Padobia e bisedimeve Prishtinë – Beograd

        Ka disa ditë që po flitet me të madhe rreth bisedimeve të mbajtura në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Bisedime që siç dihet përfunduan pa asnjë rezultat.  Përfaqësuesi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Borrel, madje as nuk e fshehu pakënaqësinë e tij për dështimin e këtij raundi të ri bisedimesh në nivel të lartë. Dhe pa një e pa dy ai bëri përgjegjës kryesor për dështimin e tyre kryeministrin kosovar, Albin Kurti.

       Për më shumë pati edhe media dhe analistë politikë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, që i mbajtën ison këtij qëndrimi të përfaqësuesit të lartë të BE-së. Pa iu dridhur fare qerpiku edhe ata akuzuan Kurtin se me sjelljen e tij prej nacionalisti po i prishka marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin!

      Siç dihet shkak i këtyre “trazirave” të reja ishte vendimi i qeverisë së Kosovës për tu imponuar serbëve që jetojnë në shtetin e saj vendosjen e targave kosovare në automjetet e tyre. Vendim krejt i drejtë dhe llogjik. Si mundet që një bashkësi e tërë të mbajë targat e një shteti tjetër në territorin e një vendi sovran?! Veçse nëse brenda tyre ata nuk e konsiderojnë Kosovën si shtetin e tyre, si një vend sovran me të drejta të plota me shtetet e tjerë të rajonit dhe të botës. Dhe si për tu dhënë edhe më shumë krahê nê qëndrimin e tyre provokator,  si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni, i drejtuan thirrje të njëpasnjëshme Prishtinës që ajo ta anulonte këtë hap, (që ngrika dhe përshkallëzoka krizën në rajon!) ose më së paku ta shtyjë pa fund zbatimin e kësaj nisme!

       Duket se ka një arsye të qartë në këtë qëndrim përkëdhelës dhe dashamirës të BE-së dhe SHBA-ve ndaj Beogradit. Në këtë periudhë konflikti të armatosur dhe aq të rrezikshëm ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, Brukseli dhe Uashingtoni shihet qartë se nuk duan ta hedhin edhe më shumë Serbinë në krahët e Rusisë.

       Por qëndrimi rigoroz dhe i palëkundur I Kurtit duket se i kapi disi të papërgatitur përfaqësuesit perëndimorë. Dhe ata e shtuan trysninë ndaj udhëheqësit dardan. Edhe sepse tregimi me gisht i “fajtorit” nuk është një praktikë e zakonshme në diplomacinë europiane.

        Por edhe Kurti dukej i pezmatuar nga zhvillimi i fundit i ngjarjeve. Ai kumtoi me tu kthyer në Prishtinë se nuk ishte ftuar dhe nuk  kishte vajtur në Bruksel për të diskutuar për çështjen e targave, por për vënien në zbatim të planit franko – gjerman të zgjidhjes pëfundimtare të mosmarrëveshjeve Prishtinë – Beograd. Plan i cili parasheh njohjen reciproke të sovranitetit të Serbisë dhe Kosovës nga njeri – tjetri. Po, sipas Kurtit, kjo temë bisedimesh, ishte hequr papritur nga rendi I ditës dhe gjithë fokusi ishte drejtuar te çështja e targave!  Ndofta me kërkesën e Beogradit.

          Pasi dihet se plani franko – gjerman nuk është mirëpritur me entuziazëm në Beograd, pikërisht se ai parasheh qartë njohjen e Kosovës nga Serbia.

         Por atëhere, dhe këtu ka një “por” të fuqishëm,  Prishtina fare mirë mund të pyesë veten dhe të tjerët se përse i shërbekan Kosovës bisedimet me Serbinë ?!  Dhe këtu bie qartë në sy largpamësia e kryeministrit të Kosovës, i cili kur renditi përparësitë e qeverisë së tij të re dhe të sapoformuar nënvizoi se dialogu me Serbinë nuk bënte pjesë në prioritetet kryesore të qeverisë së tij. Një qëndrim ky që i acaroi së tepërmi përfaqësuesit perëndimorë në Prishtinë, të cilët i kërkuan haptazi  Albin Kurtit që të vendosë dialogun me Serbinë në krye të agjendës së tij politike !

       Po përse një ngulmim i tillë?! Për cilin shkak?! Kurti ka plotësisht të drejtë të thotë se ai nuk sheh asnjë interes të bisedojë me një vend i cili pohon çdo ditë se nuk e njeh dhe nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e shtetit të tij!

       Historia e dialogut Prishtinë – Beograd ka rrënjë të thella. Ajo u hodh së pari në kohën kur Havier Solana ishte përfaqësuesi i politikës së jashtme të Bashkimit europian. Ishte ai i pari që hodhi në atë kohë edhe idenë e  “standarteve para statusit”! Një reng ky për ta detyruar Prishtinën të pranonte gjithçka që i impononte Brukseli. Dhe dialogu me Serbinë ishte në krye të agjendës “standartet para statusit”! Udhëheqësit e Prishtinës të asaj kohe si Thaçi, Haradinaj, Lamaj etj  ca nga naiviteti, ca nga presioni e pranuan rrëfenjën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Aq më shumë që po në atë kohë ishte hedhur në « treg » ideja e krimeve të UÇK-së ndaj serbëve që jetonin në Kosovë. Karla del Ponte, kryeprokurore e atëhershme e Gjykatës së Hagës fliste edhe për një gjoja « shtëpi të verdhë » ku kryheshin transplantime organesh nga UÇK-ja!  Ishte koha kur drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u vringëlloheshin prangat para syve !

        Kishin ardhur kohë të tjera. Agresori kishte veshur lëkurën e qëngjit ndërsa viktima trajtohej sikur të ishte agresor. Përralla e njohur e ujkut dhe qëngjit.

       Këtu më duhet të theksoj, (me modestinë më të sinqertë) se që në atë kohë, në një shkrim të botuar në gazetën e Prishtinës  « Epoka e Re » jam shprehur publikisht  kundër nevojës dhe dobisë së bisedimeve Prishtinë – Beograd ! Këto bisedime, shkruanja ndër të tjera në atë kohë, do i shërbejnë veçse Beogradit, për të larë zgjyrën e tij para opinionit ndërkombëtar. Kosova nuk do fitojë asgjë duke nisur dialogun me kolonizatorin e saj – nënvizonja në ato rreshta.

     Por siç thashë, ca nga padija, ca se u dukej vetja se ktheheshin në politikanë të klasit botëror kur takoheshin me Solanën, udhëheqësit kosovarë ranë në çarkun e ngritur. Veprim i cili sidoqoftë nuk i shpëtoi nga prangat e Hagës !

     Ndofta ka ardhur dhe ka kaluar koha kur e gjithë kjo politikë ku Prishtina hyri verbazi duhet riparë dhe korrigjuar me themel.  Se deri më tani e fituar ka dalë vetëm Serbia. Prishtina ka qënë e detyruar të pranojë dhe nënshkruajë në Bruksel, ndër të tjera, edhe ¨traktatin e asocimit » të komunave serbe në vend. Të cilat krijojnë në fakt një shtet brenda shtetit, duke e kthyer Kosovën në një vend shumëetnik, njëlloj sikur të ishte Bosnja apo Libani ! Kur njihet botërisht se Kosova është një shtet me mbi 90 përqind të popullsisë etnikisht shqiptare. Pyetja shtrohet : çfarë ka fituar praktikisht Kosova nga këto bisedime ?!

      Një shije të keqe la në opinionin publik mbarëshqiptar edhe takimi i zhvilluar para pak vitesh në Uashington ndërmjet presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.  Ky takim u organizua nën kryesimin e presidentit të atëkohëshëm të SHBA-ve, Donald Trump.  I cili i bëri me dije botës mbarë se edhe një shtet tjetër mysliman(!), pra Kosova, njohu Izraelin dhe pranoi që ta çvendosë selinë e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem! Një fitore tjetër kjo shumë e madhe për Kosovën!

         Për fat të mirë me ardhjen e Kurtit në krye të qeverisë, politika e ngathët dhe pa dinjitet e Prishtinës ka filluar të ndryshojë. Por Kurti megjithatë duhet të tregohet më pragmatik dhe i vendosur. Dhe pa pasur frikë për ndonjë “çarje” me miqtë perëndimorë ai duhet tu deklarojë atyre se nuk sheh asnjë dobi të bisedojë me Beogradin për sa kohë që ky i fundit refuzon ta njohë vendin e tij si shtet sovran dhe të pavarur. “Tavolina”, qoftë e dialogut, qoftë e nënshkrimit të marrëveshjeve që i konvenojnë vetëm Serbisë, duhet të përmbyset.  Kurti duhet t’ua bëjë të qartë si BE-së, si SHBA-ve, se për sa kohë që nuk parashihet njohja nga ana e Beogradit e Kosovës së pavarur nuk ka asnjë dobi që të zhvillohen bisedime.

Nga Viron Gjymshana  

Lini një koment