Mbrojtës të politikës agresive ruse ka edhe në Perëndim!

      Artistët, dhe sidomos këngëtarët, kanë përgjithësisht namin e njerëzve të lehtë dhe të pamend, që jetojnë jashtë realitetit, në një botë  fantazmagorike, që u përket vetëm atyre. Afërsisht si kryeministri ynë piktor, sportist dhe artist !

     Por duket se ky perceptim nuk është gjithmonë i vërtet. Kështu psh, Roger Waters, themeluesi i grupit të famshëm rock të viteve ’70 të shekullit të kaluar, Pink Floyd, qënka një njohës i mirë i politikës dhe historisë.

      Në një intervistë që ai i dha rrjetit televiziv amerikan CNN, Roxher Uotërs, spjegon se përse ai ka vënë në një plan presidentin e tashëm amerikan Xho Biden me paraardhësin e tij, Donald Trump. Afishet dhe fotot e të cilëve projektohen gjatë koncerteve të grupit të tij, nën okielon “Kriminelë lufte”!

      Këngëtari britanik po zhvillon këto kohë një turne në veriun e Amerikës i titulluar “This is not A Drill” . Gjatë koncertit të tij shfaqen ekrane gjigande të lëvizshme ku duken fytyrat e atyre që Uotërs i cilëson si kriminelë lufte. Për këngëtarin britanik Xho Biden  është veçse “në fillimet e tij”!

      Gjatë intervistës dhënë grupit mediatik CNN, Waters, vë në dukje se Biden “po i fryn zjarrit në Ukrainë dhe kjo përbën një krim të rëndë” sipas tij. “Përse SHBA-të nuk e nxisin presidentin ukrainas Zelenski të bisedojë dhe të ndalojë këtë luftë kaq të tmerrshme që ka shkaktuar vdekjen e kushedi sa rusëve”?! – pyet ai.

     Intervistuesi, Majkëll Smerkonish, i tronditur i vë në dukje këngëtarit të grupit të njohur britanik se ai ka përmbysur rolet! Dhe se Waters ia vë fajin padrejtësisht vendit që është sulmuar, viktimës! Por Waters duket se nuk është fare dakord me të dhe i kërkon intervistuesit amerikan që të nisin të gjykojnë ngjarjet që nga fillimi! “Kjo punë nuk nisi tani, por që në 2008, (me revolucionin e portokalltë). Kjo luftë ka në rrënjën e saj veprimet e NATO-s për t’iu afruar sa më tepër kufinjve të Rusisë,  që ata (amerikanët) kishin premtuar se nuk do ta bënin kur presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikael Gorbaçov pranoi tërheqjen e trupave sovjetike nga të gjitha vendet e ish Traktatit të Varshavës!” – vuri në dukje themeluesi i “Pink Floyd”.

      I vënë në pozitë të vështirë Smerkonish i kërkoi Uoters-it të merrte parasysh në konfliktin Ukrainë – Rusi edhe rolin çlirimtar të Amerikës gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Po çfarë po flet. Ju nuk keni asnjë lloj roli çlirimtar gjatë L2B. Ju hytë në luftë vetëm kur fllota juaj u sulmua pabesisht nga japonezët në Pearl Harbour. Deri atëhere ju ishit krejtësisht izolacionistë” – përgjigjet flakë për flakë këngëtari britanik.

      -Sidoqoftë ishte një gjë e mirë ai veprim apo jo?! – ngul këmbë intervistuesi i CNN-it. Por duket se britaniku nuk do të lëshojë asnjë cm pe. “Fatmirësisht rusët në atë kohë e kishin pothuajse fituar luftën. Mos harro se 23 milionë sovjetikë vdiqën gjatë asaj lufte, duke na mbrojtur edhe ne nga rreziku nazist” – ishte përgjigja e tij. Duke përfituar nga kjo përgjigje Smerkornish i drejtohet atëhere bashkëbiseduesit të tij duke e pyetur: “Pikërisht për këtë, (për këto humbje në njerëz) rusët duhet të kishin nxjerrë mësime dhe të mos e sulmonin Ukrainën. Apo jo?”. Por Waters ngul këmbë në të tijën. “Të këshilloj të lexosh pak më shumë që të kuptosh se çfarë do bënin Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse rusët apo kinezët do të vendosnin raketa bërthamore në kufijtë e Venezuelës, Kubës apo Kanadasë”  përgjigjet ai.

       Këngëtari britanik, ndryshe nga shumica e bashkëkombasve të tij, por ndryshe edhe nga qeveria e tij dhe qëndrimi perëndimor në lidhje me konfliktin Ukrainë – Rusi duke iu kthyer përplasjeve Taivan – Kinë nënvizon se ishulli është pjesë e Kinës, i njohur dhe pranuar edhe nga OKB-ja. “Mos dëgjoni vetëm propagandën e rrjetit tuaj” – i tërheq veshin ai intervistuesit të tij!

       Pa asnjë dyshim që drejtuesi i “Pink Floyd” ka të drejtën të ketë qëndrimin dhe opinionin e tij për çfarëdo çështje. Në vendet demokratike perëndimore ai nuk përndiqet dhe as gjykohet për kaq fare pak gjë. Ndryshe do të kishte ngjarë nëse ai do të kishte lindur në Kinë, Rusi, Turqi, Kore të Veriut dhe mos o Zot në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të kishte shprehur opinione dhe qëndrime që binin ndesh me politikën e qeverive në këto vende. Kjo intervistë e tij madje është publikuar edhe në shumë media të tjera perëndimore, ndër të cilat edhe nga RTBF, media zyrtare e Radio Televizionit Frankofon Belg, nga e cila janë marrë edhe këto citime.

Lini një koment