Albinit dikush duhet t’i flasë

        Po bëhen disa javë qëkur tensioni në veri të Kosovës po rritet pa pushim. Shkaku për këtë përkeqësim të situatës ka ardhur nga vendimi i kryeministrit të saj, Albin Kurtit, për të vendosur sovranitetin e plotë të Prishtinës në gjithë territorin e vendit. Hapi I fundit në këtë drejtim ishte udhëzimi për të zëvendësuar targat serbe të automobilave në 4 komunat serbe në veri të Kosovës me ato të shtetit kosovar. Një veprim krejt i ligjshëm dhe i përligjur ky nga ana juridike dhe praktike. Askund në botë nuk lejohet që ti të vendosësh targat e një shteti tjetër në territorin e një vendi sovran.

       Por një veprim  i tillë, i arsyeshëm dhe i drejtë, ka ngjallur reagimin e ashpër të serbëve që banojnë në këto komuna. Duhet thënë dhe pranuar që serbët atje asnjëherë nuk e kanë njohur dhe pranuar faktikisht sovranitetin e Prishtinës në zonat e tyre.  Që prej 20 vjetësh ata nuk i paguajnë asnjë taksë shtetit kosovar, madje as për rrymën elektrike, ujin që konsumojnë etj etj. Edhe lidhjet telefonike kalojnë nëpërmjet prefiksit të Serbisë. Kjo statu-kuo u vendos pothuajse menjëherë pas çlirimit të Kosovës më 1999, kur forcat franceze u vendosën mbi urën e Ibrit në Mitrovicë, faktikisht kufiri që ndan Kosovën nga pjesa e epërme e saj, e banuar pothuajse tërësisht me serbë. Kjo gjendje u tolerua më pas edhe nga qeveritë e njëpasnjëshme që kanë sunduar në Prishtinë gjatë këtyre 22 vjetëve liri.

      Por Kurti duket se dashka t’i vëjë pikat mbi “i”. Që do të thotë që ai dëshiron ta shtrijë sovranitetin e Kosovës në të gjithë territorin e saj. Në një kohë tjetër ky qëndrim ndofta do të ishte përshëndetur nga të gjithë miqtë perëndimorë të Kosovës. Por sot duket se po ngjan krejt e kundërta. Jo vetëm përfaqësuesit e Bashkimit Europian, por sidomos dhe mbi të gjitha, edhe ata amerikanë, po i kërkojnë Kurtit të heqë dorë nga ky qëndrim dhe nga këto pretendime.

       Arsyeja është tejet e thjeshtë të kuptohet. Perëndimi është i zënë në një konflikt për jetë a vdekje me Rusinë për shkak të agresionit të kësaj të fundit ndaj Ukrainës. Konflikt i cili çdo moment rrezikon të përshkallëzohet, duke u shndërruar ndofta papritur  në një luftë të re botërore, dhe madje edhe bërthamore. Prandaj as Uashingtoni dhe as Brukseli në këtë moment nuk kanë nevojë për një vatër tjetër tensioni. Këtë e bëri të qartë para pak ditësh edhe ambasadori amerikan në Beograd, Kristofor Hill. Një ekspert ky i konfliktit Kosovë/ Serbi që para vitit 1999! Duke përcjellur  qëndrimin amerikan ai i kërkoi Prishtinës të hiqte dorë nga çështja e targave, së paku për një periudhë shtesë 6 – mujore. Por Kurti veçse bëri sikur u tërhoq, duke mbetur afërsisht në qëndrimet e tij të mëparshme. Dhe pikërisht këtu është dhe këtu fillon edhe problemi. Që duket se Kurti nuk e kupton ose nuk do t’ia ndijë për të.

        Europa dhe Amerika kanë sot halle të mëdha. Uashingtoni po vëren me shqetësim se po i ikën nga dora lidershipi botëror. Një kundështar I rrezikshëm po i rri ballë për ballë: – Republika Popullore e Kinës. Një vend diktatorial i udhëhequr me dorë të hekurt që nga viti 1949 nga Partia Komuniste Kineze. Europa nga ana tjetër po ka problem të mëdha me inflacionin, rritjen marramëndëse të çmimeve të mallrave të konsumit të gjërë dhe sidomos të energjisë elektrike dhe gazit. Askush sot në Perëndim nuk ka kohë dhe dëshirë të merret me problemet që Kurti po u hap. Madje Franca dhe Gjermania sapo paraqitën një plan për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Me një fjalë Perëndimi kërkon qetësi në këtë zonë të Ballkanit.

       Ndryshe krejt do të ishte puna sikur Amerika të qëndronte prapa Prishtinës dhe të përkrahte politikën e saj autoritare dhe nacionaliste. Por Kurti duket se nuk e ka kuptuar se bota sot ka ndryshuar shumë në krahasim me 20 vjet më parë. Tashmë janë në lojë interesa të mëdha ndërmjet superfuqive të sotme të globit. Askush nuk ka ndërmend të humbasë kohë të tepërt me kërkesat apo pretendimet e Kosovës. Dhe kryeministri i saj nevojitet ta kuptojë kaq pak gjë. Me emocione nacionaliste nuk shkohet larg. Aq më shumë kur je një vend i vogël dhe i pafuqishëm.

       Në këto kushte mesazhi i Perëndimit drejtuar Prishtinës është aq i qartë sa s’ka ku të vejë më : Lërini 4 komunat serbe të vetqeverisen ! Mos ndërhyni në punët e tyre! Këtë mesazh Kurti duhet ta kuptojë. Ose dikush duhet t’ia spjegojë. 4 komunat e populluara me serbë prej kohësh gjenden nën një juridiksion formal të Kosovës, por praktikisht dhe shpirtërisht ato varen nga Beogradi. Dhe Perëndimi është pajtuar me këtë gjendje. Dhe sa më shpejt që Kurti ta kuptojë këtë gjë aq më mirë do të jetë për Kosovën mbarë.  Qeveria e Prishtinës nevojitet tu njohë serbëve një lloj autonomie të gjërë. Siç ata në fakt e kanë. Udhëheqësit në Prishtinë duhet të kujdesen veçse që të mbajnë nën zotërimin e tyre minierën e Trepçes dhe Ujmanin.

       Koha po dëshmon se Merkel, Qosja, Rama dhe të tjerë patën të drejtë kur kërkuan disa vite më parë që veriu i Kosovës, pa Trepçën dhe Ujmanin, të bashkohej me Serbinë në këmbim të Luginës së Preshevës. Por nacionalistët « e çartur¨ » në të dy anët e kufirit ndërshqiptar e hodhën poshtë me zëmërim këtë projekt duke e cilësuar si tradhëti të lartë ! Ndërsa sot askush nuk po flet më për shkëmbime territoresh dhe popullsish, por po i kërkohet Prishtinës të njohë autonominë faktike të 4 komunave serbe. Formalisht ato do të vazhdojnë të jenë pjesë e territorit të Kosovës, por praktikisht ato do të jenë të lidhura me Serbinë. Ky është edhe qëndrimi i shprehur tërthorazi tashmë nga Brukseli dhe Uashingtoni. Qëndrim që duhet përkrahur dhe mbështetur edhe nga Kurti. Për të mirën e të ardhmes së Kosovës dhe stabilitetit të saj.

       Ky ndofta mund të jetë edhe një kusht që Serbia të njohë Kosovën. Ose që të mos pengojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Zotësia dhe aftësia reale e Kurtit do të ishte të ndjente ritmin  dhe trendin e politikës perëndimore. Prishtina duhet të njohë dhe pranojë të drejtën për vetqeverisje të serbëve në veri të Kosovës. Ajo duhet ta kuptojë se pa Perëndimin dhe sidomos pa mbështetjen e plotë amerikane Kosova është e humbur.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment