Turpi dhe lavdia te dy njerëz të ndryshëm

    Fjalimi i fundit i kryeministrit Edi Rama në Bruksel para Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian ka shkaktuar me të vërtetë një jehonë të paparë sa në mediat shqiptare, aq edhe në ato të huaja. Sidomos për elokuencën e përdorur, stilin e mprehtë, krahasimet me vend dhe guximin për t’i thënë të 7 të vërtetat në sy.

     Disa madje këtë fjalim e kanë krahasuar me atë të politikanit, burrështetit dhe euruditit dhe patriotit të njohur Fan Noli në selinë e Kombeve të Bashkuara  pothuajse 100 vjet më parë. Kur ai u kujtoi me finesë, zgjuarsi dhe humor borxhet dhe padrejtësitë që Fuqitë e Mëdha të kohës i kishin Shqipërisë.

       Disa të tjerë deshën ta krahasonin këtë fjalim për nga guximi dhe ballëlartësia me fjalën e Enver Hoxhës në Paris pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Siç dihet politika e Athinës në atë kohë po luante me të gjitha mashat që Shqipëria të cilësohej si vend i mundur, pra si aleate e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste ! Athina merrte shkak për këtë mufkë nga « shpallja » e luftës Greqisë nga qeveria profashiste e Tiranës. Në një kohë që vetë Shqipëria ishte e pushtuar në atë kohë nga falangat fashiste. Synimi ishte i qartë : Duke e shpallur si vend i mundur, pra si aleat i « Boshtit », Greqia mund të pretendonte të gllabëronte Vorio Epirin, ose më e pakta të vinte në jetë Protokollin e Korfuzit, nënshkruar në fillimet e shtetit shqiptar nga disa kolaboracionistë. Nisur edhe nga këto premisa dhe rreziqe Enver Hoxha deklaroi me forcë në Paris se « nuk kam ardhur për të dhënë llogari, por për të kërkuar llogari » !

       Këto fjalime të dy udhëheqësve të njohur në historinë e Shqipërisë, u pasuan dje nga fjala e Edi Ramës në Bruksel. Ra në sy se ai foli hapur, pa frikë, pa doreza, pa asnjë kompleks inferioriteti para « zotërve» të rinj të Europës. Dhe tha disa të vërteta që ia skuqën veshët disave !

       Kryeministri shqiptar nuk priti shumë që tua përplaste « bombën » udhëheqësve të lartë të Bashkimit Europian. Që në hyrje të « diskursit » të tij politik ai iu drejtua « kryeministrit » të BE-së Charles Michel duke i thënë : – « Po ta kishit mbajtur fjalën,sot  nuk do na duheshin as 3 minuta për të folur, por vetëm 30 sekonda. Prandaj duroni pak, siç kemi duruar edhe ne me ju » !

        Dhe pa iu bërë qefi qeder, siç thotë populli, ai stigmatizoi « tavanin e plasaritur të BE-së. As pandemia, dhe as lufta nuk ju bëri dot bashkë » i qesëndisi numri një i ekzekutivit shqiptar zyrtarët e kollarisur dhe të parfumuar të Brukselit. ! Prapëseprapë ne mund të jetojmë bashkarisht si një familje e madhe që banon  në kate të ndryshme – pohoi Rama.

       Para se të shtonte se sidoqoftë është më mirë të jetojmë në një shtëpi me shumë kate, pra në një Europë të Bashkuar e përbërë nga shumë qarqe, se pjata bosh e zgjerimit pa zgjerim që na është serviruar gjithë këtyre viteve –fshikulloi ai politikën e lugës bosh të BE-së ndaj Shqipërisë.

     Dhe vazhdoi duke e ngulur edhe më thellë thikën në plagë : »Vladimir Putini mund të jetë, apo mund të mos jetë i sëmurë, por mua as kjo situata këtu nuk më duket shumë e shëndetshme » !

    Këto dukeshin si të ishin disa « lapra » fytyrës ndaj zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët nuk ishin mësuar dhe as përgatitur për flakërima të tilla dhe nga kush pa ?! Nga përfaqësuesi i një vendi të vogël në Ballkan, të cilin ata e kishin parë gjithmonë me përçmim dhe pothuajse përbuzje !

      Njëlloj si Noli që u shqua për erudicionin e tij të jashtëzakonshëm në tribunën e Lidhjes së Kombeve para 100 vjetësh, edhe Rama i habiti bashkëdëgjuesit e tij kur e krahasoi pritjen e gjatë të Shqipërisë para derës së BE-së me atë të Godosë së Vladimirit dhe Estragonit të Samuel Bekettit.

      « Presim me padurim të jemi anëtarë të Bashkimit Europian në shekullin tjetër. Presim me padurim po ashtu që stërnipërit tanë të kenë fituar deri atëhere të drejtën e votës në BE » – ironizoi fare hapur kryeministri shqiptar.

      Dhe Edi Rama ua bëri të qartë drejtuesve të Europës së Bashkuar se lojës së tyre me Bullgarinë i ka dalë boja, pavarësisht se këtë lojë ata do ta vazhdojnë deri shekullin tjetër, duke nxjerrë në skenë « Bullgari » të tjera ! Dhe në fund të fjalës së tij « Për Shqipërinë » ai  paralajmëroi Sharl Mishelin, Vand der Layen dhe përfaqësuesit e tjerë të 27 vendeve të BE-së, që të mos sillen si dikur kongregacioni i priftërinjve në Konstandinopojë, që diskutonin për seksin e ëngjëjve, në një kohë që muret e qytetit po rrëzoheshin para « yxhymit » të osmanëve turq !

      Gjithë ky fjalim nuk ishte pritur kurrë në Bruksel. Ai u ra kokës drejtuesve europianë jo si një bubullimë në qiell të hapur, por si një breshër i ftohtë dhe i papritur.

       Sa ndryshe ishin mësuar drejtuesit e Komisionit Europian, Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave të BE-së me fjalimet dhe qëndrimet e Tiranës zyrtare në selitë e BE-së në Bruksel. Përulje deri në tokë, buzëqeshje hipokrite, ngutje për të dalë buzëqeshur në foto me zyrtarë të lartë europianë, – kjo ishte tablloja që drejtuesit nga Tirana mbanin në kryeqytetin e Europës. Aq sa disa herë, me këtë qëndrim ia kishin shpifur dhe sjellë zorrët në grykë edhe vetë europianëve.

       Më kujtohet veçanërisht një qëndrim i tillë i ndyrë, pa dinjitet dhe i shpifur i Sali Berishës në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel. Ishte viti 2002, pra saktësisht 20 vjet më parë, e enjte 24 janar, kur si korrespondent i seksionit shqip të « Deutsche Welle”-s mbulonja veprimtaritë për Shqipërinë dhe Kosovën. Mbledhja për Shqipërinë zgjati shumë. Mbi 4 orë. Me pyetje dhe përgjigje, me konstatime dhe debate, deri edhe me shpifje dhe gënjeshtra që ulnin dhe përkeqësonin shumë reputacionin e Shqipërisë në sytë e europianëve.

      E ndoqa me vëmendje këtë seancë dhe proces – varbalin e mbledhjes së bashku me opinionin tim personal ia dërgova të përshkruar gjërë e gjatë gazetës « Koha Jonë », me të cilën bashkëpunonja në atë epokë. Dhe « Koha Jonë » nuk ngurroi, por në faqen e parë, në 6 kollona, në datë 25 janar 2002, shkruajti me gërma të stërmëdha titullin : « TURP » !    

       Ishte vërtet turp sesi u soll Sali Berisha në atë seancë të Parlamentit Europian. Nën okielon « Politika shqiptare merr në Bruksel shuplakën më të rëndë të këtyre 10 viteve », gazeta nënvizonte se europarlamentarët akuzojnë politikanët shqiptarë për gjendjen katastrofale në vend !

      Dhe shkrimi fillonte me konstatimin : » Ndodhi pikërisht ajo që nuk duhej të ngjante, por që pritej. 11 përfaqësuesit e partive politike shqiptare e kthyen brenda 4 orësh selinë e Parlamentit Europian sikur të ishte arena e Kuvendit të Shqipërisë » !

      Tonin kësaj mbledhjeje ia dha Sali Berisha. Ai, sikur të ishte në tribunën e Kuvendit të PD-së, akuzoi qeverinë për vjedhje votash, korrupsion, kriminalitet, prostitucion femrash dhe fëmijësh. Shumicën ai e stigmatizoi herë si të pafe, herë si të lidhur me Al Qaedën dhe herë herë si kopje e Lukashenkos në Bjellorusi. Prandaj ai bëri thirrje që Shqipëria të vihej përsëri, (si më 1997-tën) nën një monitorim ndërkombëtar !

     Pas këtyre akuzave dhe kundërakuzave reciproke e morën fjalën edhe një numër eurodeputetësh tejet të shokuar dhe të tronditur nga ajo që panë dhe dëgjuan në atë sallë. Kështu psh eurodeputeti hollandez Lagendajk u shpreh se ato që po dëgjohen në këtë sallë janë gjëra tragjike. Ju po e sabotoni simpatinë që ne kemi ndaj  vendit tuaj – theksoi ai, para se të shtonte : » Për ju ka rëndësi se kush do të jetë në pushtet, por për popullin është njësoj si kur kafshohet nga ujku apo nga çakalli ». Edhe eurodeputeti austriak Ostlander u shpreh me pakënaqësi duke thënë : » Kam krijuar përshtypjen që edhe niveli juaj pranë popullit është po aq i ulët, sa edhe përshtypjet që krijuat këtu ». Me të njëjtin ton, përçmim dhe keqardhje u shprehën edhe deputetët e tjerë të Parlamentit Europian, si psh baronesha britanike Lutford, italianët Demetrio Volçiç, Biliardo dhe Lisi, austriaku Swoboda, eurodeputeti grek Saladakis etj etj.

      Shumë ujëra kanë rrjedhur që atëhere. Kanë kaluar 20 vjet. Megjithatë diçka nuk ka ndryshuar. Ai që e nxinte atëhere Shqipërinë në Bruksel vazhdon dhe e mban edhe sot vendin peng në Tiranë. Megjithatë shihet se dikush tjetër po ia heq sot zgjyrën e zezë Shqipërisë.

       Duket sikur është e shkruar në qiell se – Disa do e nderojnë Shqipërinë në shekuj, disa do e turpërojnë pa fund.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment