Shumëkush e kujton me lemeri dhe trishtim Vitin e Mbrapshtë 1997, sikurse e ka cilësuar saktë Ismail Kadare. Dhe lutet që ajo ngjarje të mos përsëritet kurrë më në historinë e Shqipërisë. ’97 ishte vërtet një tragjedi për popullin shqiptar, që arriti në buzë të greminës. Por falë edhe ndërhyrjes shpëtimtare të Perëndimit, vendi shpëtoi pa rënë humnerë.
Megjithatë diçka më e tmerrshme se ’97 ka ngjarë gjatë këtyre 32 vjetëve të ashtuquajtura demokratike. Kësaj rradhe pothuajse pa tërhequr vëndjen e askujt, pa zhurmë dhe krisma, pa tituj bombastikë në faqet e shtypit vendas dhe të huaj. Pa zhurmë dhe pa bujë.
Por ajo që ngjau ishte e tmerrshme. Popullit shqiptar iu vodh pasuria e tij kombëtare. Papritur ai e pa veten të xhveshur nga çdo lloj prone e përbashkët. Dhe kjo ngjau pikërisht atëhere kur fjala « pronë » ishte shenjtëruar si kurrë më parë.
Por tani ishte fjala për një tjetër pronë. Atë private. Pa asnjë diskutim se prona private është sa e shenjtë aq edhe e dobishme. Por këtu nuk bëhet fjalë për një dyqan, apo qoftë edhe një ndërmarrje. Bëhet fjalë për pasuri publike që kapin shifrën e disa dhjetra miliarda eurosh, në mos më shumë. Bëhet fjalë për bakrin, nikelin, kromin, naftën, ujin e pijshëm, tokën e punueshme dhe atë për kullota. Flitet për pyje dhe lumenjtë. Bëhet fjalë pra për një pasuri që shqiptarët e të gjitha brezave e kanë gjetur apo trashëguar në Atdheu e tyre që prej kohëve që nuk mbahen mend. Largimi i Turqisë nga trojet tona mundësoi që këto burime të pashterrshme t’i riktheheshin pronarit të tij të ligjshëm, popullit shqiptar.
Pas shumë peripecive, gjatë së cilave ekzistenca e kombit shqiptar u vu në pikëpyetje, erdhi koha e Zogut. Relativisht Shqipëria u « qetësua » dhe u « normalizua ». Në pamje të parë. Pasi vendin e Turqisë e kishin zënë fuqi të tjera. Më të vogla, por po aq ambicioze dhe keqdashëse ndaj vendit tonë. Serbia dhe Greqia psh nuk i ndaluan asnjë çast përpjekjet e tyre për gllabërimin e të tjera territoreve shqiptare, përveç atyre që kishin grabitur më parë me ndihmën e Fuqive të Mëdha, sidomos Rusisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.
Italia e Musolinit veçanërisht i lëpihej pasurive natyrore të Shqipërisë. Dhe me dinakërinë e dhelprës ajo iu afrua oborrit mbretëror duke i premtuar se do ta ndihmonte Shqipërinë. Ushtria, xhandarmaria, transporti, arsimi u mbush me këshilltarë italianë. Por ajo që tërhiqte më shumë lakminë e Romës fashiste ishin pasuritë naftmbajtëse të vendit tonë. Dhe Musolini i kërkoi Zogut koncesione ndaj të gjitha fushave naftëmbajtëse të vendit. Dhe kështu edhe shqiptarët u njohën atëhere me fjalën koncesion. Pra që një pasuri të tënden ti të ia japësh një të huaji, apo pasaniku vendas dhe fitimin , në rastin më të mirë, ta ndani përgjysëm. Kuptohet se fitimi vjen nga diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve. Dhe sa më të larta të jenë shpenzimet, aq më i ulët është fitimi. Sidomos për ty që e ke dhënë « gjënë » me koncesion. Se tjetri i rrit shpenzimet sa të dojë. Një pajisje çpimi ai psh e blente në Itali për 1 milion lireta, por qeverisë shqiptare i paraqiste një tjetër fakturë ku çmimi ishte 2 milionë. Dhe 1 milonë liretat e mbetura drejt e në xhep ! Dhe kështu pa fund, saqë katandisej kokoshi një thelë. Siç ngjan në fakt edhe sot. Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron.
Me ardhjen në pushtet të komunistëve, pas Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha i anulloi të gjitha koncesionet që Zogu u kishte falur të huajve, sidomos firmave italiane dhe britanike të naftës. Perëndimi i bëri presion qeversë komuniste që ajo të njihet dhe respektonte traktatet e nënshkruara më parë nga Zogu. Duke e kërcënuar se në rast të kundërt Shqipëria nuk do të pranohej në OKB. Por Enver Hoxha nuk dëgjonte nga ai vesh. Dhe erdhi koha që Shqipëria nxirrte 2 milionë tonë naftë në vit. Pa folur këtu për kromin që « çante bllokadën ».
Por pas 45 vjetësh pune, shtypjeje, varfërie, përparimi komunizmi dha shpirt. Në pushtet erdhën demokratët që premtuan se do ta bëjnë Shqipërinë « si gjithë Europa » !
Dhe sipas këshillave të ardhura nga « lart » filloi edhe shkatërrimi i gjithçkaje që ishte shoqërore ose publike. Fjalët « privatizim » apo pronë private ishin në fakt kryefjalët e sistemit të ri që po vendosej. Dhe kështu fabrikat e duhanit, këpucëve, sapunit, kombinatet, ndërmarrjet e prodhimit të naftës, ato të veshjeve, uzinat e instrumenteve , të bakrit, superfosfati, ureja etj ose u shkatërruan me themel ose u privatizuan.
Deri këtu gjithçka pranohej si e domosdoshme për përparimin e vendit. Disa madje proklamonin me një pamje prej ekonomisti të thekur : « Privatizoje qoftë edhe 1 euro se do ia marrësh lekët më vonë » !
Ekonomia e privatizuar ishte një trend që nuk po ngjante vetëm në Shqipëri. Në të gjitha vendet e ish « kampit socialist » po ndiqej e njëjta politikë. Hotele, fabrika, punishte privatizoheshin për një copë bukë. Është e njohur deklarata e një bosi të mafias italiane i vënë në përgjim nga SIM-i vendas. Njerëzit e tij kishin shkuar në Rusi për të blerë një objekt. Fatkeqësisht për bosin mafioz dikush tjetër ishte treguar më i shpejtë dhe e kishte blarë i pari objektin e lakmuar. Njerëzit e mafias u lidhën në telefon me bosin e tyre : « Çfarë të bëjmë tani ?! » – pyetën ata. « Blini, blini çdo gjë që ju del përpara », – uluriti nga ana tjetër e telit mafiozi italian.
Mirëpo në ndryshim nga vendet e tjera në Shqipëria ka ngjarë diçka shumë më e rëndë dhe tronditëse. Politikanët shqiptarë, në heshtje të plotë, kanë privatizuar dhe shitur te vendasit apo te të huajt edhe burimet natyrore të vendit. Dhe kjo është diçka e paparë dhe e paimagjinueshme. Si mund të shesësh ti diçka që nuk është e jotja ?!
Si mund të japësh ti me koncesion për 30 apo 50 vjet burimet natyrore të vendit, kur ti e ke riskun dhe afatin vetëm 4 vjet. Qeveria e zgjedhur nuk është pronare e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Ajo thjesht është administratore. Dhe populli gjykon çdo 4 vjet veprimet e saj, duke votuar herë për poziten dhe herë për opozitën.
Por kur ka qënë fjala për privatizime dhe koncesione nuk kemi pasur kurrë të bëjmë me pozitë dhe opozitë. Të dy palët kanë shkuar si vëllezër. Dhe pa bujë dhe zhurmë kanë shitur pasuritë e shqiptarëve, sikur të ishin mall i babës ! Dhe kuptohet se vilat anë e mbarë Shqipërisë kanë dalë nga këto « dhurata » që klasa politike shqiptare, e të dy krahëve, ka bërë gjatë këtyre 32 vjetëve « demokraci » ! Është një heshtje mafioze. Një « omerta » siç thonë italianët. Askush, as nga pozita dhe asa nga opozita, nuk e ka ngritur zërin të pyesë se kujt i takojnë sot psh minierat apo galeritë e Kalimashit ?! Si dhe sa janë shitur dhe kush i ka blerë ! Dhe kështu edhe për naftën, kromin, burimet ujore në Glinë etj etj. Askush nuk di gjë. Asnjë qeveri, qoftë kjo e majtë apo e djathtë, nuk e ka vënë në dijeni popullin, për matrapazlliqet e veta. Këtu , në këtë pikë, askush nuk ka interes të « ia nxjerrë petat lakrorit » ! Se janë të lyer njësoj të dyja palët.
Ky është një veprim i cili mund të cilësohet pa frikë si antikombëtar dhe tradhti ndaj popullit. Për të cilin politikanët që kanë qeverisur vendin gjatë këtyre 32 vjetëve, Berisha, Nano, Meta, Rama meritojnë dënimin më të rëndë dhe të pamëshirshëm.
Se jo në të gjitha vendet e botës qeveritarët vendas kanë shitur në këtë mënyrë pasuritë popullore. Le të marrim psh rastin e Arabisë Saudite, ku sundon një dinasti prej më shumë se 100 vjetësh. Arabia Saudite, siç dihet është « hambari « i naftës sot në botë. Fuqi të mëdha u janë rrotulluar këtyre pasurive siç rrotullohet korbi para presë. Por Arabia Saudite nuk ka pranuar që para 80 vjetësh të privatizojë apo tua shesë të huajve këtë pasuri që u ua ka falur Zoti. Që në atë kohë ata kanë ngritur shoqërinë shtetërore, “Aramco”, e cila zbulon, shfrytëzon dhe shet naftën saudite në mbarë botën. Dhe shembuj të tillë, ku shteti mbron pasurinë e qytetarëve dhe popullit të tij ka pa mbarim. Veçse në Shqipëri jo.
Por nuk mungojnë edhe shembujt e kundërt. Dihet psh se në Afrikë të gjitha burimet mbitokësore dhe nëntokësore iu janë shitur shumëkombësheve ndërkombëtare nga qeveriarët e korruptuar vendas. Një shembull tronditës vjen edhe nga Amerika e Jugut dhe pikërisht nga Argjentina. Argjentina zotëron toka të pafundme. Sidomos në Patagoni, ku nuk të sheh syri këmbê njeriu për kilometra të tërë katrorë. Edhe aty janë sulur si skifterë “investitorët” e huaj. Për 10 euro ti ke të drejtë të bësh të tënden atje një sipërfaqe prej një hektari tokë, baraz me 10 000 metra kotrorë! Por ata që kanë vajtur atje nuk kanë shkuar për një hektar. Më të paktët kanë blerë me qindra mijëra hektarët tokash tê pafund. Ku përfshihen toka e punueshme, malet, liqenet etj etj. Me 1 milion euro ti mund të blesh 100 000 hektarë sipërfaqe toke. E cila mbetet përjetësisht e jotja dhe trashëgimtarëve të tu!
Se sa kanë të drejtë ligjore apo morale politikanët vendas të shesin pasuritë e përbashkëta e sqaron, thonë, edhe Kurani. Atje qënka shkruar e “vulosur” se vetëm ajo që është prodhuar nga dora e njeriut mund të jetë private. Dhe ajo që është krijuar nga Zoti apo Allahu u takon të gjithë banorëve që jetojnë aty.
Duke qënë se nuk e kam lexuar Kuranin, nuk e di se sa e vërtetë është kjo shprehje. Por ama ndihet dhe provohet se është 100 përqind e drejtë dhe llogjike.
Sot shqiptarët kanë marrë malet dhe detin në këmbë. Politikanët nxjerrin lotë krokodili. ” Po na shpopullohet vendi “ – rënkojnë ata! Duke e ditur shumë mirë se janë ata shkaktarët dhe fajtorët e vetëm të rrënimit të vendit dhe dëbimit të shqiptarëve nga trojet e të parëve të tyre.
Gjithçka mund të ishte harruar dhe falur. Por jo kjo gjëmë që ata i kanë shkaktuar vendit dhe gjithë popullit shqiptar. Pasojat e së cilave do ndihen edhe gjatë 100 vjetëve të ardhshëm.
Viron Gjymshana

Lini një koment