Gjatë vizitës së paradokohshme në Prishtinë të presidentit të sapozgjedhur të Shqipërisë, Bajrram Begaj, homologia e tij nga Kosova, Vjosa Osmani, i paraqiti numrit një të shtetit shqiptar një propozim interesant : Nënshkrimin e një traktati të përbashkët mbrojtjeje ! Që do të thotë se nëse Kosova sulmohet psh nga Serbia, Shqipëria është automatikisht e detyruar të hyjë në luftë krah vëllezërve të një gjaku. Po kështu edhe nëse marrim si të mundshme një konflikt Shqipëri – Greqi, sipas propozimit të Osmanit, do të jetë Kosova që do t’i gjendet në krah Shqipërisë.
Këtij propozimi presidenti Begaj iu përgjigj me qetësi dhe zgjuarësi se një trakatat i tillë nuk ishte i nevojshëm. « Kosovën e mbron NATO »- vuri në dukje i pari i shtetit shqiptar.
Por ajo që bie më së shumti në sy tani është fakti se as nga Prishtina, as nga Tirana nuk po ngrihen më zëra që të flasin për një bashkim kombëtar!
Albin Kurti ka qënë prej vitesh arkitekt dhe përkrahës i flaktë i këtij projekti. Fatkeqësisht nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Vjosa Osmanin, e cila vjen nga rradhët e LDK-së. Që në fillimet e tij, udhëheqësi dhe krijuesi i saj, Ibrahim Rugova, ka qënë gjithnjë për një Kosovë të barazlarguar nga Tirana dhe Beogradi! Këtë ftohtësi, deri në idhni ndaj vendit “amë”, duket se e ka trashëguar edhe presidentja e Kosovës.
Ndryshe dihet mirë se “Vetvendosja” nuk ka qënë asnjëherë e preferuara e politikës zyrtare të Tiranës. Edi Rama dhe Partia Socialiste i kishin puqur “pipëzat” prej kohësh me Partinë e Hashim Thaçit, PDK-në. Ndërsa Vetvendosjen e konsideronin si një parti majtiste, pothuajse marksiste – leniniste! Dhe fitorja e saj plebishitare duket se nuk i la një përshtypje të mirë drejtuesit të djathtë të Partisë Socialiste.
Sikur të mos mjaftonte me kaq, në skenë doli edhe projekti serb i « Ballkanit të Hapur ». Edi Rama e përqafoi me shpejtësi dhe dashuri këtë nismë të Beogradit. Albin Kurti, i rrahur me vaj dhe me uthull me makinacionet e Serbisë, e priti ftohtë dhe me indiferencë këtë përçapje. Për të mos thënë me armiqësi.
Ky qëndrim kaq i ndryshëm i Tiranën dhe Prishtinës ndaj propozimit serb duket se i thelloi edhe më shumë ndarjet ideologjike dhe individuale ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë!
Çuditërisht që kur është bërë kryeministër, Kurti nuk po i mëshon më as ai tezës së bashkimit! Krejt ndryshe me disa vjet më parë, kur ai së bashku me Rexhep Qosen dhe Adem Demaçin, ishin korifejtë e bashkimit kombëtar!
A mos vallë kjo braktisje e ka shkakun në politikën e butë dhe pothuajse dashamirëse të Tiranës me Beogradin?! Në rast se në pushtet do të ishte psh Berisha, a do të qëndronin kaq larg nga njëri tjetri të dy kryeqytetet më të rëndësishme të kombit shqiptar?!
Kjo nuk është e sigurt. Pasi edhe në Kosovë duket se e kanë kuptuar se Berisha përpiqet ta përdorë çështjen kombëtare në funksion të interesave të tij personale. Fakti është se përsa kohë që ai ka qënë president apo kryeministër nuk ka bërë asgjë konkrete për këtë afrim apo bashkim.
Madje mund të habitesh dhe të revoltohesh me të drejtë kur kujton se gjatë këtyre 22 vjetëve që Kosova është e lirë, Prishtina dhe Tirana, nuk kanë hartuar dot as edhe një abetare të përbashkët me të cilën të mësonin vogëlushët e të dy anëve të Drinit! Ndërsa ka pasur pa fund takime protokollare, me flamurin kuq e zi në qendër, me shtrëngime duarsh dhe buzëqeshje hipokrite, por asgjë konkrete.
Fatkeqësisht po vihet re se ndarja ndërmjet dy vëllezërve është më e thellë sesa vetëm ajo politike. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, ekzistojnë korrente të fuqishme që janë kundër bashkimit kombëtar. Madje në Prishtinë disa duan të flasin për një komb kosovar, për një gjuhë kosovare, një histori të Kosovës etj etj. Edhe në Tiranë ka po ashtu rryma që pohojnë se Shqipëria ka gjetur rehat me 28 000 kilometrat e saj katrore. Se asaj i mjaftojnë fushat dhe malet, lumenjtë dhe liqenet, pyjet dhe lëndinat që ka dhe nuk ka nevojë të bashkohet me gjysmën tjetër të kombit.
Sipas ideologëve të “një kombi – 2 shtete” në Shqipëri ekziston tashmë një ekuilibër ndërmjet toskëve dhe gegëve, ndërmjet myslimanëve, bektashinjve, ortodoksve, katolikëve, laikëve dhe ateistëve të shumtë, saqë çdo bashkim me Kosovën do ta vinte në pikëpyetje këtë barazpeshim. Por edhe në Kosovë nuk kanë munguar kurrë argumentat kundër bashkimit. Sidomos në rradhët e LDK-së së Rugovës.
Që në kohën kur Kosova vuante nën çizmen serbe, Rugova priste me pompozitet disafarë piktorësh që i tregonin atij skica të flamurit të ardhshëm të saj. Në gojën e zyrtarëve të lartë të LDK-së, që në ato kohë mund të dëgjonje të thonin se “është më mirë të kemi dy shtete shqiptare , sepse kështu do të kemi dy ulëse edhe në OKB”!
Një tjetër dëshmi e antibashkimit ishte edhe krijimi i kombëtares kosovare të futbollit. DIhet se para se të krijohej kjo kombëtare e Kosovës, ekipi kombëtar i Shqipërisë përbëhej në 80 përqind të tij nga lojtarë me origjinë kosovare të lindur dhe të formuar në Perëndim. Rasti i Canajt, kapitenit të mirënjohur, është shumë domethënës. Ishte një kombëtare vërtet “nacionale”, kuq e zi, që përfaqësonte më së miri trojet e arbërore dhe kombin në të dy anët e Drinit! Por jo. Në Prishtinë ngulnin këmbë për një kombëtare “lokale”. Pra një kombëtare që do të përfaqësonte flamurin me mballoma që bashkësia ndërkombëtare ia ka blatuar Kosovës!
Çuditërisht kësaj rradhe as Beogradi nuk u ndje. Ai që është gjithmonë tejet agresiv kur Kosova përpiqet të anëtarësohet në një institucion apo shoqatë ndërkombëtare. Siç dukej edhe atij i vinte për hosh që shqiptarët të kishin dy kombëtare.
E keqja është se po vihet re se sa më shumë që po kalon koha, aq më pak po flitet për bashkimin kombëtar. Shqiptarët e të dy anëve të kufirit duket se po binden çdo ditë e më shumë se qasja “një komb – dy shtete” është ajo e duhura. Se dallimet ndërmjet dy anëve të kufirit nuk po sheshohen. Përkundrazi.
Austria dhe Gjermania, por edhe Maqedonia dhe Bullgaria, janë shembuj që dëshmojnë se ngandonjëherë për shkaqe të shumta dhe interesa të veçanta një komb mund të jetojë edhe i ndarë në dy ose më shumë pjesë.
A do të punojnë ndonjëherë bashkarisht Kosova me Shqipërinë?! A do të shikojnë ato drejt një objektivi të përbashkët strategjik dhe kombëtar, apo do ta mbajnë kokën mënjanë si dy krerët e shqiponjës në flamurin tonë mbarëkombëtar?! Kjo është çështja. Së cilës askush nuk mund t’i japë sot një përgjigje të sigurt dhe përfundimtare.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment