Rama po e ndihmon Serbinë tani që ajo gjendet keq

    Nëqoftëse do të kishte diçka që Serbia nuk do ta kishte dëshiruar kurrë kjo do të ishte një luftë ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Por për fatin e keq të saj,  ngjau pikërisht ajo që Beogradi  e kishte aq frikë. Që nga 24 shkurti i këtij viti, dita kur Rusia filloi agresionin e saj ndaj një shteti të pavarur dhe sovran, bota u nda përsëri në dy kampe. Nga njëra anë Perëndimi dhe nga ana tjetër Rusia. Ashtu siç kishte ngjarë në fakt gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë, 1945 – 1990.

    Sepse pothuajse gjatë gjithë historisë së saj, Serbia që për një kohë ka qënë edhe « zemra » e ish Jugosllavisë, kishte luajtur me dy porta. Besnike dhe aleate e palëkundur dhe shekullore e Rusisë, ajo ishte kujdesur gjithmonë që t’ia bënte me sy edhe Perëndimit. Politika e saj e dy apo tre karrigeve arriti kulmin e saj gjatë kohës së Titos. Megjithëse shteti i asaj kohe quhej Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë, RSFJ,  Tito e mbante mirë si me Perëndimin, nga ku merrte edhe ndihma të mëdha, por duke u kujdesur po ashtu të mos prishte lidhjet strategjike me Moskën.

     Por erdhi koha që Beogradi po detyrohet të zgjedhë : ose me ne, ose me ata ! Ose me Perëndimin ose me Rusinë ! Dhe janë kryeqytetet e vendeve perëndimore tani që po i kërkojnë me forcë Beogradit që të shpallë se me kë është. Se anën e kujt mban në konfliktin, që tashmë nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por edhe midis dy civilizimeve apo dy sistemeve të kundërta. Ndërmjet sistemit liberal perëndimor dhe atij autokratik rus.

  Dhe pikërisht në kohën kur ky presion po bëhej çdo ditë e më i fuqishëm, Beogradit i vjen një ndihmë e papritur dhe e fuqishme andej nga ai mund ta shpresonte më pak në historinë e tij ! Nga qeveria e Tiranës.

    Edi Rama, që nuk i ka “pipëzat” aspak mirë me kryeministrin e Kosovës, është kthyer kohët e fundit në një lobues të zellshëm të Beogradit. Dhe këtë qëndrim nuk e mban vetëm në Tiranë, por kryesisht kur flet për mediat e huaja, si psh ato gjermane apo britanike.

   « Duhet ta kuptojmë Serbinë » – kjo është edhe kuintesenca e mesazhit të tij. Se përse Rama ndjek këtë politikë në favor të Serbisë kjo duket se është e vështirë të kuptohet. A është kjo nostalgji e mbetur që nga koha e rinisë kur ai,  si shumica e të rinjve të Tiranës së asaj kohe, ndiqte programet e radiotelevizionit të Beogradit dhe sidomos emisionet e tij si « Njedelnja Popodna » apo « Maratonski film » kjo, siç thamë, është e vështirë të thuhet. Ose ndofta është një politikë e një vizionari të paparë deri më tani në Gadishullin Ballkanik.

   Vetëm pak ditë më parë, gjatë një interviste që ai i dha një radioje të njohur angleze, kryeministri shqiptar, ndër të tjera nënvizoi se : « Isha (jam) gjithashtu i shqetësuar, sepse natyrisht Putini përpiqet të ushtrojë dhe përdorë ndikimin e tij për të trazuar rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo do të ndodhte, në një farë mënyre lehtësisht,  nëse Perëndimi ushtron presion dhe  e shtyn Serbinë përtej një kufiri të caktuar, që të vendosë sanksione kundër Rusisë.  Serbia nuk mund t’i vendosë sanksione Rusisë, pasi në thelb kjo është e pamundur, sepse ata s’mund të jetojnë as edhe një ditë të vetme pa gazin rus. Së dyti, për shkak të opinionit publik. Kështu, të kërkosh së tepërmi dhe shumë shpejt nga Serbia mund të kishte rezultuar katastrofike për Ballkanin Perëndimor. Pasi kjo do të shkatërronte një proces që ne e kemi ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor, një process afrimi dhe bashkëpunimi, ndërtimit të paqes, si dhe iniciativën Ballkani i Hapur… Kështu që, për sa kohë çështja e sanksioneve (ndaj Serbisë) nuk do të jetë aq trysnuese për të shkatërruar këto gjëra, unë nuk jam edhe aq i shqetësuar » – pohon kryeministri shqiptar.

      Një qëndrim i tillë flet shumë për mënyrën se si Edi Rama e sheh Serbinë. Pra jo si një shtet rival, i cili që para dy shekujsh dhe deri para 20 vjetësh ka shtypur dhe vrarë shqiptarët, por si një shtet me të cilin Shqipëria nuk ka pse të ketë asnjë mëri !

     Në raste të ngjashme siç është konflikti shekullor shqiptaro/ serb një qeveri apo një personalitet politik sillet krejt ndryshe. Ai përpiqet të përfitojë në maksimum nga situata e vështirë në të cilën gjendet kundështari i tij, që të mund të fitojë epërsi në mbrojtjen e strategjisë së tij kombëtare. Siç po vepron aktualisht Greqia me Turqinë.  Shteti grek po përfiton qartë nga situata e paqartë në të cilën gjendet Turqia sot. Për faj të saj. Vendi i Erdoganit, për shkak të politikës së tij nacionaliste dhe sovraniste, sot pothuajse nuk ka asnjë aleat të qëndrueshëm. Marrëdhëniet e tij me Uashingtonin janë krisur që pas grushtit të shtetit, të organizuar sipas Erdoganit nga rivali I tij, Gulen që jeton dhe vepron në SHBA. Blerja po ashtu nga ana e Turqisë e një sistemi të sofistikuar antiraketor rus e nervozoi dukshëm Uashingtonin. Turqia i ka marrëdhëniet po ashtu të tendosura sa me Izraelin aq edhe me Francën. Duke e njohur këtë pozitë të pafavorshme të Ankarasë, Athina ka kohë që po i « tund këmbët » neosulltanit të Turqisë. Anijet dhe avionët grekë provokojnë ata turq pothuajse në kufirin e Turqisë : « Ejani na sulmoni nëse jua mban » – është nënteksti i këtyre veprimeve.

    Ndërsa Rama sillet krejt ndryshëm. Ai duket si i mrekulluar ndaj « Ballkanit të Hapur », një nismë kjo e Beogradit për të rritur ndikimin e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor. « Paqe, mirëkuptim, bashkëpunim » – ky është sipas Beogradit dhe Tiranës misioni i « Ballkanit të Hapur » !

      Bie në sy qartë se ujku ka veshur lëkurën e qëngjit. Vuçiçi si dhe klani politik i Beogradit duket se e kanë kuptuar mirë dhe bukur se koha e tashme nuk është aspak e përshtatshme për Serbinë për një revansh ndaj Kosovës. Ajo e kupton po aq mirë se në rast të një përçapjeje të tillë, do të ndeshet me një reagim të tillë nga ana e NATO-s, saqë ai i 1999-ës do i dukej lule. Dhe ndërsa pret që retë e zeza të largohen, Serbia shpërndan ngado buzëqeshje dhe miklime. Ndërkohë Kosova mbetet jashtë këtyre lojërave diplomatike, pasi ajo nuk i beson qyrkut të veshur nga Beogradi.

     Pyetja që shtrohet është : kjo politikë e Ramës bie ndesh apo i shkon për hosh asaj të Perëndimit. Mbrojtja që Tirana zyrtare i bën Beogradit është politikë individuale e Ramës apo e konsultuar dhe nxitur nga Uashingtoni dhe Brukseli ?! Deri më tani Rama ka qënë i mirëpritur në të gjitha kancelaritë perëndimore. Por a do të vazhdojë ky trend edhe në të ardhmen ?! Kur shihet dhe dihet se kryeministri shqiptar po mban marrëdhënie të privilegjuara me dy nga autokratët më të dalluar të rajonit, Vuçiçin dhe Erdoganin?! Që nuk mbahen edhe për aq burra të mirë në kryeqytetet perëndimore!

    Kjo është çështja.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment