Kohët e fundit imazhi i shqiptarëve është dëmtuar rëndshëm edhe në Britaninë e Madhe. Nuk ka ditë që shtypi vendas atje të mos merret me shqiptarët duke i cilësuar si kriminelë, dealer droge, hajdutë etj etj. Dhe kjo histori me shqiptarët fatkeqësisht po vazhdon prej vitesh. Në fillim ishte vendi fqinj, Greqia, që krijoi një përshtypje të keqe për shqiptarët, që u lëshuan drejt saj sapo Shqipëria u hap ! Ishin me dhjetëra mijëra shqiptarët që vajtën atje për punuar nëpër zanatet më të vështira. Duke filluar nga mbledhja e ullinjve, ruajtja e bagëtive, shërbimet në shtëpitë e grekërve të kamur etj etj.
Shumica dërrmuese e tyre punuan ndershmërisht, por një pakicë që nuk e kishte në « gjak » punën u morën me pislliqe të ndryshme. Emëri i shqiptarit u përfol për keq në atë kohë edhe në Itali. Të njëjtat dukuri si në Greqi. Tani këto vende duket sikur janë « qetësuar » dhe mësuar me shqiptarët. Madje një pjesë e madhe prej tyre kanë fituar tashmë edhe nënshtetësinë e vendit pritës.
Dhe siç thonë historia përsëritet dy herë: herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si komedi. Dhe shqiptarët dyndjet masive drejt Greqisë dhe Italisë nuk i kanë për herë të parë. Herën e parë ata vajtën në ato vende për t’i shpëtuar kolerës osmane që u derdh në tokat e Arbërit me zinxhirë dhe jataganë. Ata u quajtën nga vendasit arvanitas apo arbëreshë, sipas emrit të hershëm të vendit të tyre. Historia u përsërit pasi viteve 1990. Dhe fatkeqësisht po vazhdon edhe sot. 30 vjet që kur vendi « u hap » !
Aq keq u fol dhe u përfol për shqiptarët në Britani, deri edhe nga ministra të rëndësishëm dhe parlamentarë, saqë kryeministri Edi Rama, u detyrua të kryente një vizitë në Londër për të mbrojtur reputacionin e qytetarëve të vendit të tij. Dhe duhet thënë se ai e kreu si duhet këtë mbrojtje. Por pa kaluar veçse pak kohë media dhe opinioni britanik rifilluan avazin. U përfolën në veçanti disa të ashtuquajtura « shtëpi të barit » ! Me fjalë të tjera hangarë dhe depo ku disa shqiptarë mbjellin kanabis, i cili më pas shndërrohet në droga të forta. « Kjo « punë » u siguron para të madhe bosëve të krimit. Para që më pas ata i investojnë në Shqipëri duke ndërtuar apo blerë hotele dhe apartamente.
Tashmë bandat shqiptare janë shpërndarë pothuajse në të gjithë Europën. Deri në Spanjë apo edhe në portet detare të Anversit në Belgjikë apo të Roterdamit në Holandë. Madje i kanë hedhur tentakualat e tyre deri në Ekuador dhe Kolumbi. Droga është kthyer në aktivitetin e tyre të preferuar.
Pyetja që shtrohet është : si spjegohet kjo prirje e shqiptarëve për veprimtari të palighshme ?! A i ka rrënjët kjo dukuri që në gjenezën e tyre të lashtë ?! Se siç dihet shqiptarët nuk janë shquar ndonjëherë si popull në fushat e ndërtimtarisë, arkitekturës, shkencës apo bujqësisë. Zejtaria e tyre e preferuar ka qënë shërbimi ushtarak. Jemi shquar si komandantë të aftë ushtarakë që në kohën e romakëve të lashtë. Mjeshtëri që e shfrytëzuam me « sukses » edhe gjatë pushtimit otoman. Ma qindra kanë qënë pashallarët dhe komandantët me origjinë shqiptare që i shërbenin sulltanit në fushatat e tij pushtuese an e mbanë Mesdheut. Aq sa thuhet se perandoria turke u shërbye edhe nga mbi 44 vezirë dhe zadrazemë me origjinë shqiptare. Ndërsa në vend zeja më e preferuar dhe më e lehtë mbeti blegtoria dhe sidomos zanati i bariut !
Në fakt shkapërderdhja e shqiptarëve nëpër botë lidhet me shkatërrimin e shtetit shqiptar gjatë viteve 1991 – 1997. Vendin e diktaturës e zuri anarshia. Atë të Sigurimit famëkeq – Mafia. Një pjesë e bashkëkombasve tanë kur vajtën në Itali ranë menjëherë në kthetrat e mafias vendase, Ndrangetës, Koza Nostras-s etj. Organizata keqbërëse këto që e kishin shtrirë ndikimin e tyre në jug të Italisë prej dhjetëra vitesh. Ndërsa shqiptarët që vajtën në Zvicër u johën atje me mafian kosovare që kishte krijuar monopolin në shpërndarjen e drogës. Boll të mos kishe skrupuj dhe të mos të të vriste ndërgjegja dhe paratë e fituara nga këto « aktivitete » ishin marramendëse për shqiptarët e dalë nga një varfëri shekullore.
Dhe kështu ngjau që bashkëkombasit tanë, sidomos ata nga veriu i Shqipërisë, Kukës dhe Has, morën këto vitet e fundit rrugët e mërgimit drejt Britanisë së Madhe. Duke mos ditur as edhe një fjalë anglisht, padyshim që ata do të binin viktimë e botës së errët të krimit vendas dhe atij shqiptar, i vendosur atje disa vjet më parë. Lajmi i fitimeve të lehta arriti shpejt sa në Kukës aq edhe në Has, saqë shqiptarët, ashtu siç e kanë zakon, i ngritën shpejt e shpejt edhe një bust ish mbretëreshës së ndjerë Elisabet! Ndofta për ta marrë me të mirë !
Po pse kombet e tjera, të vegjë dhe të prapambetur si ne, si psh maqedonasit, malazezët etj etj nuk ranë në grackën e krimit si ne ?! Dhe nuk « gëzojnë » namin tonë ?! Sepse jo gjithçka mund të spjegohet me kulturën e mangët, traditat, « kokë lashë dhe kokë solla » apo gjenezën. Ka edhe një faktor tjetër. Dhe shumë i rëndësishëm : shkatërrimi me themel i shtetit shqiptar. Në atë kohë, pra në fillimet e demokracisë, gjendja në vend kishte vajtur aq keq saqë askush nuk kishte kohë të merrej me refugjatët apo emigrantët. Madje dukej se vetë shteti e nxiste një ikje dhe largim të tillë. Se nuk kishte më fronte pune. Nuk kishte ngelur në këmbë asnjë uzinë, fabrikë apo ndërmarrje. Shkatërrimi i kooperativave apo ndërmarrjeve bujqësore krijoi një klasë bujqish, apo fermerësh siç i quajtën atëhere, ku çdo familjeje i ranë jo më shumë se 1.5 hektarë tokë ! Dhe çfarë mund të bësh me aq pak tokë bujqësore ?!
Një tjetër arsye gjendet ndofta edhe te individualizmi te vetë ne si popull. Te mosdashja e njeri tjetrit. Popuj të tjerë që kanë pasur një diasporë të përhapur, siç është rasti ynë, janë shquar edhe jashtë shtetit në aftësinë vetformuese dhe ndihmuese ndaj bashkëkombasve të tyre. Dhe kjo dukuri nuk është veçanti vetëm e çifutëve. Diaspora kroate psh është shquar po ashtu për një organizim të përsosur të diasporës së saj. Ishte koha e luftrave ndëretnike në ish –Jugosllavi. Një i ri kroat kishte vajtur në Belgjikë dhe kishte kërkuar strehim politik. Duke qënë se në qëndrat e azilit nuk kishte më vend, me ndihmën e Karitasit apo Kishës Protestante ai ishte strehuar te një vendas, që i ndihmonte të huajt. Deri këtu gjithçka ishte në rregull. Por nuk kaloi shumë kohë kur në shtëpinë e belgut mirëdashës trokiti një kroat tjetër. ishte më i madh në moshë se kroati azilant dhe i kishte dokumentet e vendit pritës në rregull. Të dy kroatët u takuan dhe u njohën aty për herë të parë me njëri – tjetrin. Kroati « i vjetër » kishte vajtur në shtëpinë e belgut vetëm e vetëm për tu interesuar për bashkëkombasin e tij. Sesi ai jetonte, nëse i mungonte gjë, për tu siguruar se ai kishte rënë në duar të mira etj etj. Sepse kroatët që kishin vite në Belgjikë kishin krijuar edhe një rrjet bashkëpunimi dhe ndihme me njëri tjetrin. Dhe ata e ndjeninin si detyrë morale të ndihmonin edhe bashkëkombasit e tyre të porsa ardhur nga Kroacia që të integroheshin në vendin pritës dhe, në rradhë të parë, t’i mbronin ata nga kurthet dhe rreziqet, me të cilat gjithkush përballet në vendin e huaj.
Krejt ndryshe silleshin shqiptarët në atë kohë. Tregojnë se disa nga shqiptarët e vjetër, të vendosur në Belgjikë pas Luftës së Dytë Botërore, u kërkonin para refugjatëve shqiptarë që t’i ndihmonin në marrjen psh të ndihmës sociale, në gjetjen e banesës etj etj. Dhe nuk kërkonin pak por një të tretën e shumës që shteti belg u jepte azilkërkuesve shqiptarë. Ja pra dy shembuj të kundërt, të cilët ndofta jo dhe aq përgjithësues, por që flasin shumë për mentalitetin shqiptar.
Nuk jam i sigurt, por më duket se ka qënë Konica, që i pari ka thënë se më kollaj bëhen bashkë nje grumbull me pleshta se një grup shqiptarësh ! Të gjendur në dhé të huaj, pa njohur as edhe një fjalë nga gjuha e vendit ku kanë shkuar, shqiptarët janë të destinuar të bien pré e krimit të organizuar. Se askush nuk i mbron dhe nuk i udhëzon. E vërteta është se disa nisen që nga shtëpia për tu marrë me punë të pista në vendin e huaj, por një pjesë e mirë bien edhe viktimë e paditurisë së tyre apo edhe e keqëdashjes së bashkëkombasve të tyre. Që në vend tu tregojnë të sapovajturve rrugën e duhur drejt integrimit në shoqërinë pritëse i nxisin dhe i shtyjnë drejt krimit dhe paligjshmërisë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment