Më në fund pas hezitimesh, zgjatjesh dhe zvarritjesh të pafundme, Gjykata e Apelit mori vendimin për ta rikthyer mbrapsht çështjen se kujt i takon realisht PD-ja, duke i hapur kështu rrugën mundësimit të përfaqësimit në zgjedhjet e 14 majit të grupimit Alibeaj & Co si përfaqësues zyrtarë dhe legalë të Partisë Demokratike.
Në vendimin e ri të trupit gjykues të përbërë nga Elona Mihali, Astrit Kalaja dhe Irida Kacerja thuhet se çështja do të rigjykohet në shkallë të parë me një trup të ri gjykues. Nga ana tjetër brenda 5 ditësh ndaj këtij vendimi mund bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ky vendim i marrë me aq shumë zor dhe përpëlitje hodhi poshtë vendimin e mëparshëm që i njihte të drejtën e vulës dhe pronësisë së PD-së grupit të “Foltores” udhëhequr nga Sali Berisha. Sepse më datë 25.03.2022, pra saktësisht një vit më parë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës me trup gjykues të përbërë nga gjyqtar Agron Zhukri kishte vendosur, siç thamë më lart, në favor të Foltores. Dhe njëkohësisht e kishte cilësuar vendimin e saj si të gdhendur në mermer dmth të paapelueshëm!
Por gjërat papritur ndryshuan. Gjyqtarët u detyruan pas muajve të tërë shtytjesh së njëpasnjëshme të vendosin se kujt i takonte vula e PD-së: grupit të Berishës apo atij të Alibeajt. Këtyre gjykatësve iu vunë të dyja këmbët në një këpucë kur kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi kumtoi se ai do të rregjistrojë deri më 6 mars si subjekt legal në zgjedhjet e ardhshme lokale të 14 majit grupin që do të njihet nga Gjykata e Apelit si pronar i ligjshëm i vulës së PD-së. Që do të thoshte se deri atë datë duhet të njihet ligjërisht se kujt i takon PD-ja.
Me shumë gjasa në këtë “zgjim” të grupit gjykues një rol të veçantë ka luajtur edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim. Siç dihet Amerika është edhe udhëheqësja dhe nxitësja e procesit të pastrimit të drejtësisë shqiptare nga “plepistët”, hajdutët dhe mit-marrësit.
Sali Berisha reagoi menjëherë pas këtij vendimi, ashtu siç ai di të reagojë: Ai tha se “vendimi i gjykatës është marrë në zyrat e kryeministrit, që sipas tij po bën çmos që të pengojë PD-në nga pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të 14 majit. Në kulmin e skandalit botëror Rama-McGonigal, Edi Rama pasi e bllokoi gjykatën për 8-9 muaj me radhë, njoftoi dje tre ditë para mbylljes së regjistrimit të forcave politike në zgjedhje vendimin, me qëllimin e vetëm bllokimin e pjesëmarrjes së PD-së në zgjedhje, përjashtimin e saj” – deklaroi S. B.
Kjo ishte edhe frika e Berishës: se mos ai ngelej jashtë procesit zgjedhor tani që duket se vula mund t’i kalojë grupimit Alibeaj.
Aq më shumë që ka zëra dhe hamëndje që pohojnë se kryeministri nuk është shumë i kënaqur nga ky vendim. Ai do të donte të kishte përballë vetes PD-në e Berishës. Të shkatërruar, të mpakur, dhe të tronditur që kur SHBA-ja e shpalli “non grata”!
Atëhere a e mori gjykata e apelit këtë vendim në pavarësi të plotë, apo nën presionin e kryeministrit apo ambasadës amerikane ?! Këtë askush nuk e di. Por mëndja të thotë se nëse ky vendim do të ishte marrë nê përputhje me dëshirat e kryeministrit, ai fare mirë mund të ishte marrë që para 6 muajsh!
Por ajo që u mësua sot është se Rama e do gjithmonë Berishën ta ketë në “krah” ose “karshi – karshi”! Prandaj ai deklaroi sot se “asnjë parti politike nuk rrezikon që të mos regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit”, referuar këtu Partisë Demokratike, e cila vijon luftën e saj të brendshme, kësaj here në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Mua nuk më rezulton se do ketë ndonjë parti që nuk do hyjë në zgjedhje. Të gjitha do hyjnë dhe do hyjnë si Çeço. Në zgjedhje nuk hyhet për njërin apo për tjetrin, por për qytetarët » deklaroi kryeministri Rama gjatë konferencës së shtypit që ai dha sot së bashku me kryeministren e Danimarkës.
Pyetja shtrohet: Përse kjo deklaratë dhe siguri e Ramës për diçka që nuk varet nga ai? Sepse çdo parti apo koalicion e vendos vetë nëse merr pjesë apo jo në zgjedhje. Dhe këtë nuk e vendos kryeministri. Dhe as nuk i detyron dot si “Çeço”! Kujt i drejtohet ky mesazh?! Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të regjistrojë sa më shpejt grupin e Berishës pa bërë shumë gili – vili nëse i ka apo jo “letrat” në rregull, apo trupit të ardhshëm gjykues që me shumë gjasa do të duhet ta rigjykojnë çështjen nëse Berisha e hedh në apel?!
Sidoqoftë diçka shihet qartë: – Rama nuk bëka dot pa Berishën.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment