Kryetari i njërit nga dy fraksionet e PD-së, i quajtur Alibeaj, pohoi se grupi i tij parlamentar ka përgatitur edhe një projekt-ligj tjetër, (përveç atij që ka të bëjë me dosjet e spiunëve të ish – sigurimit) rreth historisë dhe simboleve të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Aty ai, Alibeaj, kërkon shumë gjëra, aq sa të duket se sikur të ishte për të, ai do ta zhdukte nga historia e vendit dhe kokat e njerëzve krejt epokën social/komuniste të viteve 1945 – 1990! Alibeaj ankohet se gjatë asaj periudhe është deformuar dhe shtrembëruar historia.
Pa dyshim që gjatë asaj kohe historia dhe faktet janë ndryshuar sipas midesë së Enver Hoxhës. Kështu psh një ditë ishe Hero i Popullit ndërsa ditën tjetër shpalleshe poliagjent!
Historinë, siç thuhet, e bëjnë gjithmonë fitimtarët dhe Enver Hoxha doli fitimtar nga Lufta e Dytë Botërore. Prandaj e ka bërë historinë siç i ka dashur qejfi. Deri në vitin 1985!
Megjithatë ka disa fakte, ndodhi, ngjarje që nuk mund të fshihen dhe as të eleminohen nga historia dhe kujtesa e njerëzve. Sado që dikujt nuk i vjen për mbarë. Ballaban Pasha, Hamza Kastrioti, Haxhi Qamili, Esat Pasha ngelen me damkën e tradhtarit në kurriz, sido që të vijë puna. Kështu ngjan edhe me ata që i shërbyen Duçes dhe Italisë fashiste.
Dihet që parlamenti në atë kohë i dhuroi mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit, kurorën e Skënderbeut. Një numër i madh prej atyre që dikur i kishin shërbyer si funksionarë të lartë apo të mesëm Dovletit dhe Zogut u vunë menjëherë në shërbim të pushtuesit fashist. Disa u bënë ministra, disa kuestorë, disa milicë etj etj. Të gjithë këta thirren shkurtimisht tradhtarë dhe kolaboracionistë. Dhe këtu nuk ka asgjë për tu ndryshuar dhe as që mund të ndryshohet.
Pa dyshim që ka nevojë edhe për saktësime për retush, por faktet mbeten fakte. Dhe ato nuk mund t’i ndryshojë askush. I pëlqen apo nuk i pëlqen koha e Zogut, e Enverit apo e kujtdo tjetër.
Që dosjet e spiunëve të ish – sigurimit duhet të hapen kjo nuk mund të vihet në dyshim. Shumë të ndyrë dhe të poshtër si njerëz ata që kanë pasë spiunuar shokët e tyre. Ndofta nga frika, ndofta nga dëshira për të bërë karrierë, për të “siguruar” Tiranën etj etj. Por problemi nuk janë vetëm ish – bashkëpunëtorët e sigurimit. Diktatura në rradhë të parë u mbështet te partia e punës, pra te ata që quheshin komunistë. Rreth 120 000 veta. Ata punonin 24 orë në ditë për mbarëvajtjen e atij sistemi. Disa prej tyre janë sot ende në parlament! Disa të tjerë shkruajnë për ditë në mediat vendase, ku na hiqen edhe si të persekutuar!
Çfarë duhet bërë me ta?! Ata kanë qënë edhe më të këqinj dhe të rrezikshëm se spiunët. Pa firmën e tyre apo të organizatës bazë nuk bëhej asgjë! A duhen përjashtuar edhe ata nga çdo post apo vend pune shtetëror ?! Aq më shumë që pothuajse të gjithë komunistët deri më 1990-tën sot janë në pension ose në prag pensioni.
Dakort. Po si do bëhet me gazetarët, artistët, këngëtarët, shkrimtarët që i shërbyen po ashtu atij regjimi ?! Po me oficerët , policët, gjykatësit etj etj ?! E keqja është se nuk di ku të ndalosh. Sepse dihet që në atë regjim ose do t’i shërbeje atij sistemi, ose ai do të të bluante në mokrrat e tij. Pra të gjithë në një mënyrë a në një tjetër i shërbyem atij.
Por jo në mënyrë të barabartë. Një kooperativist, një mekanik apo minator nuk mund të mbajnë të njëjtën përgjegjësi si « elita e regjimit », ku shumica përbëhej nga komunistët që të merrnin « gjak në vetull » për atë parti ! Sot një pjesë e tyre e kanë kthyer gunën. Duke përfshirë këtu deri edhe kryeprokurorin e kohës së Enver Hoxhës. Pa folur këtu për shumë kineastë, shkrimtarët, gazetarë, skulptorë, piktorë etj etj.
Por më shumë sesa dënimi apo denoncimi individual i ish spiunëve apo edhe i ish komunistëve, ai regjim meriton të vlerësohet apo të gjykohet në rradhë të parë për të mirat apo dhe të këqijat e pamohueshme që i solli vendit. Dhe këtu përplaset gjysma e Shqipërisë me gjysmën tjetër. Sidomos kur vëjnë ballë për ballë arritjet gjatë 45 vjetëve të socializmit diktatorial me 32 vjetët e sotëm të kapitalizmit kleptokratik.
Epoka komuniste pa dyshim ka qënë një epokë e shtypjes më të egër të të drejtave të njeriut. Shqiptarit të shkretë iu hoq edhe e drejta themelore që i ishte falur nga Zoti ! Ajo që të thoshte fjalën e tij, mendimin që kishte. Se papritur fjala jote mund të merrej si kritikë ndaj socializmit. Dhe 7 vjet burg ishte minimumi. Dhe për këtë vigjilonin spiunët dhe komunistët e shumtë të atij regjimi.
Por nuk mund të mohohet se gjatë asaj epoke janë bërë edhe vepra të papërsëritshme. Shqipëria ndrroi faqe dhe u zhvillua si kurrë më parë. Enver Hoxha e la Shqipërinë me rrugë dhe hekurudha, me hidrocentrale dhe rrymë elektrike në çdo fshat. Me uzina, spitale, kombinate, me një ushtri të fortë, me një armatë të shkolluarish etj etj. Dhe pa asnjë lek borxh! Nga 1 million sa ishte Shqipëria më 1945 arriti në 3.5 million në 1985 ! A mund të hidhen poshtë këto arritje?! Atëhere si i bëhet?! Do të bëjmë tani Patër Harapin Hero të Popullit për inat të Enver Hoxhës?! Apo ata që i dhuruan mbretit të Italisë kurorën e Skenderbeut?!
Në Shqipëri gjatë luftës ka pasur 2 kampe: nacionaliçlirimtarja komuniste dhe kolaboracionistët fashistë! Fatkeqësisht “nacionalistët” e Ballit bashkëpunuan me fashizmin dhe nazizmin! Atëhere çfarë do ndryshohet?! Bashkëpunëtorët e fashizmit do të shpallen heronj?! Këto punë nuk bëhen me dekrete dhe ligje.
Nëqoftëse regjimi i Enver Hoxhës e ka përçudnuar historinë, Alibeaj me shokë mund ta sqarojnë dhe ta vejnë në vend. Me fakte, dëshmitarë, argumenta. Ka 32 vjet që komunizmi është përmbysur në Shqipëri dhe në mbarë Europën. Por me përjashtim të ndonjë bunkeri apo muzeumi nuk është bërë asgjë me vlerë për të demaskuar krimet e asaj periudhe. Është rehabilituar edhe kryetari i Ballit Kombëtar, Mithat Frashëri!
Ekzistonte një rrugë shumë e thjeshtë për të zhdukur nga kujtesa e njerëzve epokën bardhë e zi të diktaturës komuniste. Që në këto 32 vjet Shqipëria ta kishte tejkaluar epokën e Hoxhës në të gjitha fushat. Që Shqipëria sot të ishte edhe më e fuqishme dhe krenare se në kohën e diktaturës. Që ato 400 fabrika, uzina, kombinate të ngritura në atë kohë të kishin vajtur sot në 800. Që arsimi, shëndetësia, siguria në rrugë ta kishin tejkaluar kohën e Enver Hoxhës.
Por këta që e zëvëndësuan atë sistem duket se e patën mendjen vetëm për të vjedhur dhe grabitur! Për të shitur apo dhënë me koncesion të gjitha pasuritë kombëtare! Uzinat dhe fabrikat i zëvendësuan me firmat piramidale! Dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto batërdira, këta, në emër të popullit shqiptar, kanë marrë dhe 8 miliardë euro borxh! Ku kanë vajtur gjithë këto para?! Kush do t’i paguajë ?! Si do t’i paguajë ?! Kush meriton të kritikohet më shumë sot?!
Prandaj lufta e Alibeajt kundër sistemit të shkuar ka për të pasur po aq sukses sa ajo e Don Kishotit me mullinjtë e erës !
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment