Përfundoi, ashtu si pritej, pa asnjë rezultat takimi i shumëpërfolur në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me atë të Serbisë, Vuçiç. Ky takim u iniciua me nismë të përfaqësuesit për politikë të jashtme të BE-së, Borrell dhe komisionerit Lajçak.
Kurti dhe Vuçiç as i dhanë doren njeri – tjetrit dhe as u shikuan sy më sy. Megjithatë kryeministri kosovar dukej më i shpenguar dhe i qetë në këtë takim, ndërsa qëndrimi i atij serb ishte hundë e buzë! Kjo flet shumë.
Serbia sot ndodhet në një situatë tejet të vështirë. Që kur ka nisur konflikti Rusi – Ukrainë ajo nuk po di si të bëjë që të jetë e ulur njëkohësisht në tri karrige. Siç ka bërë gjithmonë. Edhe me Perëndimin, edhe me vëllanë e madh Ivan! Sot asaj i kërkohet me forcë të mbajë qëndrim. “Ose me ne, ose me ata. Rrugë të mesme nuk ka!”. Por është pikërisht kjo që nuk i pëlqen Beogradit. Ai nuk do që ti prishë kurrë marrëdhëniet me vëllanë e madh , nga i cili ka përfituar aq shumë gjatë këtyre 250 vjetëve të fundit. Por do ta mbajë mirë edhe me Perëndimin e zhvilluar. Vetëm përplasjen Perëndim – Rusi ai nuk do ta dëshironte kurrë.
Mirëpo pikërisht këtu ka fituar zgjuarsia e Albin Kurtit. Ai ia ka dalë që ta rinxjerrë çështjen kosovare përsëri në dritë. Në një dritë të favorshme për të. Serbët ishin mësuar keq gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit. Duke I marrë me të mirë europianët, me disa prej të cilëve Beogradi ka lidhje të hershme, Serbia po fitonte në tavolinë, atë që kishte humbur në luftë. Kur forcat e NATO-s bombarduan edhe Beogradin! Dhe Serbia u tërhoq si një kafshë e plagosur në strofkën e saj duke e lënë Kosovën të lirë.
Por ajo nuk hoqi dorë asnjë çast nga ëndrra e saj për ta rivënë nën kontroll Kosovën. Duke luajtur të gjitha mashat dhe rolet. Dhe qëndrimi i disa shteteve europiane ndaj saj filloi të bëhet çdo ditë e më mirëdashës. Ndryshe me përfaqësuesit e Prishtinës. Të cilët pothuajse po i konsideronin si terroristë se kishin vrarë pushtuesin serb. Duke iu vringëlluar një e dy para syve prangat! Deri sa i çuan të gjithë udhëheqësit e UCK-së në Hagë. Oh sa do të donin disa vende europiane dhe disa përfaqësues të BE-së ta përdornin këtë taktikë edhe me Kurtin. Po ç’e do. Nuk u eci. Se ai në ato kohë, pra në vitet 1998 – 1999, kishte qënë i burgosur në hapsanat e Serbisë.
Dhe ato që Serbia i pati fituar gjatë këtyre 15 viteve të një dialogu, ku mbështetej vetëm pala serbe, Kurti ua hodhi të gjitha poshtë. 15 vjet bisedime dhe dredhira që i shkuan kot Beogradit dhe disa mbështetësve të tij në Europë. Që me parrullën “standartet para statusit” donin dhe ia arritën ta mbanin në vend numëro Kosovën me vite të tëra.
Prandaj edhe disa europianë tani ndihen fare keq. Sidomos pasi Kurti kërkoi në selinë e NATO-s në Bruksel, ku u prit nga sekretari i saj i përgjithshëm, Stotelnberg, anëtarësimin e vendit të tij në Aleancën Atlantike ! Një anëtarësim i tillë do të nxirrte përfundimisht dhe tërësisht jashtë loje mosnjohjen e Kosovës nga Begradi dhe 5 vendet të tjera të BE-së. Ai do ta përcaktonte një herë e mirë edhe vendin e Kosovës në gjirin e aleancës perëndimore.
Se bota përsëri po ndahet më dysh. Ose më mirë të themi në tresh. Nga njëra anë Perëndimi me aleatët e tij si Europa, Japonia, Australia etj etj dhe nga ana tjetër bota sllave e ish perandorisë sovjetike. Më larg akoma kemi një përplasje ndërmjet Amerikës dhe Kinës. Jo vetëm për Tajvanin, por sidomos për predominimin në botë. Në këto kushte vendet e botës kanë qënë të detyruara të bënin zgjedhjet e tyre. Ose me Amerikën, ose me Rusinë, ose me Kinën. Po si t’ia bënte Serbia e « shkretë » që donte ta kishte mirë me të gjithë që të rifitonte prapë atë që kishte humbur me luftë më 1999-tën.
Kur Kosova bën një kërkesë që të anëtarësohet në Aleancën e Atlantikut kjo do të thotë se Prishtina e ka bërë zgjedhjen e saj historike dhe strategjike. Dhe kjo është një zgjedhje për të 7 milionë shqiptarët e Ballkanit. Ne i përkasim Perëndimit. Dhe aleati ynë numër 1 deri në 10 janë Shtetet e Bashkuara tê Amerikës! Të tjerët fillojnë nga numri 11.
Dhe kjo dihej botërisht dhe prej kohësh. Por deri më tani Kosova sillej si e detyruar, si borxhlije ndaj Amerikës. Por sot ajo po kërkon të jetë edhe një partnere e besueshme e saj. Baza amerikane në Bondstill e forcon dhe e konkretizon bashkëpunimin strategjik Prishtinë – Uashington.
Prandaj ky është sot momenti më i mirë për Kosovën për ta ndarë shapin nga sheqeri me Serbinë një herë e mirë. Tani që në Shtëpinë e Bardhë sundon Bajden. Një njeri që prej kohësh është angazhuar në krah të Kosovës. Ndryshe krejt ishte puna kur në Shtëpinë e Bardhë sundonte Trump. Strategjia e tij ishte krejt tjetër. Trump donte një bashkëpunim me Rusinë duke e konsideruar Kinën si rrezikun më të madh për lidershipin amerikan. Për Kosovën atij nuk ia « ndinte » shumë. Edhe kur organizoi një takim në Uashington midis kryeministrit të atëhershëm kosovar, Isa Mustafës me Vuçiçin, Trump e vuri theksin te përbërja myslimane e Kosovës dhe marrëdhëniet e saj të mira me Izraelin ! Ndërsa Bajden është një pasardhës i Luftës së Ftohtë. Për të Rusia dhe Kina janë shtete autokratike, diktatoriale dhe antiamerikane.
Prandaj Albin Kurti ka gjetur sot kohën më të përshtashme për të ia vënë të dyja këmbët në një këpucë Serbisë. Sepse nuk dihet se çfarë sjell e nesërmja. Kosova duhet t’i ndajë një herë e mirë punët me Serbinë. Veriu i Kosovës o i takon asaj o i takon Serbisë. Nuk mund të vazhdohet gjithmonë: “hiq e mos e këput”!
Ka ardhur koha të vendosen një herë e mirë pikat mbi “i”. Dhe ky është momenti më i përshtatshëm. Dhe këtë e ka kuptuar edhe Vuçiçi prandaj nxinte i tëri në takimin e Brukselit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment