Termi « shtator i zi » ka hyrë në leksikologjinë politike rreth 50 vjet më parë. Atëhere kur në Munih të Gjermanisë po zhvilloheshin Lojërat Olimpike. Një komando palestineze mori peng më 5 shtator të 1972-it nëntë sportistë izraelitë. Që t’i linin të gjallë palestinezët kërkuan lirimin e mbi 250 luftëtarëve të tyre të burgosur në Izrael. Kryeministrja izraelite e asaj kohe, Golda Meir, refuzoi çdo lloj dialogu dhe komprimisi me komandon palestineze. Ngjarja mbajti pezull botën mbarë. Dhe përfundoi me vrasjen e 9 pengjeve izraelitë dhe të 5 komandove palestineze dhe arrestimin e tre të tjerëve. Kjo është me pak fjalë historia dramatike e asaj që u cilësua si “shtatori i zi”.
Tani janë Berisha me Metën që prej javësh po kërcënojnë me një “shtator të zi” edhe në Shqipëri. Askush nuk e di me siguri se çfarë përmbajnë në praktikë kërcënimet e tyre, por ka zëra që pohojnë se dyshja e shumëpërfolur, e anatemuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, po përgatit prej javësh grupe të armatosura militantësh dhe ordinerësh të dalë nga burgu!
A do të ngelen këto kërcënime në nivelin e fjalëve apo edhe manifestimeve të zakonshme apo do të precipitojnë në dhunë?! Se nuk është hera e parë që Berisha përdor dhunën për të mbetur apo ardhur në pushtet. Rastet më flagrante janë ato të vitit 1998, kur me arkivolin e Azem Hajdarit në krah, turmat berishiste iu vërsulën kryeministrisë. Apo më 21 janar 2011 kur i njëjti njeri vrau 4 veta në boulevard se gjoja po i rrezikonin pushtetin!
A do të fillojnë përsëri bllokimet e rrugëve, vënia e tritolit shtyllave të tensionit të lartë, etj etj?! Duket se si Berishës, ashtu edhe Metës, u është mbushur mendja top se vetëm dhuna, politika e forcës, mund t’i nxjerrë nga bataku ku janë zhytur. “Dy duar për një kokë janë” – thotë një shprehje popullore.
Dhe ata kanë arsye të shqetësohen. Pas një përgjumjeje të gjatë gjërat duket se kanë filluar të lëvizin në skakierën politike të Tiranës. SPAK-u ka filluar një hetim ndaj ish presidentit Meta, menjëherë sapo ai është larguar nga posti i lartë që mbante. Flitet po ashtu për korrupsion në shifra prej miliona eurosh.
Në të njëjtën kohë Kuvendi i Shqipërisë i dominuar nga socialistët, po përgatit disa ligje, sipas të cilëve ish – spiunëve të sigurimit famëkeq, por po ashtu edhe ish sekretarëve të organizatave bazë të Partisë së Punës së Shqipërisë, do tu ndalohet me ligj të marrin pjesë në jetën politike të vendit. Pra që të dy, si Meta, si Berisha, rrezikojnë, si fillim, të përjashtohen nga parlamenti shqiptar.
Momenti është shumë i zgjedhur për Ramën. Dyshja e mësipërme ndodhet në situatën më të vështirë gjatë këtyre 32 vjetëve të fundit. Është e vërtetë se në 1997 situata ishte edhe më e rrezikshme dhe më e turbullt sesa sot. Por atëhere Sali Berisha kishte “asin” nën mëngë. Perëndimi i ishte mirënjohës për rolin e tij në rrëzimin e sistemit komunist në vend. Pra ai nuk mund të prekej. Ndërsa tani është krejt e kundërta. Berisha është shpallur “non grata” nga superfuqia numër një e botës. Si dhe nga Britania e Madhe! Ndërsa ish presidenti Meta e ka pohuar vetë se Amerika mund ta vrasë atë në Malin me Gropa, siç ka bërë me Alenden, sipas tij!
Dhe e keqja nuk është vetëm heqja nga parlamenti dhe ndalimi i pjesëmarrjes në politikë. Por rrokullisja në humnerë që vjen pas saj. Se kur të shkel këmba, të gjithë ta vejnë shkelmin në fyt – dëshmon historia.
Për më shumë Berisha me Metën janë tërbuar se për herë të parë po merren zyrtarisht dhe penalisht me ta. Me ata që e konsideronin veten si të paprekshëm.
Prandaj tani ata kërcënojnë, kërcëllisin dhëmbët, betohen se do bëjnë këtë dhe atë në rast se i prekin etj etj. Duken më shumë si një bishë e plagosur sesa si udhëheqës dinjitozë, që mund të pranojnë të përballen me dinjitet me drejtësinë meqë i kanë duart të « pastra » !
Destabilizim, frikë, rrëmujë, pasiguri – shihet se do të jetë taktika e tyre që do të nisë që gjatë këtij muaji. Mos guxoni të merreni me ne – duket se është mesazhi i tyre. Por ata kanë edhe një inat tjetër me Ramën ! Ai nuk i paska qëndruar korrekt paktit : se “pushteti duhet të ndërrohet çdo 8 vjet » ! Jo si ai që e prishi paktin dhe po bën 10 vjet si kryeministër dhe duket se nuk ka ndërmend të largohet as më 2025-ën! « Një herë vjedh ti, dhe një herë vjedhim ne. Ky është në praktikë rotacioni », – ankohet opozita.
Situata në vend duket se po malcohet çdo ditë e më shumë. Aq më shumë që Berisha me Metën kanë pas vetes me mijëra militantë të stërbetuar, që janë gati t’i vëjnë zjarrin vendit, sapo ai tua bëjë me shenjë.
Po çfarë do bëjë atëhere Rama ?! Si do reagojë ai në rast se opozita nuk mjaftohet vetëm me deklarata dhe manifestime, por bllokon vendin?! Koha do ta tregojë.
Por një gjë është e sigurt. Me përjashtim të militantëve, pjesa dërrmuese e shoqërisë shqiptare nuk ka ndërmend tu vejë pas 2 “non gratave”, të cilët po luftojnë thjesht për kokën e tyre. Dhe kjo është me shumë rëndësi. Pa folur këtu se Rama gëzon një mbështetje të paparë edhe pranë qeverive dhe organizatave ndërkombëtare.
Në fakt kërcënimet e Berishës dhe Metës për një “shtator të zi” alla shqiptar a nuk dëshmojnë se këto janë përpjekjet e fundit të “dyshes” për mbijetesë, para kapitullimit të plotë dhe përballjes me drejtësinë?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment