Rama midis Brukselit dhe Stambollit

         Bota politike perëndimore nuk e fsheh më fare se me kë është në garën e së dielës që do luhet në Turqi.: Erdogani duhet të humbasë medoemos zgjedhjet e së dielës – kjo është deviza e Perëndimit. Këto « buri » po fryjnë me forcë këto kohë sa nga Brukseli por po aq edhe nga Uashingtoni. Gjithë Perëndimi po shpreson dhe « lutet » që autokrati i Turqisë, Taip Rexhep Erdogan, të humbasë. Këtij kori i janë bashkuar tani pothuajse edhe pjesa më e madhe e masmediave perëndimore. Ndërkohë që tjetër « erë » fryn nga Moska. Ajo po  e shpreh hapur dëshirën e saj që Erdogani të vazhdojë të qeverisë vendin e turqve edhe për 5 vjetët e ardhshëm.

           Secila palë ka arsyet e veta në këtë “tifozllik” të paparë deri më sot. Se Turqia, ndër të tjera mbetet ende një anëtar i rëndësishëm i Organizatë së Atlantikut të Veriut, e njohur ndryshe si NATO. Por Turqia e sotme nuk është më si ajo e para 20 vjetëve. Kur Erdogani fitoi për herë të parë pushtetin. Shumë « ujëra » kanë rrjedhur që atëhere. Gjatë këtyre 20 vjetëve Turqia ka ndërruar faqe. Sa në fushën ekonomike, aq edhe në atë gjeopolitike. Ka ikur ajo kohë kur Turqia u rrinte « lepe peqe » Fuqive të Mëdha.

           Sot Turqia luan për veten e saj. Që do të thotë se ajo i vë interesat e saj para atyre të Uashingtonit, Brukselit apo Moskës. Kështu psh para disa vitesh ajo bleu një sistem antiraketor rus, gjë që shkaktoi pezmatim të madh në rradhët e NATO-s dhe sidomos Uashingtonit. Njëkohësisht Ankaraja këto 2 dekada ka futur « hundët » për “hesap” të vet edhe në konfliktet që gjenden jashtë kufijve të saj , si psh në Siri, Libi, Irak etj.

           Lufta në Ukrainë nxorri në pah edhe më shumë këtë politikë të pavarur të « sulltanit ». Duke ruajtur marrëdhënie të mira me Moskën, Turqia nuk ka ngurruar t’i shesë dronët e saj « Bajrraktar » edhe Ukrainës ! Gjithashtu ajo po pengon hyrjen në NATO edhe të Suedisë, sa për arsye fetare ( në Stokholm është djegur në mënyrë publike Kurani si dhe për shkak të vendstrehimit atje të mbështetësve të Partisë Punëtore të Kurdistanit).

             Marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Ankarasë u ftohën edhe më shumë pas tentativës së dështuar për grusht shteti të ndërmarrë nga forcat ushtarake në vend. Megjithëse nuk e ka pohuar hapur, Erdogani është i bindur se pas kësaj tentative qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli që u përpoqën të vinin në jetë në Turqi skenarin egjiptian. Siç dihet  në Egjipt u organizua një grusht shteti nga gjeneral Sisi që rrëzoi nga pushteti presidentin Morsi të zgjedhur me votë të lirë. Si Morsi, si Erdogani,  janë njohur, ndër të tjera, edhe si kundërshtarë të politikës izraelite në rajon.

     Ndryshe nga sa ndodh në demokracitë liberale perëndimore, Erdogan po e drejton me dorë të fortë vendin e tij.  Sipas shtypit perëndimor gjatë këtyre 20 viteve të fundit në Turqi të drejtat e pakicave etnike, fetare dhe societale janë tkurrur shumë. Fjala është për të drejtat e kurdëve, të sektit alevi/bektashian apo edhe të organizatave LGBTQ+ ! Po ashtu sistemi i drejtësisë nuk konsiderohet më si i pavarur nga pushteti qëndror dhe parlamenti siç ishte dikur. Gjë që përbën pothuajse një monstruozitet për Perëndimin. Me një fjalë dhe shkurt Erdogani njëhësohet sot si i njëllojtë me Putinin, Orbanin, ish presidentin amerikan Trump apo atë brazilian Bolsonaro etj.

        Gazeta zviceriane « Le Temps » e sintetizon bukur dyluftimin elektoral në Turqi. Nga njëra anë gjendet demokracia, Europa, të drejtat e njeriut dhe nga ana tjetër autarizmi, flirti me Rusinë etj.  Editorialisti Luis Lema në një analizë të publikur këtë të martë pohon se shoqëria turke gjendet të dielën para dilemës nëse do të ecë përpara në rrugën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës apo do të mbetet e mbërthyer pas së shkuarës. Opinion që e gjen të përhapur në pothuajse të gjitha mediat perëndimore.

        Por të tjera « këmbana » ushtojnë sot në Tiranë. Kryeministri Rama e sheh krejt ndryshe fatin e zgjedhjeve të së dielës në Turqi. Sipas tij fitorja e Erdoganit do të thotë përparim për Turqinë, ndërsa humbja një kthim i rrezikshëm prapa !

        Dje, pra të hënën, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se : « Turqia është përpara një zgjedhjeje me rëndësi të madhe, jo vetëm për kombin dhe popullin turk, po edhe për Ballkanin dhe Evropën ».  Rama thekson po ashtu se edhe Turqia në 14 maj, vendos mes vështirësisë për të vazhduar para dhe kthimit mbrapa !

       “Turqia është përpara një zgjedhjeje me rëndësi të madhe, jo vetëm për kombin dhe popullin turk, po edhe për Ballkanin dhe Europën. Eshtë padiskutim detyra e qytetarëve të Republikës së Turqisë të zgjedhin liderin dhe qeverinë që duan. Askush nuk mund dhe nuk di ta bëjë këtë më mirë se ata. Por në respekt të secilit e të secilës prej tyre, unë dua të shpreh konsideratën më të lartë për Presidentin Erdogan, vizioni, kurajoja, vullneti dhe puna e palodhur e të cilit, e ktheu në sytë e krejt botës Turqinë në shembullin e një transformimi fantastik.

       Fuqizimi shembullor i Turqisë dhe krijimi i një vetëdijeje të re, tek forca e kombit dhe e shtetit turk, nuk sollën vetëm plot të mira për Turqinë e për popullin e saj, po krijuan edhe vështirësi të mëdha, si dhe kundërshti të forta,  të cilat kulmuan me vënien deri në pikëpyetje të  integritetit të institucioneve legjitime të Turqisë, madje edhe të vetës jetës së Presidentit Erdogan » – nënvizon Rama duke aluduar për grushtin e dështuar të shtetit.

         Më pas ai vazhdon duke pohuar se ai e di se presidenti Erdogan ka kritikë të fortë, ashtu siç ka edhe mbështetës pasionantë dhe me siguri të dyja palët kanë arsyet e tyre legjitime, për të cilat sot Turqia po zhvillon një ballafaqim të zjarrtë.  Po unë dua vetëm t’ju them të gjithëve se në kohë kaq të vështira, jo vetëm për Turqinë, po për krejt botën e sidomos Europën, eksperienca dhe karakteri i Presidentit të Republikës së Turqisë – roli i tij për lehtësimin e barrës së madhe të konfliktit në Ukrainë mbi rrugët e furnizimit me grurë të shumë vendeve të rrezikuara nga pesha e atij konflikti apo pesha e gjykimit të tij në përballjen me vatrat kërcënuese të terrorizmit – janë një aset tepër i çmuar, për të mos u marrë parasysh nga të gjithë ata që të dielën e ardhshme do të vendosin për drejtimin që do të marrë Turqia.

      Për Shqipërinë dhe shqiptarët Presidenti Erdogan është një mik i mirë i ditëve më të vështira, që nga dita e vendimit për njohjen e Kosovës si shtet, që Turqia ishte e para e cila e pranoi sapo Kuvendi i Kosovës shpalli republikën, deri tek tragjedia e tërmetit në Shqipëri, kur Turqia mbështeti qindra familje të prekura shqiptare me ndërtimin e shtëpive të reja apo mundësimi i vaksinave kundër virusit vdekjeprurës, kur të tjerët ishin shumë të zënë me hallin e tyre.

         Për mua personalisht presidenti Erdogan nuk është vetëm një mik i mirë në ditë të vështira, po edhe një lider politik shumë i veçantë, për faktin se thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Disa mendojnë se ai është shumë rigjid dhe i prerë! Mbase kanë të drejtë, po  mbase për këtë fazë të historisë së Turqisë dhe në këtë botë kaq të paparashikueshme, mospërkulja është pikërisht ajo që i është dashur e i duhet ende një vendi si Turqia. E cila në 14 maj duhet të vendosë mes vështirësisë për të vazhduar përpara dhe lehtësisë së kthimit mbrapa(!) Duke i uruar Turqisë dhe popullit turk të gjitha bekimet e Zotit, uroj megjithë zemër që qytetarët turq të kenë parasysh në zgjedhjen e tyre edhe rolin e pazëvendësueshëm të Republikës së Turqisë në ekuilibrat e brishtë të kësaj kohe të vështirë për Ballkanin, e për krejt Europën”-  kumtoi Rama.

         Po ta vëresh me kujdes kjo deklaratë e kryeministrit të vendit tingëllon as më shumë dhe as më pak si një flakurinë fytyrës, apo një dorashkë sfidimi që kreu i qeverisë shqiptare ua hedh vendeve perëndimore. Dhe kjo është diçka sa e rëndë dhe po aq çuditshme. Rama mund të kishte gjetur një gjuhë më të lehtë diplomatike për të mbështetur Erdoganin pa i zëmëruar aleatët perëndimore. Se çdo gjë shkruhet dhe nuk harrohet. Por ai i bie ballit! Çdo të thotë kjo?! Që qeveria e tij ka zgjedhur Turqinë si aleatin e saj kryesor dhe nuk do t’ia dijë shumë se çfarë thotë dhe mendon Brukseli dhe Uashingtoni?!

     Se kjo deklaratë nuk mund të kalojë pa u vënë re në kancelaritë perëndimore. Dhe një reagim dhe qëndrimi i tillë vjen menjëherë pas trazirave dhe fërkimeve që qeveria kosovare ka krijuar me Brukselin dhe Uashingtoni për shkak të “asosacionit”! Tani edhe Tirana del hapur kundër politikës perëndimore, por për një çështje tjetër!

        A i ka menduar Rama pasojat që mund të ketë një qëndrim i tillë në marrëdhëniet e qeverisë së tij me Brukselin dhe Uashingtonin?! Ndryshe a kemi të bëjmë këtu me një ndryshim busulle në përparësitë e politikës së jashtme të Tiranës zyrtare?!

        Është me shumë interes tani të shihet se si do të veprojnë kancelaritë perëndimore dhe ambasadorët e tyre në Tiranë pas këtij qëndrimi kaq të veçantë të kryeministrit shqiptar. Dhe është po aq çudi që opozita Berisha – Meta të mos përfitojë nga këto deklarata duke e akuzuar Ramën se po braktis ëndrrën e shqiptarëve (E duam Shqipërinë si gjithë Europa) për hir të të marrëdhënieve të veta personale me Erdoganin.

          Shkurt: A kemi të bëjmë këtu me një qëndrim thjesht emocional të të parit të qeverisë shqiptare apo me diçka të studiuar dhe mirëpeshuar?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment