Shqipëria po përkujton këto ditë dy festa të mëdha: atë kombëtare të ngritjes së Flamurit të Pavarësisë në Vlorë 110 vjet më parë dhe atë të çlirimit të vendit më 29 nëntor 1944. Ardhja në Tiranë e yllit dhe star-popit të muzikës botërore Dua Lipa-s i i dha një shije të veçantë Festës së Flamurit me organizimin e një koncerti madhështor në sheshin Skënderbeu të kryeqytetit.
Dhe siç thotë edhe një shprehje popullore: si të mirat, si të këqijat kur të vijnë hapu derën. Dhe kësaj rradhe të mirat po pasojnë njëra tjetrën. Sapo përfunduan festimet e Nëntorëve dhe në Tiranë më 6 dhjetor do të “shkulet” e gjithë Europa! Priten të vinë krerët më të lartë të Bashkimit Europian si dhe shumë presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm të vendeve të tyre anëtare. Do të jetë një festë e madhe diplomatike jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë kombin shqiptar. Sepse shqiptarët që nga koha e Skënderbeut i kanë mbajtur sytë nga Perëndimi. Rilindasit e shquar tregonin po ashtu me gisht andej nga perëndonte Dielli dhe lindëte e ardhmja e kombit. Po ashtu menjëherë pas përmbysjes të sistemit komunist shqiptarët kërkuan Europën. T’i ngjanin asaj, t’i bashkangjiteshin asaj.
Dhe tani 110 vjet pas krijimit të shtetit shqiptar është Europa që vjen në Shqipëri. Me mesazhin domethënës që Shqipëria dhe gjithë Ballkani janë dhe do jenë së shpejti edhe praktikisht pjesë e Europës së Bashkuar, pjesë e sistemit dhe qytetërimit të saj demokratik.
Gjatë historisë sonë, sa të lavdishme dhe po aq të trazuar shqiptarët janë endur politikisht pothuajse si çifuti në shkretëtirë. Pa e ditur se nga venin, në cilin port do të duheshin të ankoroheshin, kujt duhet t’i besonin ! 450 vjet pushtim turk pothuajse na tjetërsoi. Ndryshuam shumë gjëra në kulturën dhe traditat tona, në emra dhe zakone. Por në orën më të « mbrame » arritëm edhe ne më në fund të mëvetësoheshim, të ktheheshim në rrënjët tona. Që atëhere gjithë kombi shqiptar i mbajti sytë dhe shpresat nga Perëndimi.
Por tallazet e historisë dukeshin se kishin vendosur ndryshe. Kështu që për disa kohë u lidhëm, kundër të gjitha aspiratave dhe trendeve historike, me Jugosllavinë, pastaj me Rusinë dhe në fund me Kinën e largët ! Shumë herë u zhgënjyem në pritmëritë dhe naivitetin tonë, por më në fund pritja, besimi dhe shpresa fituan. Sot kemi 2 shtete shqiptare në Ballkan. Shqipëria është tashmë pjesë e NATO-s dhe kandidate serioze për tu pranuan në Bashkimin Europian. Kosova është duke ecur në të njëjtat gjurma. Tani nga Isa Boletini deri te Adem Jashari dhe gjithë ajo plejadë luftëtarësh që u sakrifikuan gjatë këtyre 100 vjetëve duke dhënë gjakun, pasurinë dhe shpirtin e tyre për mbrothësinë e kombit, sot mund të prehen në paqe. « Bac, u kry ».
Por Shqipëria ka edhe tersit e saj. Në kohën kur sapo ishin pavarësuar nga Turqia, andej nga Peqini apo Ndroqi seç na del një xhambaz dhe kërkon « Babën ». Nuk i ndahej shpirti nga pushtuesi. Një tjetër veçse për të pasur pak pushtet personal ishte gati të falte veriun dhe jugun e Shqipërisë që të mbante në zotërim vetëm pjesën nga lumi Shkumbini në atë të Matit ! Jo më kot varri i tij ruhet sot në Beograd !
Dhe siç na ka ngjarë rëndom në historinë tonë të mbushura me Hamza dhe Ballabanë edhe tani na del përpara dikush që dëshiron të na e prishë festën. Pikërisht në ditën që Tirana kthehet në “Mekën” e diplomacisë europiane, një dinosaur/kuçedër që na ka ngelur në derë që nga koha e komunizmit, dëshiron të zhvillojë një demonstratë apo protestë kundër qeverisë. Se kalendari nuk ka data të tjera të lira për të organizuar manifestime, por veçse datën kur Shqipëria më në fund do të “begeniset” nga ajka e e Europës!
Nuk ka sesi të ketë një veprim më antikombëtar sesa ky. Kemi dyshuar gjithmonë, por nuk kemi qënë kurrë të bindur deri më sot, se Esad Pasha paska lënë një pasardhës kaq besnik!
Kjo është “beteja e fundit” e një të mbyturi që kapet pas flokëve të veta. E një të përjashtuari nga “klasa” që përplas këmbët që mësuesi ta fusë prapë brenda. Sepse luftohet për diçka personale. Për t”i treguar Europës se ai nuk ka vdekur dhe është ende gjallë. Se duhet të merret parasysh edhe ai, se duhet të bisedohet edhe me atë. Se ai mbetet faktor, se ai përfaqëson diçka, popullin opozitar ! Se atë mund ta shpallësh « non grata » sa të duash, mund t’ia përplasësh derën edhe para turinjve, por ai ka prapa popullin « e tij » ! Ky është një presion që i bëhet Perëndimit. Në fakt kuçedra e komunizmit nuk e ka me Ramën, por e ka me botën perëndimore, që e ka hedhur tutje si një leckë pa vlerë. Ai tund këmbët, idhnohet e stërbetohet, por në fakt pret veçse një telefonatë. Nga ndonjë ambasadë apo strukturë perëndimore që ti lutet atij vetë që të heqë dorë nga këto marrëzira. Pasi askush nuk po denjon të merret me të. Prandaj ai po tenton me të gjitha mënyrat të përsërisë skenarin « Arvziu » të Burrit të Shtetit, si në kohën kur pasi vrau katër demonstrues të pafajshëm në bulevard, kërcënoi se do të organizonte një kundërmanifestim të fuqishëm në mes të Tiranës ! Në të vërtetë ai nuk i ka seriozisht kërcënimet e tij, ai mezi pret të tërhiqet, se është aq i djallëzuar sa ta kuptojë mërinë e shtuar të shqiptarëve karshi tij, nëse u prish edhe këtë të kremte të shënuar. Por kërkon pazar. Si dikur Esad Pasha !
A thua se dikush do ia japë këtë kënaqësi ?! Duket si shumë e vështirë. Prandaj kjo e ka bërë që të humbë çdo lloj arsyeje. Nuk më përfillni, do e shihni si do ua prish dasmën, – mallkon i mallkuari.Por të tjerët e e shohin me keqardhje dhe mëshirë. Ndërsa disa të tjerë qeshin me plakun që po roit.
Këto janë paradokset e historisë. Dikush që kishte shansin e patreguar të mbeste në analet e historisë kombëtare si një hero, por përfundon si një qen i braktisur ! Prandaj çfarëdo që të bëjë më 6 dhjetor, ai nuk shpëton dot nga njolla e turpit që historia e Shqipërisë i ka vënë në ballë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment