Kufoma e Sali Berishës!
Asnjë analist, komentator apo vëzhgues i zhvillimeve politike në vend nuk është në gjendje sot të parashikojë se si do të paraqitet opozita në Shqipëri në zgjedhjet lokale të 14 majit. Berisha, Alibeaj, Dash Shehu, Këlliçi janë emrat që po lakohen këto kohët e fundit. Të gjithë janë kundër njeri –tjetrit saqë duket se nuk e njeh as qeni të zonë.
Megjithëse nuk e ka vulën, pra nuk njihet si drejtues zyrtar i PD-së, Sali Berisha ulurin, sokollin, shan dhe baltos këdo që nuk i bindet. Me vete ka disa mijëra mytyberë si puna e vet, që janë gati të rreshtohen dhe të djegin çfarëdo që u del përpara boll që këtë tua kërkojë bajrraktari i tyre!
Drejtuesi 32 vjeçar i PD-së duket se po ndjek rrugën e edukatorit, prijësit dhe mësuesit të tij shpirtëror, që u largua nga froni i PPSH-së, vetëm pas 44 vjetësh, kur dha shpirt më 11 prill 1985. Edhe S.B. po ecën po në këtë rrugë. Jo më kot diktatori i dikurshëm e mirëpriste në shtëpinë e tij. Apo e linte të lundronte në një barkë me fëmijët e tij. Megjithëse përbënte rrezik për ta meqe nuk dinte as not!
S.B.-ja e nisi karrierën e tij si komunist i stërbetuar për rreth 25 vjet, por e ktheu gunën kur vuri re se era po fryente në drejtim të kundërt. Dhe sa për meritë të tij, aq edhe nga fati, u vu në krye të partisë antikomuniste që lindi 32 vjet më parë me emrin e bukur Partia Demokratike. Por përveç emrit kjo parti nuk pati më asgjë të bukur. Shkatërrimi total i vendit, në ekonomi, mbrojtje, arsim, shkencë ngjau kur kjo parti mori pushtetin.
Përballë një kaosi që doli nga shishja udhëheqja e asaj kohe nuk gjeti gjë më të mirë sesa krijimin dhe mbrojtjen e piramidave financiare. Që e pllakosën vendin një herë e mirë dhe përgjithmonë. Pastaj erdhën vrasjet prapa krahëve, 21 janari, Gërdeci etj etj. Dhe në fund fare “mandata” nga Amerika: Non grata!
Por siç thonë bisha e plagosur bëhet edhe më e rrezikshme. Sali Berisha i ngjan sot bishës së plagosur që lëpin plagët e veta dhe nuk dorëzohet. Qoftë duke marrë me vete në varr edhe PD-në. Askush nuk ka guximin t’i kërkojë dorëheqjen. Edhe kur e pyesin se përse nuk largohet për të shpëtuar PD-në nga falimentimi e ka në majë të gjuhës gënjeshtrën: Kjo është ajo që duan edhe Yuri Kim dhe McGonal, por unë ua plas bombën në dorë! Yuri Kim, e di gjithë bota, është ambasadorja e Amerikës në Shqipëri, e emëruar në kohën e presidentit Trump!
Shqipëria sot ka nevojë urgjente për një opozitë të pastër, të besueshme, me vizion dhe karakter. Dhe duke perifrazuar një shprehje aq të njohur të fillimeve të tranzicionit, duhet të pohohet përsëri se një plak gërrmuq i ka zënë rrugën rinovimit dhe pastrimit të saj. Dhe duket se e gjithë e ardhmja e Shqipërisë po mbahet peng nga kufoma e një të vdekuri të pakallur në dhé.
Me një opozitë të shkapërdarë si kjo e sotmja Edi Rama sundon edhe 40 vjetët e ardhshëm. Dhe pa u sforcuar. Duke vazhduar të pohojë, pa pikën e përgjegjësisë, se “ç’më duhet mua se çfarë bëj unë”! Ai emëron ministra, zëvendësministra, drejtorë drejtorie, deputetë etj etj figura ose të panjohura nga publiku ose me reputacion të dyshimtë. Të cilën pastaj zënë bankot e të akuzuarve nga sistemi i drejtësisë. Për tu zëvendësuar nga të tjerë të paaftë apo të panjohur. Dhe Edi Rama vazhdon “me gëzim të shkojë në punë”!
Prandaj vendi ka nevojë urgjente sot për një opozitë shpresëndjellëse. E cila sikur asgjë të mos bëjë, mjafton që ta vërë në pozita pune qeverinë e tashme. Por, siç thamë, një kufomë i ka zënë rrugën PD-së. Edhe Shqipërisë. Kufoma e Sali Berishës.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment