Çfarë shprehin fitoret e ekstremit të djathtë në Europë?!

       Fiks dy javë pas fitores së koalicionit të ekstremit të djathtë në Suedi,  edhe në zgjedhjet e zhvilluara të dielën në Itali fitoi partia post fashiste musoliniane e Gjiorgjia Melonit. E mbështetur dhe në koalicion me partitë “Lega” të Salvinit dhe “Forza Italia” e Berluskonit “, partia “I fratelli d’Italia” do të qeverisë tani vendin transalpin për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore.

        Tashmë po shihet qartë se në vendet e Bashkimit Europian, ato që  konsideroheshin deri më tani si disa lëvizje të veçuara, që nuk mund ta trondisnin rendin e vendosur, po kthehen pak nga pak në një lloj cunami që po vë në rrezik deri edhe themelet e Europës së Bashkuar. Sepse tashmë po kthehet në një praktikë të rrezikshme forcimi dhe fitorja e partive të ekstremit të djathtë, nacionaliste dhe autoritare. Që ngjajnë aq shumë me partinë e Orbanit në Hungari.

       E njëjta tendencë vihet re edhe në vëndet të tjera. Kështu psh në Spanjë ka dy vjet që është ngritur dhe forcuar partia “Vox”. Edhe në Portugalinë e paqme dhe mikpritëse kohët e fundit është formuar një parti e fuqishme nacionaliste e quajtur “Mega”. Në Greqi partia e “Agimit të Artë” u shtyp veçse me forcën e shtetit. Udhëheqësit e saj janë tashmë në burg për gjithfarëlloj akuzash. Edhe në Francën e të drejtave të njeriut, “Bashkimi Kombëtar”, (RN) u forcua shumë gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe legjislative të qershorit të kaluar. Sipas shumë analistëve nuk është fare çudi që gjatë zgjedhjeve të ardhshme edhe në këtë vend të fitojë e djathta nacionaliste e udhëhequr nga Marin Lë Pen. Madje edhe në vendin ku u organizua gjyqi i parë ndërkombëtar ndaj hierarkëve nazistë, i njohur si gjyqi i Nurembergut, janë gjallëruar forcat që kanë nostalgji për kohën e Hitlerit. Siç është psh partia AfD (Alternativa për Gjermaninë)!

      Po si spjegohet ky kthim I rrezikshëm prapa dhe forcimi i partive antidemokratike dhe nacionaliste në Europë?! Përgjigja është e thjeshtë. Popujt e Evropës, sidomos ata perëndimorë, janë të lodhur, të pakënaqur dhe të zhgënjyer nga politikat që janë ndjekur këto 30 vitet e fundit në vendet e tyre.

     Ndaj kësaj pakënaqësie të shtrirë pothuajse në të gjitha shtresat e popullsisë po përfitojnë partitë ksenofobe dhe nacionaliste.Aq më shumë që të gjitha partitë e ekstremit të djathtë kanë një emërues të përbashkët: luftën kundër emigracionit dhe tjetësimit të identitetit të tyre kombëtar.

       Që pas rënies së komunizmit kapitalizmi mori një vrull të paparë. Globalizmi u shndërrua në parrullën e ditës. Lëvizje pa pengesa e njerëzve, ideve dhe mallrave anë e kënd botës. Nxitje e emigracionit masiv. Heqja e çdo barriere doganore. Shkatërrimi i çdo lloj proteksionizmi shtetëror. Këto ishin synimet e kapitalit të madh në fushën ekonomike. Por sikur të mos mjaftohej me kaq një sulm i paparë ngjau edhe në fushën sociale dhe morale.  Martesat brenda të njëjtit seks u nxitën dhe u përkrahën deri në një formë të frikshme. Po ashtu edhe i ashtuquajturi “diversitet” pothuajse u kthye në politikë zyrtare.E gjithë kjo politikë globaliste u njoh nën emrin “Shoqëria e Hapur”, teori e mbështetur nga miliarderi hungarezo/çifut Xhorxh Soros.  

       Si rrjedhojë e këtij globalizmi uzinat dhe fabrikat e ngritura në vendet e zhvilluara europiane apo amerikane u shpërngulën në vendet e ish botës së tretë, si në Kinë, Indi etj, ku nuk ekzistonin sindikatat. Ku paga e ditës së punës ishte deri 50 herë më e ulët se në vendet përparuara. Në Europën Perëndimore përparimi dhe zhvillimi u ndal. U shtua papunësia dhe pasiguria për të nesërmen. Për të mos lejuar zëmërimin e popujve si pasojë e rënies së nivelit të jetesës u gjet si rrugëzgjidhje marrja pa fund e borxheve. Të gjitha shtetet u zhytën në borxhe të dhëna”bujarisht” nga bankat private dhe fondet ndërkombëtare.      

        Po ashtu rritja marramëndëse e fluksit të emigrantëve nga vendet afrikane apo ato myslimane pak nga pak po e ndryshonte pamjen e metropoleve europianoperëndimore. Nga një shoqëri e njehsuar dhe unike po kalohej pak nga pak në shoqëri multietnike dhe shumëfetare. Vendet e Europës me histori dhe kulturë të lashtë po kërcënohen tani të shndërrohen kështu në një farë Libani apo Bosnjeje.

         Të gjitha këto ndryshime, por edhe të tjera, ngjallën shqetësim dhe frikë ndër popujt e Europës. Të cilët filluan të dëgjonin gjithnjë e më shumë sirenat e partive nacionaliste dhe ksenofobe që u premtonin atyre më shumë siguri, ndalim të emigracionit dhe marrjen e “fatit” në duart e popullit. Ruajtja e familjes tradicionale, e traditave dhe kulturës shekullore, forcimi i shtetit dhe i rolit të policisë – janë premtimet e këtyre partive që po gjejnë gjithmonë e më shumë mbështetës.

       Si pasojë partitë tradicionale social apo kristian demokrate janë duke u shpërbërë çdo ditë e më shumë. Tani lufta politike është çvendosur nga ajo ideologjike ndërmjet të majtës dhe së djathtës në atë pragmatike ndërmjet globalistëve dhe nacionalistëve.

       Por ky trend i ri nuk parasheh asgjë të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kështu psh Italia nuk do të jetë më “avokati” i Shqipërisë për futjen e saj në BE. Ndaj shqiptarëve pa letra apo atyre që kryejnë shkelje të ligjit do të ndiqet një politikë e ashpër në dëbimin e tyre nga vendi pritës. Do të ashpërsohet po ashtu politika ndaj myslimanëve apo atyre që do tentojnë të futen ilegalisht në Itali.

      Bota po ndryshon me shpejtësi dhe në mënyrë të rrezikshme. Konflikti Rusi – Ukrainë rrezikon të shtrihet dhe përhapet edhe në vende të tjera duke ndjellur kështu mundësinë e  një lufte të tretë botërore. Njëlloj si më 1939 kur Hitleri sulmoi Poloninë nën pretekstin se minoriteti gjerman atje po keqtrajtohej, edhe Putini sulmoi më 24 shkurt Ukrainën gjoja për të mbrojtur pakicën ruse në Donbas! Pra shihet se historia veçse po përsëritet. Njëlloj si në fillimshekullin e kaluar, forcat nacionaliste dhe fashiste po ringjallen edhe në këtë fillim shekulli të ri. Kohë tejet të vështira duket se po vijnë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment