Një kërkesë e vjetër doli përsëri në sipërfaqe. Fqinji ynë i përtej Adriatikut, në fakt “qeveria” e krahinës së Pulias në Itali, ka nevojë për ujë. Për të pirë, sigurisht, por edhe për të furnizuar industrinë dhe bujqësinë e saj. Dhe i ka hedhur sytë nga Shqipëria.
Sipas presidentit të Pulias, Michele Emiliano, si dhe krerëve të Konfindustrisë Bari-Bat, ata do të ishin të gatshëm të vinin mbi tavolinë 1 miliardë euro që do të nevojiteshin për ndërtimin përgjatë 4 vjetëve të 85 kilometrave tubacione nënujore nga Bistrica në Gjirokastër deri në brigjet italiane në Pulia.
Nuk është hera e parë që italianët ia vëjnë syrin burimeve ujore shqiptare. Flitet se një project i tillë, i furnizimit me ujë të Pulias nga Shqipëria, ishte planifikuar që në kohën e Duçes. Por nuk u realizua dot për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Edhe në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos përfaqësuesit e Pulias e përsëritën këtë kërkesë. Por nuk është e qartë se përse ajo mbeti në mes të rrugës.
Kërkesa e tanishme e palës italiane vjen në një kohë kur kriza klimatike në botë ka arritur kulmin e saj. Meteorologët parashikojnë vera me temperature të larta dhe thatësira të mëdha. Italianët, sidomos ata të jugut, Mezzogiornos së famshme, e kanë kuptuar me kohë se me sa rëndësi është për ta sigurimi i burimeve ujore për bujqësinë, blegtorinë dhe industrinë. Prandaj po i a bëjnë me sy shtetit shqiptar duke i kujtuar marrëdhëniet miqësore!
Normalisht qeveria shqiptare duhet ta studiojë me seriozitet këtë kërkesë të palës italiane. Madje me shumë kujdes. Natyrisht që do të ishte mirë që uji i lumenjve apo rezervuarëve tanë që përfundon në det të gjente treg shitjeje. Deri këtu jemi në ekonominë e tregut.
Pra nuk do të kishte asgjë të keqe që shteti shqiptar të “eksportonte” ujë në jugun e Italisë. Por problem është shumë më i thellë dhe i komplikuar se kaq. Gjthçka varet se si e kuptojnë italianët këtë “blerje” uji. Ndofta ata kërkojnë të blejnë apo marrin me koncesion për 25 apo 75 vjet burimin ujor të Bistricës dhe ndofta edhe ndonjë tjetër ! Ose do të kërkojnë që derisa të shlyejnë 1 miliard eurot e investuara ta marrin ujin falas ose me një çmim nën kosto !
Pyetja e parë që të vjen në mëndje në këtë rast është : a ka Shqipëria ujë të tepërt për të shitur ?! Personalisht unë nuk besoj dhe jam shumë dyshues që italianët të pranonin të blinin ujin tonë, siç mund të blejnë psh kromin apo bakrin. Mendoj se dëshira e tyre shtrihet përtej ujit që rrjedh. Ata me siguri do të dëshironin të ktheheshin në pronarë apo bashkëpronarë edhe të burimit ujor. Ose më e pakta ta kishin në zotërim për disa dekada. Pastaj sheh Zoti dhe bën!
Prandaj është me shumë rëndësi të ndiqet dhe vëzhgohet nga afër qëndrimi i qeverisë shqiptare. Së pari opinioni shoqëror duhet t’i kërkojë asaj të bëjë publike traktativat dhe kushtet e ndonjë projekt-marrëveshjeje të ardhshme.
Sepse shpesh herë të huajt janë përpjekur të na e shesin sapunin për djathë. Para pak javësh psh ambasadori talian në Tiranë u mburr se një industrialist nga vendi i tij do të investonte në Shqipëri për ndërtimin e një hidrocentrali. Dhe u përpoq ta shiste këtë investim si fitimprurës për Shqipërinë ! Por e vërteta është krejt ndryshe. Duke shfrytëzuar ujin e lumenjve tanë italiani do të prodhojë energji elektrike të cilën do ta shesë me çmimin që dëshiron qoftë në Itali, Shqipëri apo ndofta deri në Greqi e më tutje. Fitimi do të ishte i gjithi për italianin. Thërrimet për shqiptarët.
Ende sot e kësaj dite nuk dihet nëse ky projekt ka hyrë në fazën e ndërtim/shfrytëzimit dhe sidomos, mbi të gjitha, nuk dihet nëse investitori italian ka marrë në pronësi ose me koncesion edhe burimin e lumit dhe për sa kohë!
Sepse në Shqipëri ka 30 vjet që po vazhdon një tragjedi pa fund. Qeveritarët që kanë sunduar gjatë kësaj periudhe të ashtuquajtur demokratike, pra ku sundon populli, kanë shitur, privatizuar apo dhënë me koncesion të gjitha pasuritë dhe resurset natyrale të vendit tonë. Duke filluar nga burimet dhe rezervat e kromit, bakrit, naftës etj etj. Ato që kanë qënë pasuri publike, në duart e popullit, sot janë kthyer në pasuri private të disa oligarkëve ose multinacionaleve të huaja. Falë Berishës, Nanon, Metës dhe Ramës. Për më shumë tani po flitet se shteti shqiptar po bëhet gati t’i japë me koncesion shumëkombëshes ndërkombëtare “Shell” edhe burimet e naftës që janë zbuluar në malin e Shpiragut!
Mesa duket tani shihet se i paska ka ardhur rradha edhe burimeve ujore që të kenë të njëjtin fat! Burime dhe pasuri natyrore që kanë ekzistuar në këto troje që nga koha e dinozaurve dhe që janë pronë e popullit shqiptar tani që na kanë ardhur në krye një Ramë, Nano, Berishë apo Metë po trajtohen sikur të jenë pasuri e tyre personale! Kêto asete që i përkasin një populli të tërë i trajtojnë sikur të jenë pasuri të trashëguara nga baballarët e tyre! Dhe pa pike turpi ua dorëzojnë këto pasuri, që mund t’i bëjnë shqiptaret të jetojnë me dinjitet, individëve, oligarkëve apo pronarëve të huaj!
Si ka mundësi të ngjasë diçka e tillë?! Duhet të kuptohet dhe të dihet mirë se çdo qeveri është thjesht administratore e pasurive të vendit, dhe kurrsesi jo pronare e tyre. Prandaj kushdo qeveri qoftë nuk ka të drejtë të privatizojë, të japë me koncesion apo të shesë ujin, naftën, kromin, bakrin apo token që i takojnë një kombi të tërë. Kêtu kemi të bëjmë me tërë kuptimin e fjalës me tradhëti të lartë.
Dihet që vendet e pasura e praktikojnë rëndom një politikë të tillë. Në Afrikë psh, qeveri të korruptuara, ua kanë shitur të gjitha pasuritë e tyre shumëkombëshve të huaja, duke i lënë banorët e tyre me gisht në gojë. Ndërsa pushtetarët e tyre janë kthyer në pronarë të vilave superluksoze në kryeqytetet më të bukura të Europës!
Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet të ngjasë me pasuritë e shqiptarëve. Është diçka kundër llogjikës, arsyes dhe së drejtës. Shoqëria civile duhet të ngrihet e tëra në këmbë për të mbrojtur pasuritë e vendit. Në rast se kjo shoqëri, së bashku me organizatat joqeveritare, nuk është e paguar nga agjencitë e huaja!
Duhen sqaruar mirë disa gjëra. Ti mund ta shesësh ujin e tepërt me çmimin e tregut. Por nuk ke të drejtë të shesësh burimin e ujit. Pra burimi mbetet pronë publike, ndërsa ujin ti mund ta shesësh si mall. Nuk duhet lejuar që me ujin të ngjasë si me naftën, dmth të jepet me koncesion ose të shitet. Ujësjellësin italianët ta ndërtojnë, po deshën me shpenzimet e tyre, por qeveria shqiptare nuk duhet të implikohet në asnjë lloj marrëveshjeje 20 apo 50 vjeçare për shitjen e burimeve ujore Pulias. « Kur të kemi ujë tepër do ua shesim, kur të na duhet për vetë, nuk u japim asnjë pikë ». Ky duhet të jetë qëndrimi i qeverisë shqiptare. Nuk mund të luhet edhe me ujin si u bë me naftën, kromin, bakrin etj që iu shitën dhe po i shiten kompanive të huaja, amerikane, britanike apo italiane. Ndryshe Shqipëria do të zhbëhet përfundimisht.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment