A po vjen ora e « mbrame » për Sali Berishën ?

     Kur flasim për orë të « mbrame » nuk e kemi fjalën kurrsesi për një fund të shpejtë fizik. Përkundrazi. Sali Berisha me energjinë që e karakterizon duket se mund të jetojë edhe 10 ose 20 vjet të tjera. Jo. Fjala është për fundin e tij politik. Dhe pse jo edhe atë të të qënit njeri i lirë.

     Dhe sot, më shumë se kurrë më parë, Berisha ka arsye të tutet. Sot që president nuk është më Ilir Meta. Por një farë Begaj, pothuajse i panjohur deri një muaj më parë nga shumica e shqiptarëve.

       Me të Berishën nuk e lidh asgjë. Ndryshe nga sa ka ngjarë me pothuajse të gjithë presidentët e mëparshëm. Duke filluar nga Mejdani, Mojsiu, Topi, Nishani dhe deri te ky i fundit që i dorëzoi çelësat e zyrës vetëm pak orë më parë. Të gjithë këta ishin në një farë mënyre të lidhur me Berishën. Shumicën ai i kishte zgjedhur me dorën e vet në këtë post. Të tjerë i ishin mirënjohës edhe për arsye të tjera. Deri më tani ishte pothuajse e pamundur të zgjidheshe në postin e lartë të të parit të shtetit pa kaluar më parë nga zyra e Berishës dhe pa marrë aprovimin e tij.

       Por gjërat sot duken ndryshe. Begaj është zgjedhur thjesht me votat e socialistëve. Dhe ai, pra Begaj, duket se është dikush që as edhe një kafe nuk ka pasur rastin të pijë me ish kryeministrin. Dhe kjo është pothuajse e padurueshme për të. Retë e zeza po i grumbullohen sipër kokës. Pak ditë më parë u shpall non grata edhe nga Britania e Madhe. Dhe sot zgjidhet për president dikushi që nuk i detyrohet për asgjë !

       Sepse ta kesh për vete institucionin e presidencës nuk është sidokudo. Presidenti, sado formal të jetë, ka disa kompetenca që nuk mund t’ia mohosh apo anullosh si do që të vijë puna. Një nga këto kompetenca është edhe ajo e faljes. Në rast se do  ose e sheh të arsyeshme, presidenti mund të falë edhe një të dënuar me burgim të përjetshëm, pa i dhënë llogari askujt. Sepse kështu është sanksionuar edhe në kushtetutë. Por pikërisht këtu rreh edhe çekani.

        Deri më sot shumëkush e kishte bërë « hasha » Edi Ramën, megjithëse i kishte dhënë votën, për paaftësinë apo mosdashjen e tij për të vënë para përgjegjësisë ligjore, Sali Berishën. Dhe shumëkush e di, pa përjashtuar këtu as Uashingtonin dhe as Londrën, se Sali Berisha e ka pasë mbushur dhe derdhur kupën disa herë me rradhë. Si spjegohet që ai nuk është përgjigjur për asnjë nga krimet e tij, duke filluar nga ’97-ta, ’98-ta, Gërdeci, shitja e detit, 11 janari etj etj?!

       Këtyre akuzave deri më sot Rama u përgjigjej me një qetësi që të ngrinte nervat : Unë nuk jam as prokuror dhe as gjykatës !

      Pyetja shtrohet : Rama nuk ka dashur apo nuk ka mundur ta dënonte Berishën për zullumet e tij, që kanë marrë jetë të shumta njerëzish si dhe kanë djegur dhe shkretuar vendin. Sidomos gjatë viteve 1992 – 1998. Pa folur që gjatë vitit 1996 SHIK- u famëkeq i Gazidedes i  theu edhe dhëmbët Ramës, kur ky po protestonte ndaj vjedhjes së votave!

       Por sa do të vlente deri më sot një dënim i Berishës, kur ai siç thamë ai i ka pasur të gjithë presidentët e mëparshêm në xhep ?!  Ditën tjetër pas dënimit, Berisha do të lirohej me dekret presidencial nga Meta, Nishani, Topi a kushdo tjetër. Dhe më e keqja në këtë mes do të ishte se me kaq mbyllej edhe cikli Berisha. Ishte fajtor, u dënua dhe u fal! Në asnjë vend të botës nuk mund të dënohesh dy herë për të njëjtin faj. Pra cikli mbyllej një herë e mirë.

      Rama me siguri që ka qënë i ndërgjgjshëm për këtë mundësi. Prandaj ndofta e ka mbajtur frerin ndër dhëmbë deri më sot. A thua që ai ka pritur me durim orën e tij, siç pret gjarpëri nën gur prenë e tij ?! Askush nuk di gjë. Por ajo që dihet me siguri është se : ish  kryeministrin sot nuk ka kush ta mbrojë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment