« Përplasja » Rama – Kurti është mbi të gjitha ideologjike

    Nesër, e hënë 20 qershor, në Prishtinë do të takohen edhe një herë tjetër kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë. Flitet se do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturën portuale, rrugore dhe hekurudhore si dhe marrëveshje të tjera ekonomike. Në letër kjo tingëllon shumë bukur. Por diçka nuk është e qartë. Si do të jetë raporti i marrëveshjeve të nënshkruara midis Albin Kurtit dhe Edi Ramës me ato që ky i fundit ka nënshkruar me Vuçiçin e Serbisë dhe Zaevin e Maqedonisë në kuadër të Ballkanit të Hapur ?! Pra kush do të ketë më shumë përparësi ?! Dhe nëse këto marrëveshje a nuk e pengojnë njëra tjetrën ?! Aq më shumë që opinioni mbarëshqiptar është tashmë në dijeni të kundërshtive dhe pothuajse armiqësisë që gjallon sot ndërmjet kryeministrave të dy shteteve shqiptare andej e këtej Drinit.

     E keqja është se kjo lloj ftohjeje nga dy nga liderët më të votuar të kombit shqiptar pasqyrohet edhe në shtresat popullore të Shqipërisë dhe Kosovës. Shumica e shqiptarëve mbështet qëndrimet e Ramës, ndërsa shumica e banorëve të Kosovës ato të Albinit. Jemi në fabulën tragjike të flamurit kombëtar, kur dy kokat e shqiponjës vështrojnë në drejtime të ndryshme.

     Dhe Kurti me Ramën kanë këndvështrime të ndryshme mbi pothuajse gjithçka. Kurti ka vuajtur në burgjet e Serbisë. Po ashtu ai ka qënë një nga udhëheqësit kryesorë të demonstratave të studentëve të universitetit të Prishtinës, në një kohë kur Millosheviçi sundonte atje falë mëkëmbësit të tij, Rugovës ! Prandaj ai i rri larg çdo nisme serbe në rajon.

       Me ardhjen e Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës ndryshoi edhe politika e Prishtinës ndaj Beogradit. Kurti sillet si i barabartë me Vuçiçin, pavarësisht se kjo nuk u pëlqen disa udhëheqësve europianë. Para të gjitha marrëveshjeve me Beogradin ai kërkon dëmshpërblim mbi krimet serbe në Kosovë si dhe njohjen reciproke ndëmjet dy vendeve.

       Krejt ndryshe nga koha kur Kosovën e drejtonte Thaçi, të cilit në çdo çast i tundeshin prangat para syve, si një formë e pastër dhe e poshtër shantazhi për të pranuar kushtet e Beogradit. Shantazh që u transformua në realitet me arrestimin nga Gjykata e Hagës e të gjithë komandantëve të UÇK-së së lavdishme.

      Ndryshe krejt paraqitet Rama në marrëdhëniet me presidentin serb. Rama ngjan me ata adoleshentët shqiptarë që ishin të mrekulluar nga emisionet e televizive liberale të RTJ-së që ndiqeshin me kërshëri dhe interesim në Tiranën e viteve ’80, si psh “Njedjelnja popodna” “Maratonski film” etj etj.

    Por Rama më Kurtin nuk ndahen vetëm në qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Serbisë së Vuçiçit. Apo ndaj Ballkanit të Hapur ku, siç dihet, violinë e parë dhe përfituesi më i madh është Beogradi.

     Ata të dy kanë vështrime krejt të kundërta edhe përsa i takon rolit të shtetit dhe oligarkëve në ekonominë e vendeve të tyre. Kurti në politikën e tij ekonomike mbështetet te roli i pamohueshëm i shtetit në ekonomi. Ndërsa Rama i jep përparësi inciativës private dhe oligarkisë.

     Në fushën ideologjike Rama konsiderohet sot me të drejtë si një liberal globalist. Ai nuk ngurron psh ta mbështesë rritjen ekonomike edhe në marrjen e boxheve të huaja! Po ashtu privatizimi i pasurive kombëtare apo koncesionet e burimeve të lëndëve të para në duart e disa oligarkëve vendas apo të huaj nuk duket se përbën problem për të.

    Ndërkohë që krejt e kundërta vërehet te Kurti që mbështetet te forca e shtetit për të kontrolluar dhe stimuluar ekonominë. Duke u konsideruar kështu nga opinioni i brendshëm dhe i jashtëm si një majtist. Jo më larg se dje ai u shpreh se nuk do t’i pakësonin aksizat ndaj importeve të naftës, se një veprim i tillë pasuron veç oligarkët dhe nuk ndihmon në uljen e çmimit të këtij malli. Krejt ndryshe nga sa ngjan sot në Shqipëri.

    Duke pasur parasysh këto qëndrime dhe veprime duket se nuk është fare e sigurt se përveç buzëqeshjeve hipokrite apo tam tameve me flamurin kombëtar ka shumë pak gjasa që marrëveshjet e nënshkruara të hënën do të vihen ndonjëherë në jetë Aq më  shumë që Beogradi ndjek me vëmendje tê jashtëzakonshme dhe i kundërvihet me të gjitha forcat afrimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

      A do të jenë të aftë Rama me Kurtin nesër të hedhin pas krahëve divergjencat e tyre ideologjike dhe të nisin një bashkëpunim të sinqertë dhe të fuqishëm ndërmjet dy pjesëve të kombit shqiptar?! Aq më shumë që “Ballkani i Hapur” vazhdon tu rrijë në mes si një gur mulliri?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment