Ndërkohë që gjithë vëmendja e opinionit botëror është drejtuar në konfliktin Ukrainë, Nato – Rusi një luftë e heshtur për lidershipin botëror po luhet nën rrogoz edhe ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deri më tani kjo duket si një luftë e heshtur, ku zhurma e topave dhe mortajave, nuk po ndihet ende. Por sipas shumë specialistëve të çështjeve ndërkombëtare, një luftë e vërtetë Kinë – SHBA do të jetë e pashmangshme deri në fundin e dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Kina duket se pa zhurmë dhe pa bujë po punon në këtë drejtim dhe po përpiqet ta kalojë Amerikën në të gjitha fushat. Sidomos në ato ekonomike, shkencore dhe ushtarake. Sipas po këtyre specialistëve Kina sot po ndërton dhe po hedh në det çdo vit një fllotë ushtarake detare e barabartë me atë që Franca zotëron sot!
Për shqiptarët, që kanë jetuar kohën e monizmit, kur marrëdhëniet “vëllazërore” ndërmjet Kinës së Mao Ce Dun-it dhe Shqipërisë së Enver Hoxhës kishin arritur kulmin, ky zhvillim dhe përparim i mahnitshëm i Kinës është i vështirë të kuptohet.
Gjithçka filloi të ndryshojë 45 vjet më parë, pothuajse pikërisht atëhere kur dogmatiku Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet me Pekinin pas afrimit të saj me Uashingtonin. Ashtu siç kishte bërë afro 20 vjet më parë edhe me Moskën e Hrushovit.
Por “hapja” e Kinës, futja e ligjeve të ekonomisë së tregut në ekonominë e qendërsuar dhe sklerotizuar të saj ia ndryshoi pamjen Kinës. Dhe më shumë banorëve të saj, niveli i jetesës së të cilëve është rritur sipas shumë anketimave nga 30 deri 50 herë!
E pra ishte një kohë kur Shqipëria ishte për kinezët “parajsa” mbi tokë. Me mijëra specialistë kinezë punonin në atë kohë në ndërtimin e të gjitha objekteve industriale në vendin tonë, duke përfshirë këtu fabrikën e Azotit në Fier, Superfosfatin në Laç, uzinën e autraktorëve në Tiranë, pa përmendur këtu “Lumëverdhat” e famshme që transportonin në lumin Drin turbinat gjigande të hidrocentraleve të Fierzës, Komanit etj.
Kur vinin në Shqipëri kinezët e asaj kohe ishin pothuajse të gjithë të dobët, të paushqyer, por kur largoheshin nga vendi ynë dukeshin si derra të mirëmbajtur me kujdes. Për ta regjimi kishte ngritur deri edhe menca të posaçme ku nuk mungonte asgjë.
Ishte udhëheqësi i ri, modern, largpamës dhe pragmatik i Kinës, Ten Hsiao Pini, që iu largua dogmave të komunizmit kur deklaroi se nuk ka rëndësi nëse macet janë të bardha apo të zeza. Me rëndësi është që ato të kapin minj. Ishte po i njëjti, që kur u takua asokohe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pyeti gjasme i çuditur: “Përse ndërmarrjet tuaja nuk vijnë të prodhojnë mallrat e tyre te ne?! Te ne rrogat janë nga 10 deri 50 herë më të ulëta se te ju?! ». Kaq u desh dhe mijëra uzina dhe fabrika perëndimore u shpërngulën nga Amerika dhe Europa drejt Kinës. Kështu lindi edhe globalizmi. Por globalizëm me një kah. Nga i cili fitoi marramendshëm veçse Kina.
Industrialistët perëndimore filluan t’i prodhonin mallrat e tyre në Kinë me një kosto disa herë më të ulëta sesa në vendet e tyre të origjinës, ku ishin të detyruar t’i paguanin punëtorët mbi 1 000 euro në muaj, nga më pak se 100 euro sa paguanin në Kinë! Duke marrë me vete, vetkuptohet, edhe teknologjinë e tyre. Po pikërisht këtu « pikonte » tavani. Që të hapnin filialet e tyre në Kinë këto kompani të huaja ishin të detyruara të lidheshin dhe të bashkëpunonin me kompanitë vendase. Ishte shumë e lehtë pastaj për këto të fundit që të kopjonin dhe përvetësonin teknologjinë super të përparuar perëndimore.
Politika e kopjimit të teknologjive të huaja ishte një teknikë e vjetër e Kinës. Që në vitet 1970 në Shqipëri ishte hapur fjala se studentët kinezë që studionin në te ne e kishin mbaruar të gjithë një herë universitetin në vendin e tyre. Që atëhere dhe deri më sot kinezët ndjekin të njëjtën praktikë në programet e shkëmbimit të studentëve me vendet perëndimore. Studentët e tyre janë universitarë që e kanë kryer një herë universitetin në vendin e tyre. Në vendin pritës ata nuk mjaftohen veçse me marrjen e diplomave, por sidomos me kopjimin dhe spiunimin e teknologjive perëndimore. Mania për fitime marramëndëse i bëri perëndimorët që të tregoheshin tejet syleshë ndaj synimeve të Kinës.
Sot kohët kanë ndryshuar. Në shumë fusha Kina po ia kalon Amerikës. Tani pothuajse ajo nuk ka më nevojë të kopjojë teknologjinë e kësaj të fundit, që sidoqoftë nuk mungon ta bëjë. Por falë disiplinës dhe punës së palodhur të studentëve dhe shkencëtarëve të saj të talentuar ajo e ka kaluar Amerikën në 37 domene teknologjike nga 44 fusha sa ekzistojnë sot. Këtë fakt e pohon edhe Austrialian Strategic Policy Institute (ASPI).
Ja edhe disa fakte dhe të dhëna si psh në fushën e superkompjutërve. Pekini ka investuar në këtë domen 8 miliardë euro veçse në fushën e superllogaritjeve si dhe në internetin kuantik. Dhe kjo është ajo që deklaron Pekini, por e vërteta mund të jetë se Kina mund të ketë investuar në këtë fushë 10 herë më tepër. Kështu psh universiteti i Shkencave dhe Teknologjisë në Hefei po rivalizon njëkohësisht me supergjigandin teknologjik Google si dhe me universitetin e famshëm amerikan të teknologjisë (MIT), Massachusset Internet Technology numëri 1 në botë në fushën e fizikës kuantike. Është pikërisht Universiteti kinez i Hefeit që ka prodhuar kompjuterin me të shpejtë kuantik në botë, Jiuzhang. Kështu psh që ndërsa një superkompjuteri klasik i nevojiten psh 2.5 miliardë vite për të zgjidhur një aksh ekuacion, Jiuzhang-ut i nevojiten veçse tri minuta! Për më shumë thuhet se ky superkompjuter kuantik është 10 miliardë herë më i fuqishëm se sa ai i Googlit që mbante rekordin në vitin 2019!
Njëkohësisht Kina premton të jetë fuqia e parë në botë edhe në vënien në jetë të teknologjisë 6G. Deri më tani Kina zë vendin e parë me teknologjinë e komunikacionit 5G, duke mbuluar me këtë teknologji 60 përqind të globit! Teknologjia 6G do i mundësojë gjigandit kinez lidhje më të shpejta ndërmjet Tokës, stratosferës dhe hapësirës. Pa harruar këtu lidhjet dhe komunikimin super te shpejtë me satelitët e saj rreth e qark globit. Sipas shoqërisë analitike Market Research Future parashikohet që deri në vitin 2040 tregu botëror i teknologjisë 6G do të sigurojë 340 miliardë dollarë të ardhura.
Kina është sot po ashtu në majë të teknologjisë së shfrytëzimit të hidrogjenit si karburant i pastër në sistemin e transportit. Treni i parë kinez tashmë në funksionim që punon me hidrogjen ka një shpejtësi prej 160 km në orë, një autonomi prej 600 kilometrash dhe mund të mbajë deri në 1 500 pasagjerë. Po ashtu në Kinë parashikohet që brenda dy viteve të ardhshëm të prodhohen 50 000 vetura me hidrogjen, që do të rivalizojnë dukshëm me veturat “Tesla” të manjatit amerikan Elon Musk. Përveç tyre në Kinë janë vënë në shfrytëzim trenat manjetikë me mbajtje në ajër si dhe ata hyperloop. Këta të fundit qarkullojnë nëpër tunele dhe tuba në vakum ku mund të arrijnë një shpejtësi deri në 1 000 km në orë.
Edhe në inxhinjeria gjenetike bën pjesë në ambiciet e Pekinit. Gjenetistët atje kanë arritur të kllonojnë një ujk stepash duke përdoruer genet e tij të lëkurës. Disa vite më parë amerkanët arritën të kllonojnë delen “Dolly”, e cila sot nuk jeton më. Shkencëtarët kinezë madje sot mburren se mund të kllonojnë macen e shtëpisë, pasi ajo ka ngordhur për 35 000 euro, qenin për 50 000 euro dhe kalin për 85 000 euro!
Edhe në konkurrencën në hapësirë Kina nuk dëshiron te ngelet prapa. Sipas disa burimeve të mirinformuara vetëm në fushën e zbulimeve dhe kërkimeve ushtarake në hapësirë në Kinë janë angazhuar 300 000 veta,dmth 18 herë më shumë sesa numri shkencëtarëve të NASA-s, organizmi amerikan i kërkimeve në hapësirë!
Duket se ambiciet e Kinës sot janë pakufishme. Ato shtrihen në të gjitha fushat dhe kanë si synim përfundimtar zëvendësimin e lidershipit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si fuqia e parë në botë. Vitit 2049, 100 vjetori i krijimit të Republikës Popullore të Kinës, është afati që drejtuesit e Partisë Komuniste të Kinës, kanë përcaktuar si datën e fundit në realizimin e këtij projekti.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment