Dje Partia Demokratike mbajti një protestë masive në bulevardin “ Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Sipas organizatorëve të saj kjo demonstratë zhvillohej për të protestuar kundër çmimeve të larta, shpopullimit të vendit, korrupsionit, oligarkisë etj etj.
Mirëpo pikërisht këtu rreh çekani. Sepse dje u pa qartë se PD-ja protestoi kundër politikave që ajo vetë ka ndjekur që nga viti 1992. Të gjitha të këqijat që i vishen sot Partisë Socialiste dhe Edi Ramës e kanë bazën e tyre në politikat që ndoqi PD-ja kur erdhi në pushtet. Në emër të luftës kundër komunizmit Partia Demokratike shkuli atëhere me rrënjë e me degë gjithçka që ishte ndërtuar me aq gjak dhe sakrifica gjatë 45 vjetëve të sundimit të diktaturës komuniste.
Edhe rritja e çmimeve filloi me PD-në. Njëlloj si kanabizimi i vendit, ku madje u pat deklaruar edhe shpallja e Republikës së Pavarur të Lazaratit. Privatizimi dhe shitja e burimeve natyrore oligarkëve vendas dhe të huaj, – ishte një tjetër plagë që PD-ja i shkaktoi popullit shqiptar.
Pra për gjithçka protestoi dje në bulevard, Partia Demokratike ka përgjegjësinë e saj. Kur ti shet të gjitha pasuritë kombëtare, kur ti mbyll apo falimenton të gjitha uzinat dhe fabrikat e vendit – me çfarë do të jetojnë njerëzit ?!
E vetmja rrugë që u mbetet atyre është emigrimi. Pra shpopullimi i vendit. E njëjta gjë ka ngjarë edhe me bujqit irlandezë në shekullin e 19-të.Të çpronësuar me forcë nga latifondistët e tyre të asaj kohe, nga baronët dhe princërit anglezë, irlandezët u desh që të merrnin rrugët e kurbetit. Dhe pothuajse të gjithë u « derdhën » në Amerikë.
Kështu po ngjan sot edhe me shqiptarët. Të çpronësuar nga gjithçka që u takonte nga pasuria e përbashkët kombëtare, nga minierat, pyjet, kullotat, nafta, kromi, gazi, që janë të gjitha privatizuar, shqiptarëve nuk u ka ngelur gjë tjetër veçse të largohen nga vendi i të parëve të tyre !
Sepse politika e shpopullimit nuk ka filluar me ardhjen në pushtet të socialistëve. Por që në vitin 1992. Me socialistët ajo veçse po vazhdon.
Shpopullimi i vendit edhe gjatë viteve të fundit spjegohet kollaj me politikat e djathta tejet liberale që po zbaton edhe qeveria e Ramës gjatë këtyre 11 vjetëve të fundit. Pavarësisht se ende mban emrin Parti Socialiste, apo Rilindje, siç ka dashur ta pagëzojë I Gjati, Partia Socialiste ka aplikuar gjatë gjithë këtyre viteve një politikë tejet të djathtë ultraliberale, e mbështetur te privatizimet dhe fuqia e oligarkëve. Asnjë ndryshim nuk është vënë re gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit në politikat ekonomike të ndjekura nga Berisha, Nano, Meta apo Rama. Është e vërtetë se ky i fundit i ka zbukuruar disi fasadat e qyteteve, ka ndërtuar disa rrugë apo by-passe, ka zhdukur kioskat e Berishës, – por të gjitha këto me një kosto të lartë ekonomike. Borxhi i përgjithshëm i vendit, i lënë në 60 për qind të GDP-së në kohën e PD-së, e ka kaluar sot 90 përqindëshin !
Njëkohësisht Rama, njëlloj si edhe Berisha më parë, vazhdon me këmbëngulje politikat e portave të shqyera, ose siç quhet sot : – të Ballkanit të Hapur. Asnjë mbrojtje nuk i siguron qeveria socialiste prodhimeve bujqësore apo industriale vendase. Kështu që vendi është përmbytur sot nga mallrat e huaja, më të lira dhe ndofta me cilësi edhe më të mirë se ato vendase. Sepse qeveria socialiste nuk e mbron dhe as e subvencionon prodhimin vendas, siç bëjnë vendet e tjera të rajonit apo edhe më gjërë.
Që nga 1992 e deri më sot Shqipëria u takon oligarkëve. Ata kanë grumbulluar në duart e tyre të gjitha pasuritë e vendit. DHe oligarkët lindën dhe u forcuan në kohën kur sundonte Partia Demokratike. Sot ata veçse kanë ndërruar padron.
Pra nga çdo anë që ta kapësh nuk ka asnjë ndryshim në politikat ekonomike të ndjekura nga PS-ja dhe PD-ja gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit. Në vend të luftës parimore dhe ideologjike, përplasjet PD – PS ngjajnë më shumë si luftë personale për pushtet midis dy njerëzve dhe klaneve të tyre : – Berishës dhe Ramës. Për njerëzit e thjeshtë as ka ndryshuar gjë, as do të ndryshojë ndonjë gjë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment