Zhgënjimi i madh. 10 vjet kryeministër dhe as ligj dhe as rend

       Një valë zëmërimi pushtoi opinionin vendas kur një vajzë e vogël humbi jetën nën helikat e një skafi që po harbonte në detin pranë Himarës. Për më shumë ky skaf drejtohej nga një shef policie! Dikush e quajti vrasje shtetërore. Dikush tjetër një vrasje të paralajmëruar. Një hienë e njohur u përpoq edhe ajo të përfitonte nga kjo ngjarje makabër për të mobilizuar opinionin publik kundër qeverisë. Që “ai” të rivinte për herë të tretë në pushtet! Duke bërë sikur kishte harruar grumbullin e të vrarëve që kishte shkaktuar po vetë gjatë sundimit të tij të parë dhe të dytë!

       Megjithatë ka një të vërtetë të pamohueshme dhe të tmerrshme. Në Shqipëri, që prej 32 vjetësh, vazhdojnë të sundojnë “të fortët”, lacat e lagjeve, banditët dhe kriminelët. Injoranca e shoqëruar nga dhuna ka marrë dhenë.

         Megjithatë habitesh kur shikon plazhet e vendit  ku janë ngritur aq shumë hotele dhe resorte luksoze! Nga kush dhe si?! Nga dy kategori njerëzish. Së pari nga ata që janë marrë me krime në Perëndim. Së dyti nga oligarkët dhe politikanët e pafytyrë që kanë përfituar nga pushteti. Që kanë përfituar nga nxjerrja në ankand e pasurive kombëtare dhe publike dhe janë bërë milionerë. Nga shitja e Shqipërisë.  Ka të tjerë që janë pasuruar duke u marrë me drogë. Duke sulmuar pleqtë e vetmuar në shtëpitë e tyre. Që kanë trafikuar vajza dhe gra shqiptare dhe të huaja për prostitucion. Këta janë bërë sot zotërit e vendit. Disa po i riciklojnë paratë e krimit duke blerë edhe miniera nga ku nxirret kromi apo bakri. Por shumica kanë investuar në pasuritë e patundshme, hotele, pallate etj etj. Kanë zaptuar edhe pjesët më të mira të plazheve të vendit! Duke i kthyer në pasuri personale!

           Si është e mundur të lejohet shitja e plazheve privatëve?! E një pasurie publike që den baba den ka qënë e të gjithëve dhe e askujt. Sot në copën e plazhit të « tij »  askush nuk ka të drejtë të qëndrojë aty, pa paguar për shezlongun, shishen e ujit, çadrën e diellit ! Ndryshe…

       Si arriti kjo kohë ?! Kjo ishte Shqipëria që deshëm ?! Shqipëria ku sundon llumi dhe makutëria ?! Po qeveria ku është ?! Pse ajo dhe të tjerat para saj kanë lejuar privatizimin e plazheve dhe të mbarë pasurive kombëtare?! Ku e kanë gjetur këtë të drejtë.

      Sot në Shqipëri  është e qartë për të gjithë se kapitalizmi është ndërtuar për së mbrapshti. Ose më mirë për së mbari! Por është ndërtuar kapitalizmi i Far West-it. I atij që është më i fortë, më i fuqishëm, më me pushtet. Është kapitalizmi i xhunglës.

      Njerëzit janë të zhgënjyer. Janë të zhgënjyer nga sistemi që zëvendësoi atë të shkuarin. Janë zhgënjyer nga qeveritë dhe politikanët që kanë zëvendësuar njeri tjetrin gjatë këtyre 32 vjetëve kapitalizëm kleptokratik. Qeveri që kanë ndjekur të gjitha të njëjtën politikë antipopullore : merrja publikut dhe jepja privatit !

      Kjo politikë po ndiqet me tërbim sot edhe nga « I Gjati ». Meqë e mban veten për antikomunist dhe në fakt është, ai nuk do ta dëgjojë fjalën  “ e përbashkët”, “shtetërore”, “publike” etj etj. Gjithçka ia ka lënë në dorë oligarkëve. Asnjë ndërhyrje shtetërore në politikat ekonomike. Për më shumë meqë në kohën e Enverit kishte rregull dhe ligj (edhe më shumë seç duhej ), artistit sportist i mungon vullneti apo dëshira për të bërë kriminelët dhe oligarkët “zap”!

      Vettingu aq i përfolur ecën me hapa breshke. SPAK-u mbyll sytë për krimet e përbindshme të ngjara gjatë këtyre 32 vjetëve dhe merret me një arkë peshku! Administrata dhe drejtësia edhe sot e kësaj dite janë të mbushura nga falangat dhe militanët e Berishës, por kjo “Të Gjatin” duket se nuk e shqetëson asapak!

      Ka dhjetë vjet si kryeministër dhe nuk ka hartuar ende një plan strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit! Qeverinë e ka mbushur me të paaftë që e kanë mëndjen si të përfitojnë, të bëjnë qef dhe mundësisht edhe ndonjë lek dhe jo të mendojnë për të mirën e përbashkët. Dhe kur ministrat e tij kapen me “presh” në duar, kryeministri i lan duart si Ponc Pilati : » ç’më duhet mua se çfarë bëjnë ministrat e mi » ! Kjo është përgjigja e tij zyrtare dhe publike ! I papërgjegjshëm për rolin që ka nga koka te maja e këmbëve. « Nëqoftëse nuk më doni mua, aty e keni Berishën me Metën » – është mburoja e tij politike.

     32 vjet kaos, anarshi, vjedhje, grabitje – kjo është Shqipëria e sotme. Dhe vrasja e një vajze të vogël në Himarë veçse zbulon plagët nga të cilat vuan vendi. Mungesën e një « dore të fortë» për të vënë ligjin në vend. Sundimin e Shqipërisë nga bandat dhe të fortët. Apo nga oligarkët dhe politikanët e korruptuar dhe hajdutë. Mungesën totale të një drejtësie të vërtetë. Dhe si rrjedhojë dëshpërimin e njerëzve. Zhgënjimin e tyre të papërshkrueshëm. Që e gjen shprehjen e vet në largimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë nga vendi i të parëve. Kjo është Shqipëria e sotme ! 32 vjet pas demonstratave për demokraci dhe 10 vjet që kur Rama është bërë kryeministër !

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment