Ja përse disa kërkojnë media « të pavarura » !

      Ka dy ditë që opinioni shqiptar po ndjek me vëmendje, ndër të tjera, edhe « luftën »  e pashpallur ende ndërmjet drejtorit të doganave shqiptare, Gent Gazheli, me biznesmenin dhe pronarin e disa mediave të njohura në vend, Irfan Hysenbelliu.

      Ishte Gazheli i pari që u ankua se disa media po  përpiqeshin ta diskreditonin vetëm se  ai po përpiqej të bënte punën e tij. Ai pohoi dy ditë më parë se biznesi i një pronari të fuqishëm mediatik është gjobitur për evazion fiskal në përputhje me ligjet në fuqi. Por fill pas këtij vendimi, sipas tij, ka nisur një sulm i menjëhershëm shpifjesh dhe denigrimi nga mediat e kontrolluara nga ky person.  Sipas drejtorit të doganave shqiptare këto sulme organizohen nga biznesmeni dhe pronari i disa mediave të fuqishme në vend, Irfan Hysenbelliu.

       Sipas tij sulmet e kanë nismën te një gjobë e vendosur ndaj “Birra Tirana” për evazion fiskal. Siç shihet edhe kjo fabrikë i përkiska Hysenbelliut !

        “Dje nuk përmenda emra, por pronari i News 24, BalkanWeb-it dhe Panorama zoti Irfan Hysenbelliu është betuar që nuk do të m’i falë borxhet që u detyrua t’i paguajë shtetit! Prandaj mediat e tij janë hedhur në një sulm personal me shpifje dhe fyerje personale, sapo “Birra Tirana” ka marrë gjobën e merituar sipas ligjit për fshehje të ardhurash në një shumë të konsiderueshme!

       Për më shumë këto media  nuk e publikuan reagimin tim edhe pse ai nuk fliste me emër as për ato dhe as për organizatorin e këtij sulmi për shkak të detyrës, zotit Irfan Hysenbelliu! » – deklaron Gazheli.

        « Sot detyrohem t’i tregoj me gisht dhe të ndaj me publikun se pasi kam informuar autoritetet shtetërore do të informoj edhe trupin diplomatik edhe shoqatat vendore dhe ndërkombëtare të mediave.

         Nuk dua të hap për momentin gjyq me zotërinë, për të cilin thuhet kudo se është gjobvënës mediatik, por tani që po e provoj në kurriz egërsinë kriminale të shpifjeve të këtyre mediave do ta vlerësoj me zyrën juridike një gjyq për reputacionin e Doganës Shqiptare!

        Me shpresën që mediat e tjera do ta publikojnë këtë deklarim publik, i them zotit Irfan dhe të gjithë irfanëve të tjerë që janë mësuar të shijnë në kurriz të shtetit me maskat e medias, se mua nuk më lëkundin dot në zbatimin e ligjit fiskal!”, thekson drejtori i doganave shqiptare.

      Në fakt opinioni publik shqiptar ka kohë që nuk e kupton se përse i duhen një biznesmeni të zotërojë disa media?!  Aq më shumë që shumica e tyre dalin me humbje financiare ?! Dhe përgjigjja për çdo njeri normal është e thjeshtë : « Veçse për t’i bërë presion qeverisë »! O më jepni këtë ose atë, ose ju bëj lanet nëpër media! Ju shpall tradhtarë, hajdutë, të korruptuar etj etj – është mesazhi që përcjellin me anë të mediave të tyre këta biznesmenë të dalë nga hiçi.   « Dje quheshin banditë. Sot i thërresin biznesmenë » – ka shkruar për këtë racë të ndyrë Mario Pozzo, autori i librit bestseller me famë ndërkombëtare, « Kumbari » !    E pra nuk ka nevojë të shkosh shumë larg. Ky është korrupsioni, ky është shantazhi, ky është antishteti.

       Dhe këtu del fare qartë se përse disa duan një media « të lirë », së cilës nuk duhet t’i hyjë gjemb në këmbë çfarëdo që të bëjë dhe të shkruajë.  Një media që nuk do dëshironte kurrsesi të përgjigjej ligjërisht dhe juridikisht për shpifjet dhe sajesat e saj. Sado të rënda të jenë ato !     

       Janë pikërisht disa nga këta biznesmenë që qëndrojnë edhe pas shoqatave të gazetarëve që kërkojnë liri të pakufizuar shtypi ! Paturpësia e këtyre shoqatave arrin deri aty sa kur kryeministri nuk do të pranojë në selinë e qeverisë ndonjë gazetar provokator, këto shoqata ulurijnë dhe kujisin deri në majë të qiellit ndaj « diktaturës » që po u vendoska në vend !

      Për « përplasjen » Gazheli – Hysenbelliu ka folur edhe kryeministri. Rama ngre pyetjen si mund të luftohet me shpifjen apo qoftë edhe me akuzat legjitime në këtë vend, kur jo vetëm media që shpif apo akuzon, po edhe mediat e tjera s’ia japin të drejtën e fjalës personit publik të akuzuar?

     “Pyetja ime është: Si luftohet me shpifjen apo qoftë edhe me akuzat legjitime në këtë vend, kur jo vetëm media që shpif apo akuzon, po edhe mediat e tjera s’ia japin të drejtën e fjalës personit publik të akuzuar,nëse ky i fundit flet hapur për një shantazh nga një pronar mediash?!”-shkruan Rama në Twitter.

      Këtu nuk mund të rimë pa vërejtur një paralele të rrezikshme ndërmjet sistemit mediatik  me sistemin e korruptuar të drejtësisë. Edhe këta të dytët nuk duan të përgjigjen për vendimet e padrejta dhe abuzimet e tyre me ligjin. « Të lirë të bëjmë çfarë të duam, të marrim çfarë vendimi të na pëlqejë, të mos i japim llogari askujt » ! Ky është shteti që kërkojnë bashkërisht gjyqtarët dhe gazetarët e korruptuar, drejtësia dhe media !  Në fakt ky nuk është shteti, por antishteti. Rëmuja dhe rrumpalla me të cilën ishin mësuar biznesmenët hajdutë, gazetarët e papërgjegjshëm dhe gjykatësit e korruptuar të kohës së Berishës.

       Dhe nuk duhet të harrojmë se politika, biznesi, drejtësia dhe mediat janë 4 pushtetet që mbajnë në këmbë një shtet. Dhe kur këto kollona janë të kalbura kuptohet se çfarë shteti mund të kesh.

      Këto fakte dhe ngjarje dëshmojnë katërcipërisht  se e keqja ka hyrë tepër thellë në trupin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare sa që do të duhen dhjetëvjeçarë për ta shkulur. Dhe vetëm atëhere Shqipëria do të mund të kthehet në një vend normal.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment