtrinte autoritetin e qeverisë së tij edhe në veri të Mitrovicës, ku gjenden 4 komuna të banuara me serbë. Prandaj ai thjesht u kërkoi banorëve serbë që ata të respektonin shtetin kosovar, nënshtetas të të cilit ishin, duke i zëvendësuar target serbe në automjetet e tyre me ato të Republikës së Kosovës. Kaq mjaftoi që një stihi e tërë të ngrihej sa në Serbi aq edhe në Perëndim. Beogradi i frynte fuqishëm zjarrit. Si përfundim Perëndimi u “kujtua” se serbët në Kosovë duhet të ishin më të mbrojtur, prandaj propozoi edhe krijimin e asosacionit të 10 komunave me serbë në Kosovë.Të cilët, ndër të tjera do të kishin të drejta deri në zgjedhjen e një « përfaqësuesi » i cili do të ketë autoritetin të vendosë lidhje të drejtpërdrejta sa me Beogradin aq edhe me Brukselin dhe Uashingtonin. Duke anashkaluar krejtësisht Prishtinën!
Rreziku qëndron se Athina, si anëtare e BE-së, të ngrejë një stuhi në gotë për shkak të këtij arrestimi duke spekulluar se të drejtat e pakicës greke në Shqipëri shkelen me këmbë dhe se përfaqësuesit e saj arrestohen nga shteti shqiptar ! Dhe se ajo duhet të ketë të drejtë që të ketë mundësi të mbrojë “qytetarët” e saj edhe brenda kufirit të Shqipërisë! Pra të krijojë me këtë rast një lloj Vorio Epiri apo asosacioni brenda kufijve të shtetit shqiptar. Ëndërr e vjetër kjo e qarqeve nacionaliste greke, që në kohën e Protokollit të Korfuzit. A është i mundshëm një skenar i tillë ?! Koha do ta tregojë.
Por një ngjarje e tillë mund të ketë pasoja edhe në vendimin që pritet të merret në Hagë për « çështjen e detit ». Të ndikuar apo të frikësuar ndofta nga ulurimat e Athinës, Haga mund të marrë një vendim në favor të Athinës dhe qeveria shqiptare ndofta do të detyrohet të lëshojë « pe » në këtë çështje. Aq më shumë që në Bruksel nuk shihet me sy të mirë « flirti » i Ramës me Erdoganin !
Pra ngado që ta rrotullosh « muhabetin » Shqipëria del me humbje nga veprimi ndofta i drejtë, por pasionant dhe ndofta i nxituar i prokurorit shqiptar. A ka vepruar ai nga një zell i tepruar nacionalist ?! Apo çështja është më e thellë. Që ai mund të ketë marrë këtë veprim me vetëdije të plotë, por nën urdhërat e dyshes Berisha – Meta. Që të prishë dhe dëmtojë marrëdhëniet e qeverisë shqiptare sa me Greqinë , por po aq edhe me Perëndimin! Prandaj qeveria shqiptare duhet të veprojë urgjent dhe me vendosmëri. Siç theksova edhe më sipër nuk është koha që Beleri të mbahet në burg. Ai mund të ndiqet në gjendje të lire dhe në rast se shpallet fajtor të dënohet me një gjobë të majme. Bota vepron shpesh herë kështu.
Pa asnjë dyshim Berisha me Metën po fërkojnë duart. Ky skenar rezulton tu ketë dalë më me sukses se ai i 12 tetorit të vitit 2003. Siç i thonë një fjale ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Edhe në atë kohë ai, Berisha, shkaktoi një tollovi të madhe sa në vend, aq edhe jashtë tij, duke propozuar për kryetar bashkie në Himarë një përfaqësues të Vorio Epirit.
Po përse vepron “nacionalisti” Berisha në këtë mënyrë?! Thjesht se ai e urren Jugun. Ai është gati t’ia shesë atë Greqisë. Plani i tij më 2003-in ishte ndarja e Shqipërisë më dy. Gegëria të bashkohej me Kosovën, e cila sapo ishte çliruar nga çizmja serbe, ndërsa Toskëria të mbetej nën kujdesin e Greqisë. Kjo “ndarje” e tij me Jugun ka qënë e hershme, por mori formë të prerë dhe përfundimtare gjatë “kryengritjes” së Jugut kundër sundimit të tij, gjatë trazirave të vitit 1997, kur ai dërgoi edhe avionët për ta bombarduar këtë pjesë të vendit!
Në rast se dëshironi mund të ndiqni në linkun më poshtë shkrimin “Udhëkryqi i ngatërruar i zgjedhjeve në Himarë » (2003), botuar te gazeta “Koha Jonë” më 03.09 2003, ku dëshmohet me fakte se Berisha nuk i bën këto veprime nga marrëzia, por nga poshtërsia.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment