A janë shqiptarët në pragun e lumturisë, siç thotë Rama ?!

         Dy ditë më parë në Tiranë u kremtuan me solemnitetin e duhur dy ngjarje të mëdha : 100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve dipolomatike me aleatin tonë të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çelja e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Me këtë rast edhe kryeministri më afatgjatë në vend gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit nuk u përmbajt dot më dhe në një mesazh drejtuar bashkëkombasve të tij u shpreh se shqiptarët jetojnë sot në ditët e tyre më të mira. U kthyem andej nga ka qënë vokacioni i popullit shqiptar gjatë 5 shekujve të fundit, drejt Amerikës dhe Europës, –  vuri në dukje me entuziazëm i pari i qeverisë shqiptare.

        Dhe këtu ai ka plotësisht të drejtë. Kanë qënë rilindasit tanë të shquar që të parët kanë përcaktuar që para një shekulli orientimin properëndimor të kombit shqiptar. Ishte koha e lumtur kur populli shqiptar sapo ishte shkëputur nga zgjedha afro pesë shekullore osmane. Rilindasit e shihnin tani të ardhmen e kombit të Skënderbeut në lidhjen me pjesëm më të qytetëruar dhe të përparuar të globit. Atje në Perëndim ku Dielli lind për shqiptarët është  e ardhmja jonë – pohonin me bindje të plotë Grameno, Fishta, Noli, Frashërllinjtë e famshëm etj etj.

      Dhe kjo ditë erdhi. Pas mundimesh dhe devijimesh të shumta. Aq sa për pak e humbëm edhe rrugën dhe rrezikuam të përfundonim në fund të pusit. Sidomos kur u lidhëm,veçse për arsye ideologjike, me Jugosllavinë e Titos ! Pastaj me sllavët dhe më vonë me kinezët. Rënia e perandorisë sovjetike si dhe reformat komuniste – kapitaliste në Kinë ndryshuan edhe prioritetet e politikës së shtetit shqiptar. Më në fund ai u kthye andej nga Dielli perëndon- siç ëndërronin edhe rilindasit tanë të shquar.  Me aleatin tonë natyral dhe strategjik, Amerikën.

        Deri këtu gjithçka mirë e bukur.  Pa asnjë dyshim se ky ndryshim historik kursi që nga koha e Skënderbeut i shkon shumë për shtat interesave afatgjata të kombit shqiptar. Prandaj ndofta ne jemi edhe kombi më proamerikan në Ballkan. Sepse njihen lidhjet strategjike shumëshekullore të Serbisë me vëllain e saj të madh Rusinë.  Nga ana tjetër Greqia ka pasur shpesh herë në momentet kyçe përkrahjen e Britanisë apo Gjermanisë. Në Maqedoninë fqinje ka forca sa properëndimore, por po aq edhe prosllave. E njëjta gjë në Mal të Zi apo Bullgari. Ndërsa Rumania sytë i mban nga Gjermania, por pa harruar Amerikën.

       Ndërsa shqiptarët sytë dhe zemrën i kanë veçse  nga Amerika. Ndërsa Europën,megjithëse e duan dhe e vlerësojnë e shohin gjithmonë me njëfarë dyshimi, duke mos harruar qëndrimin e fuqive të mëdha europiane në ndarjen dhe copëtimine vendit.

        Mirëpo, dhe këtu kthehemi te pikëpyetja kryesore : A janë shqiptarët sot të lumtur dhe të kënaqur ?!- siç pohon kryeministri. Orientimet madhore politiko- strategjike janë me rëndësi kapitale për çdo komb, por a mjaftojnë ato për ta bërë një popull të lumtur dhe të begatë ?! Si spjegohet atëhere që shqiptarët vazhdojnë të jenë kampionë botërorë të largimit nga vendi i tyre në raport me përqindjen e popullsisë ?! A nuk kanë paguar shqiptarët një çmim të lartë gjatë këtyre 30 viteve demokraci ?! Sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik. Sot kur po flasim apo po shkruajmë, borxhi i vendit, pra i shqiptarëve, po i afrohet 100 përqindëshit të GDP-së, prodhimit të brendshëm bruto. Dhe ky borxh duhet paguar një ditë, plus interesin. Po si mund ta paguash ti këtë borxh kur në të njëjtën kohë ke privatizuar, shitur apo dhënë me koncesion të gjitha pasuritë kombëtare të vendit ?!

   Para pak ditësh ambasadori Italian në Tiranë mburrej se Italia po investonte në Shqipëri ! Ndër të tjera ai pohoi me krenari se një firmë italiane paska blerë edhe një hidrocentral në vend ! Po ku jemi këtu?! Në Afrikë ?! Si u shitka edhe lumi, edhe hidrocentrali dhe  u quaka investim ?!

    A mund të jetë dikush i lumtur se ka miq të fuqishëm, por në të njëjtën kohë ka shitur apo dhënë me kredi të gjitha pajisjet e shtëpisë së vet ?! Kolltuqet, divanët, dollapët, rrobalarësen, televizionin, frigoriferin deri edhe rrobat e trupit ?! Kjo duket se ka ngjarë me shqiptarët gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit.  Janë shitur, privatizuar apo dhënë me koncesion burimet ujore, nafta, kromi, bakri, nikeli, pyjet, hidrocentralet, bankat etj etj. Shqiptarët, zotërit e vendit, kanë ngelur me gisht në gojë. Pasuria publike, ajo pasuri që formon bazën e begatisë së çdo vendi është “avulluar”! Kanë ngelur vetëm borxhet që një ditë duhen paguar medoemos dhe sytë për të qarë!

    Shihet se politikanët shqiptarë janë shumë të kënaqur dhe të lumtur me veten e tyre. Dhe kanë të drejtë. Askush nga ata nuk ka ngelur pa vila në vende piktoreske. Pa para të thata që u mundësojnë të vizitojnë edhe vendet më ekzotike dhe turistike të botës ! Po shqiptarët e thjeshtë ?! Ata duhet të jenë të lumtur sepse jemi drejtuar andej nga duhet – porosit kryeministri.

    Dhe nëse nuk janë të lumtur faji është veçse i tyre !

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment