Sot, e hënë 3 tetor, disa nga mediat shqiptare treguan dikë që fillikat i vetëm kishte dalë në bulevardin e madh të Tiranës me një pankartë ku shkruhej : « Si e katandisët kështu Shqipërinë, si kaposhi një thelë. O elitarë të dhjerë » ! Nuk ka asnjë dyshim se këtu kemi të bëjmë me një ofshamë që del nga shpirti i dikuj të cilit i dhimbset Atdheu i tij. Megjithatë, dhe pavarësisht respektit për këtë qytetar, duket se atij i ka dalë « gjumi » disi tepër vonë. Shqipëria nuk u shkatërrua tani, as vetëm këto 10 vitet e fundit. Gjëma vendit tonë iu bë gjatë viteve 1991 – 1997! Atëhere u përmbys dhe u hodh gjithçka përtokë.
Ishte pikërisht në atë periudhë që shteti u zëvendësua nga xhungla. Ku nuk kishte më ligj, përveç atij të më të fortit! 1997 ishte “kapaku” i kësaj përmbysjeje të llahtarshme, por që nisi që me fillimet e demokracisë.
Kishte kohë tashmë që oxhaqet e uzinave dhe fabrikave nuk nxirrnin më tym. Tezgjahet kishin rënë në qetësi. Minatorët bënin greva, pa e kuptuar se përse! Askush nuk punonte. Të gjithë merreshin me politikë! Kishte shpresë për shumë më mirë. Aq sa as një njeri normal në atë kohë nuk mund të parashikonte se demokracia në Shqipëri do të përfundonte me një shkatërrim kaq total të vendit.
E vërteta ishte se 32 vjet më parë të gjithë kërkonin ndryshim. Kërkonin liri, qoftë për të shprehur një mendim, qoftë për tu larguar jashtë vendit. Njerëzit nuk duronin dot më të komandoheshin nga një parti e vetme. Për më shumë e atrofizuar deri në palcë. Por edhe atje “lart” disa e kishin kuptuar me kohë që nuk mund të vazhdohej si më parë. Duheshin bërë reforma. Thika kishte vajtur deri në palcë. Për një litër qumësht duhej të ngriheshe që në 3 të mëngjesit që ta blinje, po të kishe edhe pak fat! Një metër stof për pantallona kushtonte nga 1 600 deri në 2 000 lekë të vjetra. Në një kohë kur paga mesatare në Tiranën e privilegjuar të asaj kohe llogaritej në 5 400 lekë në muaj!
Në atë kohë kam qënë dëshmitar i privilegjuar i atyre ngjarjeve. Punoja prej 10 vitesh te gazeta “Zëri I Popullit” dhe i ndjenja tallazet që vinin nga lart e nga poshtë. Lëvizja studentore nuk kishte nisur akoma. Por atmosfera “ziente”. Pikërisht në atë kohë na vijnë në zyrë 3 a 4 studentë. Nuk e di nga kush ishin udhëzuar. Por më kujtohen si tani fjalët e tyre, që shprehinin sa një lloj shprese, aq edhe frike. “Mos doni që të derdhet gjak”?! – ishte kryefjala e tyre. Unë me Arshinin, Arshin Rexhën, mikun tim të dikurshëm dhe të sotëm dhe kolegun e zyrës, pamë në sy njëri –tjetrin. Pak ditë më vonë nisën protestat e studentëve.
Siç thashë ishte koha e shpresës. Gjithçka ishte rrëmujë dhe kaos. Por kishte mbetur shpresa. Si në “Kutinë e Pandorës”! Por edhe « djalli » kishte dalë nga shishja dhe dukej se atë nuk mund ta fuste dot më askush brenda.
Ndihej se “dallga” vinte që nga lart. Pakënaqësia kishte kaplluar edhe shtresat e pivilegjuara, duke filluar nga vetë Ramiz Alia, që hidhte gurin dhe fshihte dorën. Por edhe te Ylli Popa, Kadareja, Qosja, Agolli, Berisha, Xheli Gjoni, Pashko etj etj. Dikush mund të habitet që në rradhën e figurave që kërkonin ndryshime rrënjësore kam rreshtuar edhe Berishën. Por është thjesht e vërtetë se në atë kohë ai ishte njëri nga intelektualët e spikatur që kërkonte reforma. Por ecte i kujdesur. Duke mbajtur gjithmonë teserën e Partisë së Punës në xhep. Këto figura gjetën një mbështetje dhe jehonë të madhe në rradhët e intelektualëve të njohur të kohës. Deri në Komitetin Qëndror të PPSH-së.
Në qarqet intelektuale të vendit, deri në Klubin e Gazetarëve diskutohej me afsh e pathos rruga që duhej të ndiqej. Dikush ishte për një “thyerrje” të plotë me të shkuarën. Dikush tjetër propozonte të cej ngadalë dhe me kujdes.
Nuk e di mirë se përse, por më kujtohet një bisedë që patëm me kolegun tonë atë kohë, Thoma Gëllçin. Filluam të diskutonim pikërisht se si duhej ecur drejt demokracisë dhe ekonomisë ê tregut. Bashkë me kolegun, Arshinin, anonim nga një përmbysje dhe ndarje e plotë me të kaluarën. Mbaj mend se Thomai u nxeh. “Ky sistem duhet përmirësuar dhe jo përmbysur”, – na u drejtua ai neve para se të largohej i zëmëruar duke përplasur derën e zyrës. Atë kohë qesha me qëndrimin e tij, por sot i jap të drejtë.
Nuk duhej përmbysur gjithçka. Por duhej marrë dhe vënë në jetë më e mira e të dy sistemeve. Nuk kishte asnjë arsye të shisnje pasuritë kombëtare, të privatizonje pronën publike, të shkatërronje në emêr të “çekut të bardhë” gjithçka ishte ndërtuar gjatë atyre 45 vjetëve me djersë, gjak dhe lot.
Megjithatë këto “çikërrima” harroheshin shpejt. Kishte ardhur koha e demonstratave të gëzuara dhe shpresdhënëse te Qyteti Studenti. Intelektualët dhe studentët nuk mund t’i ndanje më nga njëri tjetri. Me këta të fundit ishin bashkuar edhe profesorët e tyre të universitetit.
Por papritur “qielli” u ngrys. Ishte koha e rënies së bustit të Enver Hoxhës, 20 shkurt 1991. Tani nuk flitej më për reforma, por për përmbysje. Skenari i rënies së bustit ishte marrë vesh që më parë. Një pjesë e popullsisë së Tiranës ishin mbledhur në shesh. Policët vinin vërdallë pa e marrë vesh se çfarë duhej të bënin. Dikush nga ne, që po ndiqnim ngjarjen, iu drejtua shefit të forcave policore që vinte rrotull me një shkop gome në dorë, të cilin dukej se nuk dinte ku ta fuste.”Hej çfarë bëhet kështu” ?! Siç duket shefi i policisë duhet ta njihte ndonjërin nga ne se na u drejtua menjëherë me një farë egërsie:”Pse mos kujtoni ju se do të vras njerëz unë për të mbrojtur Dullën” – ishte reagimi i tij. Ndërkohë përmendores i ishte hedhur kavoja dhe Enveri kishte rënë përtokë!
Por më e paparashikuara ngjau një ditë më pas. U mor vesh se oficerët e Shkollës së Bashkuar ishin tërbuar nga rrëzimi i përmendores dhe kishin vendosur që ta zëvendësonin bustin e rrëzuar të “Komandantit” me bustin që kishin në shkollë. Duke qënë se banonja pikërisht përballë ish – “Shkollës së Bashkuar” u bëra pa dashje dëshmitar i atyre orëve të nxehta. Lagjia ku banonja unë, dhe sidomos pjesa që afrohej me Alliasin, njihej si lagje problematike nga autoritetet e kohës. Aty pashë se tashmë stafetën e kishte marrë llumi. Çfarë qenë dhe nuk qenë nga rrugaçët, hajdutët, ish të burgosur ordinerë dhe gangot e Tiranës u grumbulluan para shkollës ushtarake. Turma kishte përdredhur disa herë një kavo përqark shtyllave elektrike për të parandaluar daljen e automjeteve me bustin e Enver Hoxhës sipër. Pllakat e trotuarve ishin shkulur me qëllim që të godisnin forcat e Shkollës së Bashkuar. Atë natë më kapi syri edhe dikë që punonte si berber aty pranë. Flitej se kishte bërë burg pasi kishte përdhunuar një të mitur! Ishte në krye të turmës i “armatosur” me plloça dhe gurë të rëndë! Ndjeva një lloj zhgënjimi dhe trishtimi në shpirt. Nga ajka e kombit, kishim zbritur te llumi i tij.
Ishte pikërisht ky llum që pastaj kërkoi haraçin e tij. Ata ishin transformuar tashmë në garantë të pushtetit të ri, sidomos në raste votimesh. Ishte pikërisht atëhere që edhe pasuria e përbashkët u nda. U shpërblyen ata që i shërbyen rendit të ri. Atëhere u hodhën edhe filizat e para të lindjes dhe formimit të klasës së oligarkëve që sundon edhe sot. Çuditërisht kur kujtoj këto ngjarje më vjen ndërmend edhe fjala e mënçur amerikane, që ngërthen mirë këto ngjarje:”Dikur i thërrisnin banditë, sot i quajnë biznesmenë”!
Kështu flasin amerikanët, por ai tipi më sipër, që ka dalë me pankartë, e thotë pak më ndryshe: « Si e katandisët kështu Shqipërinë, si kaposhi një thelë. O elitarë të dhjerë » !
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment