Tensioni politik në Turqi është rritur ndjeshëm që kur opozita turke shpalli më 6 mars kandidatin e saj për zgjedhjet legjislative që do të mbahen në Turqi më 14 maj. Duke qënë në një zonë të trazuar gjeo-politike, ndërmjet Lindjes së Mesme, Europës Juglindore, në kufi me Iranin dhe zotëruese e dy ngushticave me rëndësi strategjike, si ajo e Dardaneleve dhe e Marmarasë, këto zgjedhje do ndiqen me interes të veçantë nga Uashingtoni deri në Bruksel, Tel Aviv, Paris, Pekin, Teheran, Athinë, Moskë etj. etj. Sepse Turqia është kthyer sot në një lojtar me peshë në përplasjet politiko – ushtarake në rajon e më gjërë. Kjo ka ngjarë sidomos gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, që kur vendi drejtohet me dorë të hekurt nga presidenti i tashëm Rexhep Taip Erdogan.
Sipas shumë analistëve dhe komentatorëve politikë ndërkombëtarë Turqia e udhëhequr nga Erdogani u ka shkaktuar vitet e fundit dhimbje koke të mëdha si Uashingtonit, por po aq edhe Izraelit dhe më tej. Që kur ajo fillojë të luajë për “vete”. Që do të thotë që vuri interest e saj para interesave të fuqive perëndimore apo lindore qofshin. Dhe kjo në një kohë kur Turqia vazhdon të jetë një shtyllë me rëndësi në gjirin e NATO-s, ku ajo bën pjesë që nga fillimi i saj.
Marrëdhëniet e Turqisë me Aleancën Atlantike morën një të krisur të fortë që kur Erdogani, megjithë kundërshtimet e Uashingtonit, bleu sistemin rus të mbrojtjes raketore. Uashingtoni u zëmërua kaq shumë nga ky veprim saqë ia ndaloi Ankarasë blerjen e avionëve të saj strategjikë F-16, siç ishte rënë dakort më parë. Edhe në konfliktin Rusi – Ukrainë, Ankaraja sillet si një lojtar i pavarur. Ajo mban marrëdhënie të mira si me Moskën, por po aq edhe me Kievin. Madje ajo e ka furnizuar Ukrainën edhe me dronët e saj të sofistikuar, « Bajrraktar ». Duke ruajtur njëkohësisht lidhje të afërta edhe me Vladimir Putinin !
Erdogani në botën perëndimore konsiderohet sot si një autokrat autoritar i ngjashëm me ish presidentët e SHBA-së dhe Brazilit, Trump dhe Bolsonaro, apo si Viktor Orbani në Hungari. Prandaj një ndryshim regjimi në Ankara do të ishte, me shumë gjasa, një ofshamë lehtësimi për shumë kryeqytete perëndimore. Aq më shumë që kësaj rradhe Erdogani do të ketë përballë një kandidat sa karizimatik, aq edhe të veçantë. Është fjala për kryetarin e partisë social-demokrate turke (CHP) Qemal Kiliçdaroglu, i cili është vënë në krye të një aleance opozitare prej 6 partish që fillojnë nga e majta deri te e djathta.
Menjëherë pas zgjedhjes së tij si kryetar i ri i opozitës, 74 vjeçari Kiliçdaroglu deklaroi se ai do të rivendosë në vend ligjin dhe drejtësinë. « Ne do ta udhëheqim Turqinë duke u bazuar te dialogu dhe kompromisi », bëri të ditur ai. Një kritikë kjo e hapur ndaj kundërshtarit të tij politik, i cili njihet si udhëheqës autoritar i dorës së fortë.
Por ajo që të tërheq më shumë vëmendjen ka të bëjë me origjinën fetare të udhëheqësit të opozitës turke. Kohë më parë ai ka pohuar se i takon ritit fetar alevian/bektashi. Kjo përbën diçka të paparë dhe të pangjarë deri më sot në Turqi, e cila është drejtuar gjithmonë nga udhëheqës të ritit sunit.
Siç dihet sekti alevi bektashi është një degëzim i shitëve, i krijuar pas ndarjes së madhe dhe të përgjakshme me sunitët arabo/turk. Ky sekt herë thirret alevi dhe herë bektashi. Themeluesi i këtij riti është Haxhi Bektash Veliu, prejardhja e të cilit shkon deri tek imami i 5-të pas Muhametit.
Vikipedia shkruan se respekti për Zotin dhe frika prej tij, dashuria për mbarë njerëzimin është thelbi (quint-esenca) e alevizmit bektashian, që beson në krijimin e Njeriut nga Zoti dhe në pavdekësinë e tij. Por për të arritur këtë pavdekësi shpirti i njeriut duhet të dalë nga lëvozhga trupore nëpërmjet veprave të mira të kryera që në gjallesë, që do i mundësojnë shpirtit arritjen e të Vërtetës Hyjnore dhe shndërrimin e tij në Insami Kamil, ose Njeri i Përsosur! Te një nga suratet e njohuara të bektashizmit pohohet se : « Njeriu gjendet në të Vërtetën e Zotit, dhe e Vërteta e Zotit gjendet tek Njeriu » !
Vitet e fundit, sidomos pas përhapjes së terrorizmit islamik, nëpërmjet organizatave Al Qaida dhe Daesh, vërehet një ringjallje e interesimit të botës perëndimore ndaj këtij sekti që ndryshon kaq shumë sa nga radikalizmi sunit, por po aq edhe nga shitët konservatorë. Bektashizmin ata po e konsiderojnë sot si një urë që lidh krishtërimin me botën myslimane. Ky është një myslimanizëm “cool” shkruante kohë më parë e përjavshmja “Slate”.
Perëndimi ka filluar vërtet të çuditet se si ekzistoka edhe një rrymë myslimane ku gratë nuk detyrohen të mbajnë ferexhe, ku ato luten së bashku me burrat, të cilët mund të pijnë edhe pije alkolike dhe të këndojnë dhe vallëzojnë, në një kohë që këto praktika janë të ndaluara në fenë sunite.
Njëlloj si në fenë e krishterë që i falet trinitisë së shenjtë: Zotit, Krishtit dhe Shën Mërisë, edhe bektashinjtë kanë trinitinë e tyre të shenjtë e përbërë nga Allahu, Muhameti dhe pasuesi i profetit, Aliu.
Madje edhe organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, duket se është e mrekulluar nga sekti bektashi. Sidomos nga deklaratat e themeluesit të saj, Haxhi Bektash Veliu. “Predikimet e filozofit të shekullit të 13 përmbajnë një mesazh që tetë shekuj më pas u përputhën me Deklarën Universale të të Drejtave të Njeriut aprovuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948” – vë vë në dukje me çudi organizata e Kombeve të Bashkuar për arsimin, shkencën dhe kulturën. Kjo habi është shkaktuar nga pohimi i Haxhi Bektash Veliut se “nuk ekziston asnjë dallim dhe ndarje në përballjet femër/mashkull” !
Ndërsa për botën, sidomos atë të krishterë, bektashizmi po përbën një risi dhe mrekulli, për shqiptarët ai është thjesht një nga katër besimet fetare që jetojnë në harmoni të plotë me njëri tjetrin. Jo më kot Kryegjyshata Botërore e Bektashizmit gjendet në Tiranë.
Me rëndësi është tashmë të shihet sesi do e presin turqit e thjeshtë emërimin në krye të opozitës të një përfaqësuesi të një sekti jo sunit. Sipas të dhënave zyrtare bektashinjtë alevitë përbëjnë atje nga 15 deri 20 përqind të popullsisë. Megjithatë ata nuk njihen si sekt fetar dhe nuk gëzojnë asnjë mbrojtje nga shteti, që kur më 1923 Qemal Ataturku i përndoqi, i masakroi dhe i përzuri një pjesë të madhe të tyre. Sot bektashinjtë alevitë jetojnë të shpërndarë në 31 shtete të botës.
Nga Viron Gjymshana
.

Lini një koment