Taksat mblidhen në nivel lokal dhe jo qëndror

      Skandalet në Shqipëri po ndjekin njëri – tjetrin. Pak ditë më parë një përfaqësues i forcave të rendit, që duhet të jenë të parët në respektimin dhe zbatimin e ligjeve, i mori jetën një vogëlusheje 6-vjeçare në Himarë. Polici hyn me një shpejtësi skandaloze në mesin e pushuesve që po laheshin. Dhe helikat e skafit të tij plagosën për vdekje vajzën e vogël.

     Dy ditë më parë media vendase njoftoi për një skandal të ri: na kishte lindur një « Mihal » tjetër. Si ai që para 3 vjetësh kishte tmerruar disa turistë spanjollë.  Edhe ky përsëri në zonën bregdetare të jugut të vendit. Mihali tjetër ndjek me thikë një grup pushuesish, vendas kësaj rradhe, që nuk e kishin paguar se çmimet u ishin dukur tejet të larta!

      Në fakt, në çdo shtet normal, çmimet duhet të afishohen dukshëm. Ose në vitrinën e lokalit, ose në rastin e restorantit në fjalë, te menyja që u ofrohet klientëve për të zgjedhur ushqimin apo pijen që preferojnë. Ngjarje si kjo e fundit nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Edhe në ishullin Mikonos të Greqisë shtypi i huaj jep shumë shembuj kur pronarët batakçinj të restoranteve u kërkojnë turistëve të huaj shuma marramëndëse eurosh, vetëm se këta të fundit u treguan të pakujdesshëm që nuk u interesuan që më parë për çmimet që ofronte aksh apo iks lokal !

   Por më e rënda dhe më e tmerrshmja në rastin e lokalit në jug të vendit ishte se pronari i saj që i ndiqte me thikë, me të drejtë apo pa të drejtë, klientët që nuk kishin paguar,  punonte pa liçencë. Që do të thotë që nuk ishte i regjistruar asgjëkundi dhe nuk paguante asnjë lloj takse për aktivitetin e tij !

    Dy shembujt e mësipërm, sado të vegjël apo të parëndësishëm të duken, dëshmojnë diçka të madhe. Që qeveria nuk ka nën kontroll asgjë. Që nuk di se çfarë bëhet në territorin e saj.

     Dihet mirë nga kushdo se dy nga detyrat kryesore të çdo qeverie në botë, të paktën gjatë këtyre 200 vjetëve të fundit janë : një – rendi dhe dy :  – mbledhja e taksave. Vetëm kështu mund të mbahet shteti. Por dy shembujt e mësipërm tregojnë se kjo qeveri nuk përmbush asnjë nga këto kritere. Ajo nuk mbron dot pushuesit në plazh nga lacat me varëse floriri dhe as që di të grumbullojë taksat !

        Dhe kur ti si shtet, nuk je i aftë të mbledhësh taksat nga çdo njësi prodhimi, tregtare apo shërbimi, ti nuk je në gjendje tu dalësh zot nevojave të shtetit dhe qytetarëve.  Atëhere çfarë bëjnë qeveritarët tanë të lavdishëm ?!  

       Për të mbuluar « gropën » qe e kanë krijuar me paaftësinë e tyre shembullore ata kanë gjetur si zgjidhje nxjerrjen në shitje të të gjitha pasurive të tundshme dhe patundshme të vendit. Siç janë hidrocentralet, minierat e kromit, bakrit, nikelit etj, naftën, ujin, pyjet, kullotat dhe gjithçka tjetër që oligarkët vendas apo të huaj ua kanë vënë syrin !

     Tani më së fundmi është bërë modë edhe shitja e trojeve në bregdet. Dikush që nuk e ka pasë parë detin me sy deri sa u bë 30 vjeç papritur bëhet pronar i një sipërfaqeje të konsiderueshme plazhi që fillon që nga uji i detit dhe deri në thellësi të bregdetit ! Dhe aty ai nuk të lejon të vësh këmbën pa e paguar !

     Sikur të përfundonte me kaq do të ishte gjysma e së keqes ! Apo gjysma e tragjedisë që ka kaplluar këtë popull gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit të kapitalizmit kleptokratik. Sikur nuk i pati mjaft  45 vjetët e diktaturës komuniste !

     Dhe gjysma tjetër po aq tragjike dhe e dhimbshme përbëhet nga barra e borxheve që i janë vënë në kurriz popullit shqiptar nga politikanët vendas. Shifër që sot kap shifrën e 8-9 miliardë dollarëve ose afro 100 përqind e prodhimit të brendshëm bruto, GDP !

    Nga njëra anë popullin e kanë xhveshur nga çdo lloj pronësie publike, të cilat janë privatizuar dhe shitur për një copë bukë.  Nga ana tjetër ky popull mban edhe një borxh të stërmadh në kurriz që një ditë duhet ta lajë. Bashkë me interesin !

     Shkurt politikanët shqiptarë që kanë sunduar vendin gjatë këtyre 30 vjetëve e kanë lidhur këmbë e duar popullin shqiptar dhe sikur të mos mjaftonte kjo i kanë vënë edhe thikën në fyt!

     Po le të kthehemi te rasti i pronarit të restorantit që nuk ishte regjistruar asgjëkundi dhe nuk kishte marrë asnjë lloj leje për aktivitetin që ushtronte!

     Si është e mundur një neglizhencë e tillë?! Përgjigja është e thjeshtë: E para: – korrupsioni. Ky pronar me siguri që diku e ka “lyer rrotën e qerres”! Dhe e dyta është indiferentizmi i organeve lokale për të ndjekur dhe kontrolluar çdo aktivitet që zhvillohet në territorin e tyre.

     Në këtë rast na vjen në ndihmë eksperienca e vendeve më të zhvilluara, por edhe ajo e kohës së Zogut.  Që të arrisht të mbledhësh taksat, qoftë edhe të një shitësi ambulant, qeveria duhet të ngarkojë pushtetin vendor. Deri në qelizën e tij më të vogël. Pra deri te komuna. Çdo kryetar komune duhet të jetë i interesuar të mbledhë taksat e banorëve të tij, se falë këtyre taksave ai mund të përmirësojë jetën e tyre.

     Por që të arrihet që kryetari i komunës dhe organizmat  që varen nga ai të jenë të interesuar të mbledhin taksat e çdo individi dhe punishteje duhet që një pjesë e tyre të kalojë në favor të komunës ! Pra 10 përqind e taksave të mbledhura ta zëmë në komunën e Bilishtit t’i mbeten komunës. Përveç atyre që mund të investojë vetë shteti për mirëmbajtjen apo ngritjen e ndërmarrjeve të caktuara.  Me këto të ardhura nga taksat komuna  ndihmon njerëzit në nevojë, por edhe mirëmban apo zbukuron qëndrën e komunës ose psh rrugët e kategorisë së tretë.

      Vetëm ndërmarrjet nacionale, siç janë psh minierat, hidrocentralet etj etj mund t’i shmangen këtij rregulli. Atyre taksat dhe fitimin ua mbledh shteti. Nga ana e vet pushteti qëndror, psh i bashkisë, ushtron kontroll ndaj çdo aktiviteti prodhues të komunave që janë në vartësi të tij, si psh liçencën për të drejtën e ushtrimit të profesionit, pagimin e taksave etj etj.

       Të mos kesh rend, që banditët të mos pyesin për ligjin, që çdokush të bëjë sipas kokës së vet – kjo do të thotë që vendit i mungon  totalisht shteti me gjithë organizmat e tij të shtrëngimit dhe detyrimit.

       Pyetja shtrohet: A është i aftë Rama të bëjë shtet?! A do ai të bëjë shtet apo i mjaftojnë udhëtimet, takimet dhe lavdërimet nga të huajt?! Të cilët kanë interest e tyre dhe aq u bën për mbarëvajtjen e shtetit shqiptar.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment