Hashashi i « hapjes së dosjeve »!

      Shumë po flitet dhe po spekullohet përsëri këto kohët e fundit për çështjen e hapjes së dosjeve ! Kjo punë është bërë si legjenda e Loch – Nes-it, e përbindëshit që thonë se gjëndet në një nga liqenet e thella të Skocisë!      

      Gazetarë, analistë, komentatorë politikë dhe kryesisht politikanë të të dy krahëve e ngrejnë dhe e « rrahin » këtë çështje me vetmohim dhe përkushtim! Sidomos këto ditë kur po flitet se edhe ish – presidenti Ilir Meta paska qënë spiun ! A thua se nga hapja e këtyre dosjeve do të varet edhe mbrothësimi i vendit apo lehtësimi i shpirtrave të atyre që hoqën të zinë e ullirit në periudhën e « diktaturës së proletariatit »!

        Çudi përbën fakti se historia e hapjes së dosjeve duket dhe zhduket sipas situatës politike dhe nevojave të udhëheqësve të pozitës dhe opozitës. Shekspiri do ta quante përsëri këtë dramë si « shumë zhurmë për asgjë »! Sepse së pari dosjet janë bërë « çorap » me kohë. Kush nuk i ka futur duart aty. Janë zhdukur me mijëra dosje, saqë ka rrezik që sot viktima të na dali spiun dhe spiuni si i persekutuar! A mendoni vërtet se do të zbulohen dosjet e « Penicilinës », « dizenjatores », « poetit » etj etj?!  Ato janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë që më 1992-shin. Pa folur pastaj për 1997, kur u dogj e gjithë Shqipëria.  Ka madje disa që pohojnë se e dinë shumë mirë se dosjet kryesore të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit u kthyen në « brumë » për kartona, që gjatë vitit 1991, para se sistemi komunist të rrëzohej përfundimisht për tokë!

       Pastaj ka edhe një problem tjetër: Do hapen dosjet për bashkëpunëtorët e Sigurimit. Shumë dakort. Po për shefat e tyre?! Po për ata që i rekrutonin?! Po për ata që ishin “maja e shpatës e kllasës punëtore”?! Pra për anëtarët e Partisë së Punës?! Tani njëri ishte spiun, tjetri ishte komunist. Kush ishte më i rrezikshëm?! Ndërsa tjetri ishte shkrimtar i shquar. Që i ngrinte hymne diktatorit. I dyti ishte kompozitor apo poet që thurrnin këngë për Partinë. Pastaj kishte edhe gazetarë që ta mbushnin mendjen top se Shqipëria ishte vendi më i mirë në botë për të jetuar! Atëhere kush ishte më i rrezikshëm?!

      E vërteta është se atij regjimi mizor i kanë shërbyer pothuajse të gjithë. Sigurisht jo në mënyrë të barabartë dhe me të njêjtin përkushtim. Ai ish – kooperativisti që merrte 30 lekë për ditë punë në firifistun nuk ka problem me ndërgjegjen e vet si psh një ushtarak i ministrisê së mbrojtjes apo asaj të brendshme. Që ishin organe të diktaturës.

       Prandaj nuk duhet ta nxjerrim inatin me më të dobëtin. Ka disa që u bënë spiunë me dashje. Për të bërë karrierë, për të siguruar Tiranën ose thjesht për të bërë keq ! Se e kishin zemrën të zezë. Por ka edhe nga ata që u detyruan me dhunë, kërcënime ose dredhi të spiunonin. Ndryshe i priste burgu. Dhe internimi prapa Diellit për familjet e tyre.

      Shkurt dhe pa asnjë mëdyshje duhen dënuar dhe demaskuar të gjithë ata që me veprimet e tyre kanë bërë keq. Që i kanë bërë tjetrit gjëmën. Që e kanë marrë në qafë se ai ka shprehur një pakënaqësi apo ka imituar modën e huaj dhe budallalliqe të tjera të asaj kohe bardhë e zi.

       Sepse duket se « telat » prapa perdes po i luajnë përsëri ish – sigurimsit dhe ish – komunistët. Ata po bëhen gati t’i blatojnë njerëzve një kurban të ri, një lloj kokë turku : « Ja ku i keni maskarenjtë. Të poshtrit. Merrini me dru. Nxirruani atyre inatin ». (Dhe vetkuptohet neve na lini të qetë) !

       Por problemi është shumë më i gjërë dhe më i thellë se kaq. Sepse së pari duhet dënuar sistemi antidemokratik, diktatorial dhe i pamëshirshëm i asaj kohe. Por, siç thamë edhe më sipër, atij sistemi dhe atij që ishte në krye të tij, i kanë shërbyer me ngazëllim, dëshirë dhe përkushtim mbi gjysma e shqiptarëve. Si do mund të dënosh atëhere një masë kaq të madhe njerëzish?! Jo!

      Dënimi më i madh i regjimit të kaluar, turpi dhe fyerja më e padurueshme për të dhe ata që akoma e mbrojnë atë sot do të ishte suksesi i padiskutueshëm i këtyre 30 vjetëve të ashtuquajtura demokratike. Në rast se Shqipëria do të ishte sot edhe më e fortë qoftë në fushën ekonomike, qoftë në atë ushtarake. Sikur njerëzit të ishin sot më të lumtur dhe më të qetë. Sikur të kishim universitete dhe teknologji të përparuara. Sikur mirëqënia e njerëzve së paku të ishte dyfishuar gjatë këtyre 30 vjetëve. Sikur shteti shqiptar të shfrytëzonte për të mirën e banorëve të tij kromin, bakrin, hekur – nikelin, naftën etj etj. Sikur shqiptarët të gëzonin një emër të nderuar sot në botë! Sikur krimi të mos bënte aq të pabëra saqë ia kalon disafish edhe atyre të ish- Sigurimit famëkeq.     

        Sikur të gjitha këto të kishin ngjarë dhe të ishin realizuar gjatë kësaj epoke as nuk do të kishim nevojë të merreshim apo të kërkonim “hapjen e dosjeve”. Hapjen e dosjeve e duan ata që kanë diçka për të fshehur tani.  Është një kockë që i hidhet popullit të shushatur dhe të zhgënjyer. Komunizmi vdiq. Ai dha shpirt vetvetiu se nuk u tregua i aftë të siguronte dy nga kërkesat kryesore në jetën e çdo shoqërie: lirinë dhe mirëqënien për popullin e tij!

       Dosjet si të hapen si të mbyllen, siç vumë në dukje edhe më sipër, nuk do të nxjerrin asgjë në shesh. Por ndofta hapja e dosjeve do të ketë një të mirë! Dhe një të mirë të madhe. Se do të shërbejë si shembull për tu ndjekur! Sepse ndoshta pas 30 vjetësh do të kërkohen të hapen edhe dosjet e atyre që gjatë kësaj periudhe u bënë brenda natës supermilionerë! Dosjet e atyre që shitën fshehurazi të gjitha pasuritë kombëtare të vendit! Që privatizuan për një copë bukë të gjitha pasuritë publike të popullit! Etj . etj.

      Ja pra e mira e vetme e hapjes sot të dosjeve!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment