Le ta themi që në fillim: personalisht jam pro dënimit me vdekje për të gjithë ata që kryejnë krime të rënda. Si psh grabisin apo përdhunojnë të miturit. Sulmojnë pleq dhe plaka të vetmuara në shtëpitë e tyre. Grabisin dhe vrasin njerëz kot së koti siç ngjan në disa raste në shkollat e Amerikës. Njëkohësisht, dhe këtu po e theksoj për së dyti, jam për dënimin me vdekje edhe të atyre që prodhojnë, transportojnë apo shpërndajnë drogë në sasira të mëdha. Për dealerët e vegjël mjafton edhe burgu.
Shqiptarët, fatkeqësisht, kanë hyrë sot fuqishëm në tregun e drogës. Dhe nuk janë më si para 20 vjetësh, kur shpërndanin 1 gram drogë në ndonjë cep metropoli perëndimor. Jo. Tani ata kanë bërë hapa “përpara” dhe janë perfeksionuar. Kapot gjenden sot deri në vendlindjen e drogës. Në Ekuator, Kolumbi etj etj. Që andej e shpërndajnë drogën me anije drejt porteve të Europës. Një pjesë prej këtyre “baronëve” që janë demaskuar dhe zbuluar nga interpoli kanë zgjedhur tani të “shijojnë” paratë e pista deri në Dubai. Që siç dihet nuk ka marrëveshje ekstradimi dhe nuk i dorëzon bosët e krimit, të çfarëdo nacionaliteti qofshin!
Dhe po ta vësh re me kujdes çmimet në Shqipëri janë rritur shumë. Madje në disa raste edhe ua tejkalojnë atyre të metropoleve europiane. Nga ana tjetër euro vazhdon të pësojë rënie! Kjo flet dhe tregon shumë. Që do të thotë që ka një hyrje apo prurje të madhe të valutës së huaj në vend. Përveç rritjes së ekonomisë. Remitencat, pra paratë që emigrantët dërgojnë në vendin e tyre, zyrtarisht llogariten në 1 miliard euro në vit. Zyrtarisht se shumë para hyjnë edhe pa u deklaruar në dogana.
Të huajt që vizitojnë vendin vërejnë po ashtu me çudi se kafetë dhe restorantet janë gjithmonë plot. Një dhomë hoteli në detin Adriatik apo Jon nuk mund ta kapësh me më pak se 150 euro nata. Në stinën bosh! Në kohën e verës çmimet pothuajse dyfishohen. Duke u barazuar me ato të ishujve të Spanjës apo të Bodrumit në Turqi.
Që të kthehemi te titulli i shkrimit. Pak ditë më parë stacioni televiziv franko/gjerman « Arte » pati një emission interesant të titulluar: « A duhet që vendet perëndimore të kërkojnë falje për periudhën e tyre të kolonializimit ? » Në studio dhe në lidhje satelitore ishin të ftuar shumë specialistë dhe opinionistë. Përfaqësuesit e “botës së tretë” apo siç i quajnë sot “Jugu global” pohonin me bindje se vendet ish – kolonizatore duhet të kërkojnë zyrtarisht të falur për periudhën kur ato kanë shfrytëzuar dhe grabitur pasuritë materiale, kulturore, ekonomike dhe shpirtërore të vendeve të tyre.
“Na vjen keq. Shprehim keqardhjen tonë. Ishin kohë të tjera” etj etj ishin disa nga justifikimet e paraqitura nga përfaqësuesit e vendeve të zhvilluara. Gjatë atij emisioni u vu në dukje se me përjashtim të këtyre shprehjeve asnjë nga ish vendet kolonizatore, duke nisur nga Anglia së pari, “në perandorinë e së cilës nuk perëndonte kurrë dielli !” dhe pastaj me rradhë Franca, Spanja, Portugalia, Hollanda etj, madje pa harruar këtu të përfshijmë edhe Turqinë, asnjë prej tyre nuk ka kërkuar zyrtarisht të falur. Dhe kjo kuptohet lehtë. Kërkimi faljes do të duhet të pasohet nga dëmshpërblime monetare që mund të kapin shifrat e disa dhjetra miliarda dollarëve!
Madje disa u përpoqën të vejnë shenjën e barazimit midis kolonizimit dhe zhvillimit. “Ne kemi mundëuar që ato vende të përparojnë nga ana kulturore/arsimore, por po ashtu edhe ekonomike dhe industriale – u shprehën disa prej përfaqësusve të vendeve të zhvilluara. Madje një analist spanjoll vajti edhe më larg: Indianët e Meksikës, Kolumbisë Perusë etj etj u njohën si qytetarë me të drejta të plota të perandorisë spanjolle, – u shpreh ai i prekur!
Por askush nuk e pyeti se kush i kërkoi mbretëreshës Izabelë të Spanjës që ushtarët e saj të pushtonin aztekët, inkasit dhe majat me moschetta (pushkë të vjetra), topa dhe bajoneta?! Po grabitja e arit të Montezumës mos ishte ndofta dhuratë e indigjenëve ndaj kurorës spanjolle?!
Çuditërisht teorinë e civilizimit dhe emancipimit së banorëve të pushtuar dhe të shfrytëzuar e gjen ngandonjëherë sot edhe te mbështetësit e pushtimit turko/islamik të vendit. Sipas tyre shqiptarët ishin nënshtetas me të drejta të plota të perandorisë osmane, prandaj nuk kanë pse të ankohen nga pushtimi 5 shekullor!
Ndryshe përfaqësuesit e vendeve ish – koloniale nënvizuan disa herë me rradhë se një pjesë e pasurive dhe mirëqënies së vendeve kolonizuese e ka bazën ndër të tjera në shtypjen dhe grabitjen e pasurive të vendeve të pushtuara.
Ndryshe nga perandoritë e stërmëdha, shqiptarët nuk kanë pushtuar kërkënd. Se kemi qënë sa të vegjël, aq edhe të pazhvilluar. E kundërta ka ngjarë. Shqipëria gjatë këtyre 2 000 vjetëve të fundit është pushtuar nga romakët, anzhuinët, turqit, pa folur këtu për pushtimet e shkurtra gjatë Luftës së parë dhe të dytë Botërore.
Dhe dihet shqiptarët historikisht kanë qënë të varfër. Aq sa Pukëvili, ambasadori i Napoleonit në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, shkruante se shqiptarët ishin të armatosur deri në dhëmbë, por veshjet u binin zhele zhele nga trupi! Gjatë periudhës komuniste vendi njohu një zhvillim ekonomik të rëndësishëm. Vendi përparoi, por shqiptarët mbetëm përsëri relativisht të varfër.
Me ardhjen e demokracisë dhe hapjen e vendit, shqiptarët morën rrugën e mërgimit drejt Perëndimit të pasur, të begatë dhe të lirë. Flitet se janë rreth 1 milion e gjysëm shqiptarë që kanë lënë vendin që nga 1991 deri më sot. Shumica janë stabilizuar dhe gëzojnë të mirat e botës perëndimore. Por ka edhe një pjesë prej atyre që janë larguar, që janë bërë persona problematikë në vendet ku kanë shkuar.
Në fillim të viteve 1990 ishin Greqia dhe Italia të parat që u “çmerisën” nga emigracioni i paligjshëm shqiptar. Me kalimin e kohës shqiptarët u integruan si duhet në këto vende dhe tani për ta nuk flitet pothuajse më fare si një rrezik për sigurinë dhe mirëqënien e banorëve autoktonë. Por me gjithë këtë nami i keq nuk na u nda asnjëherë. Ndofta me të drejtë dhe ndofta i ekzagjeruar. Aq sa u prodhua edhe filmi aq i njohur “Taken” ku shqiptarët përfaqësonin kulmin e malavitës!
Muajt e fundit “flamurin” në këtë drejtim e kanë marrë anglezët. Emri i shqiptarit është bërë përsëri sinonim i krimit dhe paligjshmërisë. Madje ministrja e brendshme e Britanisë së Madhe, Braverman, i ka treguar me gisht shqiptarët si kontigjenti më i madh në burgjet e Anglisë! Ky është një rekord i turpshëm për ne. Aq më shumë që shqiptarët nuk përbëjnë ndonjë numër kushedi sa të madh ndër të huajt që jetojnë në vendin e ish- mbretëreshës Elisabetë.
Dhe, siç thuhet edhe më lart, shqiptarët në Angli, por edhe në Hollandë apo Belgjikë, janë “specializuar” në të ashtuquajturat “shtëpi të barit”. Ku ata kultivojnë kanabisin nga i cili më pas sintetizojnë droga sa të forta aq edhe të dëmshme.
Po ai që e vodhi lopën nuk ka faj fare ?! – do të pyeste humoristi i njohur nga Gjirokastra. Sepse faji i shqiptarëve nuk mund as të fshihet dhe as të mohohet.
Dihet se njëri nga ligjet bazë të kapitalizmit është ai i kërkesës dhe ofertës. Dhe në Perëndim dhe më pak edhe në vende të tjera të botës, ekziston një kërkesë në rritje për drogë. Si spjegohet?! A nuk është detyrë e shtetit të edukojnë qytetarët e tyre?! Si mund të lejojnë këto qeveri një përhapje kaq të madhe të një flame të tillë?! Ku është këtu roli i pazëvendësueshëm i shtetit. Ka 50 vjet që Perëndimi po lufton kundër kësaj plage, por pa sukses. Njëlloi siç ngjau dikur me prohibicionin (ndalimin e alkolit) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Po të mos ekzistonte kërkesa, sidomos nga një pjesë e rinisë që ka hedonizmin si kryefjalë të qëllimit të jetës, shqiptarët nuk do të mund të shquheshin dot në këtë biznes kaq famëkeq. Duke përfituar nga kjo plagë e shoqërive perëndimore.
Asnjë justifikim nuk mund të gjesh që ta përligji këtë veprimtari kriminale. Thjesht mungesë skrupujsh moralë, mungesë qytetërimi dhe edukate si dhe një dëshirë e papërmbajtur për tu pasuruar sa më shpejt e sa më shumë.
Problemi i drogës nuk është i vetmi me të cilën ndeshet bota sot. Analisti amerikan George Putzell, nënvizoi para pak kohësh se tregtia e drogës dhe e armëve përbëjnë një rrezik serioz për stabilitetin ndërkombëtar. Sidomos tani pas agresionit rus mbi Ukrainën. E keqja është se edhe nga tregtia e armëve fitohen miliarda. Dhe me këtë tregti merren një pjesë e madhe e vendeve të zhvilluara të botës. Duke filluar nga Rusia që e ka “trashëguar” këtë biznes që nga koha e Luftës së Ftohtë. Madje 1 muaj më parë Uashingtoni u detyrua të lirojë nga burgu një kontrabandist rus të njohur për tregtinë e armëve me vendet e Afrikës! Dhe kjo u bë në shkëmbim të lirimit të një basketbollisteje të njohur amerikane, të cilës, gjoja, iu gjet një sasi droge në çantë! Por prapa nuk mbeten as Kina, as Turqia me dronët e saj të famshëm “Bajraktar” dhe një pjesë e mirë e vendeve perëndimore.
Që tregtia e armëve është sot një nga bizneset më fitimprurëse e konfirmon edhe fakti i përleshjeve të armatosura këto ditë në Sudan. Të dyja palët ndërluftuese zotërojnë armë të pafundme moderne. Njëkohësisht opinioni ndërkombëtar ishte dëshmitar para dy vjetësh i një fakti rrënqethës. Në kulmin e saj organizata terroriste islamike Daesh zotëronte armët më të sofistikuara të kohës, duke filluar nga automjetet super të reja deri te antitanket! Ku i gjeti kjo organizatë famëkeqe gjithë këto armatime?! Përgjigja është e thjeshtë. Në botë qarkullojnë sot sa tregtarë drogash, por po aq edhe tregtarë armësh. Disa shtete, si puna e Rusisë, që cituam më sipër, nuk i shesin vetë armët, por gjejnë ndërmjetës. Dikur një i tillë ka qënë edhe mbreti Leka i Parë që e ka pasë pohuar edhe vetë që merrej me këtë biznes.
Pyetja shtrohet: A ka ndonjë ndryshim themelor ndërmjet atyre që shesin drogë dhe atyre që shesin armë?! Droga të shkatërron si qënie njerëzore, arma të çon në botën tjetër. A mund të zgjedhësh dot ndërmjet mortjes dhe kolerës?!
Shqiptarët, por jo të gjithë, siç duket kanë zgjedhur të bëhen të pasur duke u marrë me drogë. Padyshim turp dhe marré. Por dihet se jetojmë në një botë të vështirë, aspak ideale ku disa nuk hezitojnë të merren me tregtinë e drogës, të armëve, me pushtime dhe deri edhe me grabitje të pasurive të të tjerëve !
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment