Tranzicioni në Shqipëri ka përfunduar me kohë e me vakt

    Ka 30 vjet që klasa politike shqiptare vazhdon ta nanurisë popullin me dy ëndrra të bukura : fundi i tranzicionit dhe hyrja në Bashkimin Europian ! Dy ditë më parë ishte kryetarja e LSI-së së ndjerë Monika Kryemadhi që deklaroi se po të arrestoheshin ky dhe ai tranzicioni në vend do të merrte fund ! Çfarë gënjeshtre e paturpshme. E denjë për politikanët që e kanë xhvatur këtë vend gjatë këtyre 3 dekadave të ashtuquajtura demokratike !

    Në një kohë që duhet të jesh budalla i madh që të mos kesh kuptuar se tranzicioni në Shqipëri ka përfunduar me kohë e me vakt. Por papritur lind pyetja : por çfarë kuptojmë me tranzicion ?! Me tranzicion e thënë thjesht kuptojmë kalimin nga sistemi i centralizuar komunist në atë kapitalist të tregut të lirë. Sepse dallimi themelor ndërmjet komunizmit dhe kapitalizmit është pikërisht pronësia mbi mjetet e prodhimit. Pra mbi tokën, burimet e saj nën dhe mbitokësore siç janë mineralet, psh kromi, bakri, nikeli etj etj. pastaj nafta, uji, lumenjtë, pyjet, lëndinat, fabrikat, hekurudhat, bankat e të tjera.

      Ma një fjalë në momentin që ky kalim nga pronë publike shtetërore në atë private është kryer, në atë moment edhe tranzicioni ka përfunduar. Dhe tjetërsimi i pronës publike në Shqipëri ka kohë që ka marrë fund. Sot jetojmë në sistemin kapitalist të mirëfilltë. Por në ndryshim nga ai i vendeve perëndimore në Shqipëri kemi të bëjmë me kapitalizmin e egër. Me kapitalizmin e denoncuar jo vetëm nga Marksi, por edhe nga Zola, Balzak, Hegel, Kejnes etj etj.

      Një tjetër tipar i kapitalizmit të egër është edhe lindja e oligarkëve. Me një fjalë të atyre njerëzve, që të lidhur pas pushtetit të rradhës, marrin në zotërim pasuri të pafundme, në emër të « reformave ». Sot po flitet me të madhe për oligarkët rusë. Por oligarkë të tillë ka plot edhe Shqipëria. Tenderat për inceneratorë, koncesionet e pasurive natyrore etj etj janë terreni më i përshtatshëm për lindjen e klasës së oligarkëve, ose ndryshe i borgjezisë.  Shqiptarët po e njohin sot se çfarë është oligarkia. Grumbullimi i pasurive kombëtare dhe I kapitalit financiar në një dorë njerëzish. Por bota e ka njohur dhe provuar mbi kurriz këtë soj që para 2 – 3 shekujsh. Rokfeller, Morgan dhe kompani kanë qënë oligarkët e parë në botë.

         Një tregues tjetër i vendosjes në vend të sistemit kapitalist është edhe e ashtuquajtura pavarësi e gjyqësorit. Që do të thotë që disa gjykatës, si psh të Gjykatës së Lartë, kanë kompetenca të hedhin poshtë apo të ndryshojnë edhe vendimet e një parlamenti legjitim të zgjedhur nga i ashtuquajturi “Sovran”! Por kush është në fakt tani sovrani?! Të zgjedhurit nga populli apo të zgjedhurit nga një kastë drejtuese që u ka dhënë këtyre përfaqësusve të drejtësisë një super pushtet të pamerituar?!

    Pra jemi me të dy këmbët brenda sistemit kapitalist të pronës private. Nuk ekziston më as dyshimi më i vogël i përfundimit të tranzicioit ekonomik dhe politik në vend. Që gjen shprehjen në kalimin e plotë të pasurisë publike në atë private.

   Po si spjegohet atëhere që kasta drejtuese bën të paditurën ?! Përgjigja është e thjeshtë : se ashtu u intereson. Kjo kastë, në të cilën bëjnë pjesë politikanët që kanë drejtuar vendin këto 30 vjet, oligarkët, sistemi gjyqësor dhe mediat, duke folur pa pushim për fundin e tranzicionit dhe hyrjen në Bashkimin Europian veçse përpiqen të vëjnë në gjumë koshiencën  e popullit shqiptar. «  Ja edhe pak. Sa të hyjmë në BE dhe hallet tuaja do të zgjidhen menjëherë. Ja sa të përfundojë edhe ky tranzicion I mallkuar dhe do të jemi të gjithë të begatë dhe të lumtur. Edhe pak durim”! Kjo është propaganda mashtruese e kastës për të vënë në gjumë njerëzit. Sa shumë i ngjan kjo propagandë asaj të komunistëve të dikurshëm se do të vijë dita që do hamë të gjithë me lugë floriri! Kur duhej të çohesh në 3 të natës për të siguruar 1 litër qumësht për familjen. Më pas gëzoje edhe privilegjin të haje edhe një pulë hungareze në javë!

        Duke mos siguruar dot për njerëzit e thjeshtë as begati dhe as liri komunizmi u shemb me shpejtësi nga vetë popujt e zhgënjyer keqas. Dhe mirë bëri. Me këtë rast më vjen në kujtesë shprehja e një gazetari Italian, Françesko Alberoni, i cili në vitin 1990 shkruajti te e përditëshmja italiane “Corriere delle Sera” se komunizmi tani lindi! Që do të thoshte se deri më sot komunizmi ishte një sistem diktatorial gazerme, por komunizmi i vërtetë do të lindë më vonë, duke pasë mësuar nga gabimet e veta. Një profeci e bukur, por ndofta e parealizueshme.

    Sidoqoftë shqiptarët nuk kanë pritur shumë as të realizohen profecitë, as të përfundojë tranzicioni. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, ndofta pjesa më e kultivuar, e kanë lënë Atdheun dhe janë nisur andej nga Dielli perëndon. Kanë mbetur në vend pleqtë dhe gratë, fatkeqët që nuk kanë mundur të largohen dhe po ashtu ata që përfitojnë nga korrupsioni  i përhapur në çdo qelizë të shoqërisë në sajë të postit që mbajnë dhe shfrytëzojnë. Por kanë mbetur edhe përfaqësuesit e sistemit të “drejtësisë”, pothuajse të gjithë me miliona dhe me vila, politikanët, oligarkët dhe gazetarët dhe analistat e majmur dhe të superpaguar për të vënë në gjumë popullin.

     Për ta tranzicioni mos mbaroftë kurrë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment