Para një lufte të III-të botërore, a nuk është më mirë që Putini të përfundojë si Hitleri?

        Askush nuk vë dot bast sot se si do të përfundojë konflikti Rusi – Ukrainë. Të dy palët përbetohen se e do e fitojnë këtë luftë. Madje edhe analistë dhe ekspertë të njohur të situatave dhe konflikteve ndërkombëtare ngrenë supet dhe nuk janë më të sigurt në pohimet apo dyshimet e tyre.

       Ndryshe mediat perëndimore po vëjnë në dukje gjithmonë e më me bindje fitoret e arritura muajt e fundit nga forcat ukrainase, që duket se arritën të çlirojnë sot dhe  qytetin e Limanit, që mbahej që prej 26 majit prej forcave ruse. Përveç kësaj, ushtria ukrainase duket se ka korrur edhe disa fitore të tjera taktike edhe në disa rajone që mbaheshin deri më tani të pushtuara nga Rusia.

       Duket sikur po gjendemi para një kthese me rëndësi në fushën ushtarake.  Forcat ukrainase tashmë jo vetëm që po rezistojnë në mënyrë heroike, por po ndërmarrin edhe kundërsulme efikase që po trondisin deri edhe themelet e Kremlinit! Kuptohet lehtë se pas këtyre sulmeve ngadhnjimtare ukrainase dhe përmbysjes së « tabllosë » një rol vendimtar dhe të pamatë po luan edhe Perëndimi me arsenalin e tij të pafund të armatimeve.

        Sipas disa burimeve të mirinformuara, sot vetëm mbi pjesën e pushtuar të Ukrainës gjenden më shumë se 46 satelitë ushtarakë amerikanë. Këto mjete të supersofistikuara mbledhin gjithafarësoj informatash rreth lëvizjes së trupave ruse, të cilat ato ia përcjellin më pas ushtrisë ukrainase. Dhe këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me lëvizje të trupave, si psh çvendosjet e tankeve apo artilerisë nga njëri operacion lufte në tjetrin, por deri edhe në zbulimin e vendndodhjes së ushtarakëve të lartë të ushtrisë pushtuese. Kështu spjegohet nxjerrja jashtë luftimi të më shumë se 200 tankeve ruse dhe vrasja me raketë apo me dronë e shumë gjeneralëve dhe kolonelëve rusë.

       Pak më parë edhe ish sekretari  amerikan i shtetit Henri Kizinger pohoi se Rusia po e humbet luftën. Një fllad shprese po fryn tash edhe në Europë. Shihet se ndihmat financiare dhe ushtarake perëndimore, që kapin shifrën e afro 100 miliardë dollarëve, po e bëjnë punën e tyre. Tani është Ukraina që po sulmon dhe Rusia që po mbrohet.

       Kjo situatë e paparashikuar nga Kremlini ka shokuar dhe tronditur deri edhe analistët rusë, të cilët në daljet e tyre televizive, çdo ditë e më shumë nuk po ngurrojnë të përmendin dhe të bëjnë thirrje deri edhe për përdorimin e armëve taktike bërthamore si “çelësi” që do i ndryshoi rrjedhën betejës.

        I ndodhur para kësaj situate tejet të padëshiruar, presidenti rus Putin, organizoi të premten më 30 shtator një tubim të jashtëzakonshëm në Sheshin e Kuq në Moskë, ku kishte ftuar parinë e vendit si dhe disa mijëra përkrahës dhe brohoritës të tij.

         Në fjalën e tij cari i ri i Rusisë u mor shumë me luftën dhe pak me Ukrainën! Gjithë shigjetat e tij helmuese ai i drejtoi kundër Perëndimit. “Jemi në luftë me mbarë NATO-n dhe Perëndimin, por këtë betejë do ta fitojmë” – iu drejtua ai mbështetësve të tij.

        Megjithëse nuk e pohoi hapur ai e cilësoi luftën e sotme si një luftë totale qytetërimesh? Sipas tij gjendemi para një përleshjeje titanësh. Nga njëra anë Oksidenti i degjeneruar dhe pervers dhe nga ana tjetër Rusia, mbrojtëse e vlerave tradicionale të familjes dhe kombit!

         A mos doni ju, iu drejtua Putini mbështetësve të tij, që edhe këtu në Rusi të mos përdorim më emrat nënë dhe baba, por prindi numër 1, prindi numër 2, prindi numër 13 dhe kështu me rradhë ?! A mos doni ju që edhe fëmijët tanë të kungohen me teorinë e shumë gjinive?! Pra që nuk ka vetëm një nënë dhe baba, një mashkull dhe një femër, por edhe lloj lloj njerëzish të tjerë të përçudnuar dhe jo normalë ?!

        Sipas shumë studiuesve dhe analistëve, ky tubim që si shkak pati aneksimin nga Rusia të 4 krahinave të pushtuara deri më tani nga Rusia, kishte si synim kryesor ngritjen e moralit të trupave të tij.

        Sepse gjithmonë e më shumë rusë po pyesin sot veten nëse ia vlente kjo luftë, pothuajse vëllavrasëse, nëse ia vlente që bijtë e tyre të mbeteshin fushave dhe gërxheve të Ukrainës, disa të vrarë dhe disa të gjymtuar për jetë?!

        Aq më shumë që sot nuk shihet më asnjë mundësi negociatash apo armëpushimi midis palëve. “Do të negociojmë me Rusinë, vetëm kur Putini nuk do të jetë më president i saj” – deklaroi 24 orë më parë presidenti ukrainas Volodomir Zelenski.

       Por pikërisht këtu rreh çekani!  Si do bëhet dhe çfarë do ngjasë nëse Putini e humbet këtë luftë ?! Ose thjesht nuk e fiton dot. Dmth që 4 krahinat e aneksuara t’i shpëtojnë pushtimit rus dhe të kthehen në gjirin e Ukrainës ?! Kjo është pyetja që mundon sot shumë strategë dhe njohës të problemeve ndërkombëtare !

      Dhe këtu ekspertët nuk parashikojnë dhe nuk parandjellin asgjë të mirë. Sipas shumë prej tyrePutini nuk mund të tërhiqet më mbrapa. Se do t’i duhej të jepte shumë llogari. Prandaj pohojnë ata ndërsa është e vërtetë se ukrainasit do të luftojnë deri në ushtarin e fundit, Putini po ashtu do të luftojë deri në fishekun e fundit !

      Po kush është ky « fisheku » i fundit?!  Me siguri jo “fisheku në pajë”! Fisheku i fundit që mund të përdorë Putini do të jetë arma atomike!

      Kjo nuk është më veçse një hipotezë, por edhe një mundësi. Atëhere njerëzimi, dhe sidomos pjesa që banon në hemisferën veriore, do të përballet me një luftë të tretë botërore. Që do të jetë pa asnjë dyshim një luftë bërthamore që do të shkaktojë me qindra miliona të vrarë! Një luftë që do të përfshijë dhe shkatërrojë në rradhë të parë Rusinë, Amerikën dhe Europën. Por ndofta edhe vende të vogla dhe pa peshë në skakierën ndërkombëtare, vetëm e vetëm se ato janë treguar shumë të zjarrta në mbrojtjen e njërës apo tjetrës palë ndërluftuese!

      Para një skenari të tillë apokaliptik ka vetëm një zgjidhje. Që Putini të përfundojë si Hitleri. Pra t’ia heqi vetes. Ose ata që janë pranë tij ta eleminojnë. Sepse ia vlen eleminimi i një njeriu të vetëm para zhdukjes së 1 miliardë njerëzve, që nuk kanë asnjë faj dhe përgjegjësi. Aq më shumë që është vetë ai shkaktari i kësaj lufte.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment