Megjithëse e përçarë në 100 copa dhe megjithëse ka humbur çdo lloj reputacioni dhe respekti, opozita shqiptare nuk pushon së deklamuari se ajo do ta përmbysë Ramën që muajin e ardhshëm. Por muajt po kalojnë njëri pas tjetrit dhe Ramës nuk i luan as qerpiku!
Dhe kjo ngjan kur ai po mbush 10 vjet pa ndërprerje si kryeministër. Ky qëndrim i gjatë në pushtet normalisht ka edhe kostot e tij.
Prandaj edhe sipas një sondazhi të zhvilluar dy ditë më parë nga Barometri i Euronews Albania, 56 përqind e shqiptarëve kanë shprehur një opinion negativ për të! Kaq do të ishte mjaft që ai të tronditej dhe t’i vinte gishtin kokës. Por jo. Se ai ka “asin” nën mëngë. Dhe siç është pohuar me dhjetëra herë, “fati” i Ramës ka qënë dhe mbetet opozita aktuale dhe saktësisht dy drejtuesit e saj “të pavdekshëm”, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Sipas Barometrit 71.5 përqind e shqiptarëve kanë një opinion negativ për Sali Berishën! Dhe më e “tmerrshmja” është se afro 91 përqind e të intervistuarve ( afërsisht 1 000 veta) kanë mendim negativ për Ilir Metën.
Ndryshe 40.6 përqind e të anketuarve kanë mendim pozitiv për Ramën, 26 për qind për Berishën dhe vetëm 7 përqind kanë mendim të mirë për ish presidentin Meta!
Me këto të dhëna Rama mund të flejë i qetë. Qari dhe fati i tij qënka opozita.
Por pavarësisht sondazheve këtu duket se po i biem disi në qafë pa të drejtë kryeministrit të tanishëm. Duke ia blatuar të gjitha fitoret e tij opozitës së harrakatur dhe të shpartalluar. E vërteta është se në gjithë këtë tabllo kryeministri ka meritat e tij të pamohueshme. Se atij nuk i mjafton të rrijë dhe të shikojë sesi opozita vetshpartallohet, por edhe ai vetë nuk rri indifferent, por i jep një dorë në këtë drejtim!
Duhet njohur dhe pranuar se Rama nuk është aq i leshtë sa ka qef të duket. Madje ai është shumë makiavelist. Si një ish sportist ai duket se ka mësuar të luajë edhe më shumë se me dy porta dhe po ashtu të bëjë « kosha » kur i duhet.
Dhe kryesorja e kryesoreve është se opozita nuk ka se ku ta sulmojë. Si në fushën politike, atë ideologjike, ekonomike apo sociale Rama bën ligjin. Në të gjitha këto plane ai është 2 apo 3 lëvizje përpara kundërshtarëve të tij. Së pari, dhe kjo nuk është më pak e rëndësishmja, ai gëzon një reputacion të paparë në politikën ndërkombëtare. E mban mirë politikën me Vuçiçin, është mik me Erdoganin, mban marrëdhënie po aq të mira me presidenti francez Macron dhe deri para pak javësh edhe me atë britanik, Boris Xhonson. Por marrëdhëniet më të përzemërta duket se ai i ka ruajtur për Amerikën. Me ambasadoren në Tiranë të mikut të fuqishëm të përtej Atlantikut Rama merret vesh në “ajër”.
Edhe në fushën e politikës së brendshme ai ka po aq sukses. Së pari ia arriti që Partinë Socialiste, nga një parti të majtë, e lidhur historikisht dhe shpirtërisht me Luftën Nacionalçlirimtare, ta shndërrojë në një parti pa asnjë lloj programi të majtë. Madje pak kohë më parë ai pohoi me mburrje se Partia Socialiste nuk është më sot një parti ideologjike. Që do të thotë se ajo nuk është më një parti e majtë e masave popullore. Dhe kjo pothuajse pa ndeshur asnjë lloj rezistence qoftë në kryesinë e partisë, qoftë në bazën e saj!
I sigurt në karizmin e tij, ai madje arrin deri edhe t’i provokojë të majtët e vërtetë pa i hyrë gjemb në këmbë. Kështu psh ai arriti t’i bëjë nderime pothuajse shtetërore Mit’hat Frashërit, ish udhëheqësit të Ballit Kombëtar dhe armikut të vendosur të Nacionalçlirimtares. Ky veprim shkaktoi habi, mëri dhe mllef në gjirin e shumë socialistëve. Por edhe ai, me intuitën që nuk i mungon, e ndjeu këtë rrezik dhe me zhdërvjelltësi dhe zgjuarsi, mu në prag të zgjedhjeve të fundit, afroi pranë Partisë Socialiste një inxhinjere të vjetër dhe të respektuar, Luljeta Bozon, madje e lejoi këtë të fundit të pohonte para mediave se koha e shkuar, pra ajo e Enverit, kishte më shumë të mira se të këqija ! Socialistët u tulatën përsëri dhe u bindën të votojnë edhe një herë tjetër djalin e Anetës, mbesës së Spiro Kolekës!
Opozitarët janë kështu në një pozitë tejet të vështirë. Ata nuk kanë ku ta kapin dhe ta akuzojnë Ramën. Ai kur i duhet është edhe më i djathtë se të djathtët dhe më i majtë se të majtët !
Edhe në fushën ekonomike ai ndjek një politikë të dyzuar. Që kur mori pushtetin ai u kujdes për të bërë për vete të gjithë oligarkët që deri disa vite më parë betoheshin vetëm për kokën e Berishës. Dhe njëlloj si Berisha dhe Meta as ai nuk ndryshoi as edhe një grimë politikën e tij ndaj koncesionarëve apo « investitorëve » të huaj që mbushin xhepat pa i dhënë asgjë shtetit shqiptar !
Dhe krejt ndryshe nga sa e ka pasur për traditë e majta shqiptare edhe në fushën sociale dhe morale Rama i ka lënë në « bisht » kundërshtarët e tij. Ishte ai që së bashku me gruan vrapuan për të përuruar një palo libër me emrin vaginal « Vrima » ! Rama po ashtu nuk e ka fare problem të tregohet tejet i afërt me grupet LGBTQ+ për të drejtat e të cilëve Perëndimi tregohet shumë i ndjeshëm.
Me të gjitha këto qëndrime sa kontradiktore aq edhe oportuniste, për kundërshtarët e tij është shumë e vështirë të gjejnë ndonjë të « çarë » për ta sulmuar ose ndonjë vegjë për tu mbajtur.
Sepse ai është edhe i majtë, edhe i djathtë, dhe edhe i qëndrës. Edhe socialist, edhe rilindas ! Po ashtu në ekonomi është pro oligarkëve, pro privatizimeve, pro koncesioneve, por njëkohësisht hiqet sikur mendon edhe për shtresat në nevojë!
Opozita, edhe sikur të mos ishte kjo që është, do ta kishte shumë të vështirë ta rrëzonte ndonjë ditë nga pushteti, sepse ai nuk i ka lënë asaj asnjë katror të lirë në tabelën politike të shahut. Prandaj edhe të gjitha përbetimet dhe mallkimet e saj shërbejnë si pilula për të mbajtur gjallë të angazhuar militantët e saj. Para një rotacioni që duket se do të jetë ende i largët.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment