Shqipëria midis erërave të Orientit dhe të Oksidentit

       Shqipëria përbën një rast të veçantë në kontinentin europian përsa i takon larmisë së saj fetare. Megjithëse vend i vogël, këtu bashkëjetojnë prej shekujsh, dhe duhet nënvizuar fatmirësisht në harmoni, 2 fe dhe 4 bashkësi fetare. Kishat katolike dhe ortodokse gjenden jo shumë larg xhamive sunite dhe teqeve bektashije. Kjo harmoni fetare i ka çuditur edhe të huajtë që kanë vizituar vendin tonë gjatë shekullit të 19-të dhe fillimit të atij të 20-të. Të gjithë pothuajse njëzëri kanë nënvizuar se për shqiptarët kombi dhe gjuha janë shumë më përparësore se feja.  Ata kanë vënë në dukje po ashtu se kanë qënë myslimanët shqiptarë që kanë luftuar më së shumti kundër sundimit osman. Siç edhe kanë qënë shumë priftërinj ortodoksë që janë vrarë nga kisha dhe shteti grek , meqë ata ndjeheshin së pari shqiptarë dhe së dyti ortodoksë !

       Epoka e komunizmit diktatorial e forcoi ndjeshëm këtë prirjeje. Enver Hoxha i mbylli të gjitha kishat, xhamitë dhe teqetë duke e shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë. Pikërisht në atë kohë pati edhe një përzjerje popullsie nga veriu në jug dhe anasjelltas. Martesat ndërmjet të krishterëve dhe muhamedanëve ishin diçka që nuk tërhiqnin në atë kohë aq shumë vëmendjen. Fetë humbën shumë nga pushteti që ushtronin deri në atë kohë.

        Por erdhi koha e demokracisë dhe edhe në këtë fushë, si në shumë të tjera, pati një kthim mbrapa të papritur dhe të rrezikshëm. Lejimi i fesë mundësoi futjen në vend edhe të qindra predikuesve fetarë të të gjitha ngjyrave. Sidomos të atyre nga Arabia Saudite, Siria etj etj, që erdhën nën maskën e ndihmave humanitare ! Në të njëjtën kohë Athina përdori gjithë arsenalin e saj propagandistik dhe fetar që të vinte në krye të kishës ortodokse autoqefale të Fan Nolit, një përfaqësues të spikatur të Patriarkanës greke ! Vatikani u tregua më i kujdesshëm në zgjedhjet e tij në krye të grigjës katolike në vend. Ndërsa bektashinjtë, nga ana e tyre, mbetën përgjithësisht të paprekur nga këto ndikime që erdhën nga jashtë. Ndofta edhe për shkak se në Tiranë gjendet selia ndërkombëtare e bektashizmit botëror.

        Por jo çdo gjë është aq idilike sa duket në vështrim të parë. Zjarri mbetet i ndezur nën hi. Dhe për këtë kujdesen në rradhë të parë përfaqësuesit e klerit të çdo feje. Synimi kryesor është që ti bëjnë shqiptarët, që të vejnë fenë mbi kombin. Psh të thuhet dhe të krijohet bindja se feja islamike i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi?! Nga kush asimilim ?! Nga ai turk ?!

        Për vetë vendndodhjen gjeografike dhe historinë e saj Shqipëria gjendet në një lloj udhëkryqi ku përplasen fort erërat që fryejnë nga Orienti me ato që vijnë nga Oksidenti ! A është populli shqiptar 100 përqind europian apo jo ?! A është populli shqiptar nga mentaliteti, feja dhe traditat mysliman apo jo ?! Sepse ndërmjet Orientit dhe Perëndimit, ndërmjet krishtërimit dhe myslimanizmit, ndarjet dhe kundërshtitë janë epokale. Ku gjendet Shqipëria dhe shqiptarët në këtë përplasje ?! Kësaj dileme hamletiane përgjigjen më të mirë ia ka dhënë Pashko Vasa me shprehjen e tij lapidare : « Shqiptarë mos shikoni kisha dhe xhamia, feja e shqiptarit është Shqiptaria ». Çuditërisht asnjë prej korifenjve fetarë në Shqipëri nuk i ka bërë jehonë kësaj thënieje të paharruar. Gjithkush nga këta do ta tërheqë grigjën në stanin e e tij !

     Ditët e fundit në Kosovë ka plasuar edhe një herë tjetër çështja e shamisë së nxënësve nëpër shkollat laike të vendit. Myslimanët kërkojnë me ngulm që vajzat e vogla të lejohen të vëjnë shaminë, simbol ky i islamizmit fetar. Shoqëria civile është krejtësisht kundër.  Gjendur midis këtyre flakëve kryeministri Kurti ka vendosur që deri në moshën 16 vjeçare shamia të jetë e ndaluar për vajzat e vogla. Pas kësaj moshe ato mund të vendosin si të duan në bazë të bindjeve të tyre personale.

     Dhe si ngjan gjithmonë, ky qëndrim i mënçur u hodh poshtë sa nga islamistët, aq edhe nga « progresistët » ! Kurti cilësohet tani prej tyre herë enverist dhe marksist – leninist dhe herë fashist dhe islamist !

     Dhe kjo nuk është hera e parë që në Kosovë ndodhin përplasje të tilla. Ku janë përfshirë me zjarr dhe pathos edhe analistë të njohur, publicistë, gazetarë dhe deri figura të shquara të kombit. Mbahet mend mirë përplasja mes « rilindasit të fundit » Rexhep Qoses me shkrimtarin më të njohur shqiptar në vend dhe në botë, Ismail Kadare. Rexhep Qosja i mëshonte faktit se për shkak të përbërjes myslimane të shumicës së popullsisë, shqiptarët ishin sa orientalë aq edhe europianë. Ismail Kadareja e hidhte poshtë me zëmërim këtë tezë. Sipas tij Shqipëria i ka të gjitha « letrat » në rregull për të qënë pjesë integrante e familjes së krishterë europiane.

      Nxitja e kontradiktave fetare në Shqipëri ka qënë prej shekujsh një politikë dhe strategji për fqinjët tanë. Dhe në fakt kjo ndarje fetare përbën një minë me sahat për të ardhmen e kombit shqiptar. Është e qartë se 99 përqind e shqiptarëve i kanë sytë dhe mëndjen nga Perëndimi. Askush nuk ka vajtur të emigrojë në Turqi apo Arabi. Dhe emrat që prindërit u vënë sot fëmijëve të tyre në 99 përqind të rasteve kanë kumbim shqiptar ose europian. Emrat me rrënjë turko islamike pak nga pak po zhduken.  Kjo po ngjan edhe me shqiptarët e Kosovës, të dhënë shumë sidomos pas emrave puro shqiptarë, dhe disi më pak edhe me ata të Maqedonisë.

E ndodhur në kryqëzimin midis Orientit dhe Oksidentit, ashtu si Zoti dhe historia e kanë caktuar, shoqëria shqiptare është dhe duhet të jetë kundër shamisë, ferexhesë, hixhabit etj etj, kundër regresit dhe anadollizmave, por njëkohësisht ajo është edhe kundër lakuriqësisë së femrës, nxjerrjes jashtë të shalëve, bythëve dhe gjoksit vend e pa vend si dhe kundër martesave të burrit me burrë, që sjell shuarjen e familjes, të kombit dhe të shtetit.

       Megjithatë duke e ditur se sa me rëndësi për të ardhmen e tyre është orientimi properëndimor i shqiptarëve kjo çështja e « shamisë », që është vetëm maja e ajsbergut dhe hapi i parë në luftën për riislamizimin kombit tonë, duhet vepruar me kujdes të dyfishtë. Është me rëndësi të dorës së parë që fetë dhe përfaqësuesit e tyre të mënjanohen nga jeta publike. Ndryshe i duhet dhënë përparësi absolute edukimit patriotik dhe moral të brezit të ri. Politikanët nuk duhet tu bëjnë shumë « duva » personaliteteve fetare në asnjë rast. Dhe në fund shqiptarët duhet të priren drejt laicizmit dhe ateizmit. Shprehja e Pashko Vasës duhet të mbetet aktuale të paktën edhe për 100 vjetët e ardshëm. Ndryshe Shqipëria rrezikon të përfundojë si Libani apo Bosnja. Dhe ky do të jetë suksesi më i madh për fqinjët tanë dhe fundi i kombit shqiptar.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment