Provë e kapitalizmit mafioz në vend

        Një ngjarje tejet e shëmtuar kaloi pa u vënë re shumë në botën mediatike shqiptare. Është fjala për një kërcënim që disa mafiozë të pasur i drejtuan një afaristi që kishte marrë pjesë  në një tender të organizuar nga një institucion shtetëror. Bëhej fjalë për një tender me çmim minimal prej 1 milionë eurosh. Që nuk janë pak dhe pak veta i zotërojnë kaq para. Sidoqoftë, ajo që bien në sy dhe shpjegon shumëçka ishte guximi dhe njëkohësisht pafytyrësia e këtyre gangsterëve, të cilët e donin për vete këtë tender. Dhe për këtë nuk ngurruan ta kërcënonin konkurrentin se « do i vrisnin djalin » në rast se ai nuk do të tërhiqej nga ky ankand.

       Sipas disa njoftimeve shtetasit Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, Shaqir Alcani, 62 vjeç, u arrestuan nga policia e Elbasanit pasi kërcënuan administratorin e një kompanie private që të tërhiqej nga një tender që ai kishte fituar.

        Bëhet me dije se u shpall në kërkim gjithashtu dhe një 38 vjeçar, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim.

       Thuhet se këta mafiozë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin Erald Miftari, administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një tender 1 milionë euro i fituar në bashkinë e Tiranës për lëndë drusore. Burimet bëjnë me dije se të akuzuarit i kanë vendosur pistoletën në kokë administratorit për t’u tërhequr nga tenderi dhe e kanë kërcënuar me jetën e djalit.

      Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale automjetin e përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare. Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

         Kjo ndodhi flet dhe zbulon shumë. E para tregon se ashtu siç dihet paratë sot janë në duart e kriminelëve. Jo çdokush, madje vetëm një pakicë e vogël, ka sot nëpër duar një million euro ! Si dhe ku i kanë i kanë bërë këto para ?! Sa taksa i kanë në paguar shtetit që të justifikojnë pasjen e një pasurie të tillë? Sepse edhe bankat nuk të japin kredi dhe hua nëqoftëse ti nuk ke diçka për të hipotekuar tek ata. Prandaj nuk thonë më kot që bankat u japin para vetëm të pasurve!

     Fatmirësisht personi i kërcënuar nga mafiozët pati guximin t’i denonconte ata në polici. Dhe shteti kreu veprimet e nevojshme. Gangsterët u arrestuan. Por sa raste mund të ketë pasur kur të shantazhuarit nuk kanë guxuar t’i telefonojnë policisë?! Por kanë pranuar që të heqin dorë nga pjesëmarrja në ankand dhe tendera etj etj.

    Dhe ky “trend” i pisët ka filluar që me ardhjen e demokracisë në vend. Ishte koha kur banorët e fshatit filluan të nxirrnin individualisht prodhimet e tyre në tregjet e qytetit. Njëri prej të cilëve gjendej përballë ish Shkollës së Bashkuar, ngjitur me konviktin e vajzave të fakultetit të mjekësisë. Një fshatare kishte nxjerrë për të shitur atje disa kg me mollë vëndi. Çmimi ishte i pranueshëm dhe cilësia e mollëve e kënaqshme. Por pa kaluar as 15 minuta nga fillimi i shitjes së mallit, një burrë rreth të 50-ve iu afrua dhe iu drejtua banores së fshatit me kërcënim: “Ç’është ky çmim kaq i ulët?! Do të na bësh ti të falimentojmë ne?! Ngrije shpejt çmimin se djemtë këtu janë!” – foli me egërsi burri që dukej se shiste mollë nga Maqedonia, por me dyfishin e çmimit të gruas nga fshati. Dhe kjo e fundit pa ç’pa bëri ashtu siç i tha burri i huaj. 

        Këto gjëra dhe shumë të tjera edhe më të dhimbshme dhe tragjike, siç ishte rasti i grabitjes apo mashtrimit të shumë vajzave të reja shqiptare, për t’i çuar si prostituta në Itali apo Greqi ishin të zakonshme në “demokracinë” e viteve 1991 – 1997. Vitet e shkatërrimit të Shqipërisë.

     30 vjet më vonë këto gjëra ngjajnë si çikërrima. Tani nuk flitet më për disa trasta me mollë, por për miliona. Krimi shqiptar ka vënë nën kthetrat e tij gjithë ekonominë vendase. Madje edhe jashtë vendit po bën “kërdinë”! Më të paktit dhe më të vegjëlit prej tyre kanë veçse disa hotele! Të tjerët duke përfshirë këtu edhe politikanët e majtë apo të djathtë kanë në zotërim në Gjirin e Lalzit, Dhërmi apo Surrel hotele tejet moderne me nga 7 banjo, por që i quajnë vila! Meqë janë për përdorim personal.

       Këto 30 vite dhe ato që do pasojnë duket se janë thjesht  “Wild West”. Në Amerikë njihet mirë shprehja: “Dikur i quanin banditë, sot i thërresin biznesmenë”!

      Ngjarja me tre kriminelat që kërcënuan së fundmi pjesëmarrësin konkurrent në ankand shpjegon ndofta edhe çmimin marramëndës të ndërtimit të rrugëve në vend. Dhe jo vetëm të tyre. Por ndofta edhe të ushqimeve, barnave mjekësore etj etj. Me shifra që arrijnë deri në 20 milionë euro për kilometër! Pa dyshim që oligarkët kanë rënë në ujdi mes vedi që t’i mbajnë këto çmime në nivele astronomike. Aq më shumë që është shteti që paguan. Dhe kur dikush nga “jashtë” kërkon të futet në garë me çmime më të leverdishme për shtetin, mafia e gjithështrirë në vend dhe nën kontrollin e oligarkëve e eliminon me të mirë apo me të keq. Si në rastin e mësipërm mbetur në tentativë.

     Këto janë dukuri që nuk ngjasin për herë të parë. Dhe as vetëm në Shqipëri. Por ato ngjasin aty ku nuk ka shtet të fortë. Aty ku pushteti  i korruptuar politik është i mpleksur me pushtetin mafioz ekonomik. Ndryshe gjëra të tilla nuk duhej të ndodhnin.

      Është e njëjta dukuri që ngjan edhe në lëmin e politikës. Sot psh kemi tri parti politike në vend që nuk lejojnë kurrsesi krijimin e alternativave të tjera. Por duket se kemi edhe nja 6 apo 7 familje oligarko/mafioze që po ashtu po akaparojnë gjithë pushtetin ekonomik në vend. Të lidhura me politikën këto familje oligarkësh kanë krijuar kështu edhe kastën mbizotëruese. E cila ka në dorë tashmë gjithçka. Deri edhe fatet e Shqipërisë.  

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment