Rrëmuja dhe pështjellimi në gjirin e Partisë Demokratike gjatë këtyre muajve të fundit nxorri papritur në pah një dukuri sa të shëmtuar, aq edhe të dëmshme. Në luftën për pushtet ndërmjet Berishës dhe Bashës përveç deputetëve dhe analistëve të shumtë, u përfshinë çuditërisht edhe disa figurina pothuajse të panjohura dhe pa asnjë peshë nga diaspora shqiptare në Perëndim.
Ra në sy në mënyrë të veçantë një Eva Kokalari që nuk përtoi dhe nga Amerika e largët mpathi patkonjtë dhe u nis për në Tiranë. Aty nxorri kordhën e madhe dhe fillojë të « korrë armiqte » me sa fuqi kishte. Sidomos ata që ishin me Bashën. Po sikur të mos mjaftonte kjo, një tjetër ngriti velat dhe nga Amsterdami takoi edhe ajo token shqiptare. Por kjo e fundit, e quajtur, Flutura Açka, e kishte gjithë inatin me ata të Berishës!
Është e kuptueshme se çdo emigrant shqiptar, pavarësisht se sa kohë ka në Perëndim, sytë, veshët dhe zemrën i mban drejt vendit amë. Dhe është po kaq e natyrshme që çdokush nga këta të ndjekë me interes, ankth dhe ndonjëherë edhe me shqetësim ngjarjet në Shqipëri. Të gjithë këta dëshirojnë që vendi i tyre i lindjes të bëjë përpara, që të forcohet dhe të begatohet.
Por problem fillon kur këta diasporistë, që supozohet se kanë fituar diçka nga qytetërimi dhe kultura e vendeve ku janë strehuar, në vend që të luajnë një rol paqtues, i hedhin ndonjëherë edhe më shumë benzinë zjarrit. Sikur nuk mjaftojnë politikanët që jetojnë në Shqipëri, të cilët të nisur veç nga interest e tyre personale e kanë djegur dhe shkretuar atë vend.
Fatkeqësisht roli i diasporës nuk është ky. Emigrantët shqiptarë që janë shpërndarë si zoqtë e korbit anë e mbanë botës duhet të kenë një tjetër mision. Një mision fisnik për të gjithë ata që shprehen se u dhëmb Shqipëria: paqtimin, uljen e tensioneve politike në vend, urtësinë etj etj.
Por të gjithë e dinë se emigracioni shqiptar në Perëndim është sot më i përçarë se kurrë më parë. Përçarja është në rradhë të parë politike. Por për fat të mirë ajo nuk është, lavdi Zotit, as krahinore dhe as fetare. Veçse politika i ka ndarë dhe vazhdon t’i ndajë edhe sot shqiptarët dhe emigrantët brenda dhe jashtë Atdheut.
Kur duhej të ishte krejtësisht e kundërta. Aq sa mund të cilësohet si turp i madh, apo marré, siç thonë kosovarët, që një emigrant që jeton prej 20 vitesh psh në Kanada, Amerikë, Angli apo Belgjikë ta konsiderojë veten e tij dhe të sillet edhe aty ku është, si ushtar apo militant i Ramës, Berishës ose Metës! Kësaj i thonë të mos kesh kuptuar asgjë nga politika dhe qytetërimi i vendit ku jeton.
Për fat të keq janë disa emigrantë të frustuar, të papërfillur në vendet ku jetojnë, që përpiqen që vrerin që kanë grumbulluar për dështimet e tyre ta shkarkojnë në Shqipëri. Ndofta ngaqë janë askushi aty ku jetojnë që dëshirojnë të jenë dikushi në vendin e lindjes.
Por për fat të mirë kemi edhe shumë shembuj të tjerë, domethënës dhe tejet pozitivë nga diaspora e vendeve të tjera ose nga disa figura të shquara të vetë emigracionit shqiptar në Perëndim.
Le të marrim psh rastin e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare. Kur nisi lufta e Kosovës Kadareja shkruajti me stilin, artin dhe pathosin që e karakterizon, artikuj të zjarrtë në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare dhe të drejtës së pamohueshme të shqiptarëve të Kosovës që të fitonin lirinë nga zgjedha serbe. Gazetarë të huaj mbanin rradhën për t’i “shkëputur” intervista Kadaresë.
Në një kohë tjetër dhe në një vend tjetër, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Noli i lutej përfaqësusve të “gubernës” së Enver Hoxhës që ajo të merrte takime me ministra dhe senatorë të njohur amerikanë. “ Ua rregulloj unë këto takime, që do të ndihmojnë njohjen dhe mbrothësimin e Shqipërisë” – shprehej Noli i Madh. Se ai ishte një njeri i njohur dhe i respektuar në vendin e Daj Samit. Njëlloj si Konica. Por emisarët e Hoxhës në Uashington e shikonin Nolin me dyshim. Ai me erudicionin dhe atdhedashurinë e tij të pa interes dhe apolitike ndaj Shqipërisë u dukej atyre , në rastin më të mire si “marsian” dhe në rastin më të keq si spiun i imperializmit amerikan, pra armik!
Një rast shumë i veçantë, që diaspora shqiptare në botë, duhet ta marrë si shembull, është ai i diasporës çifute. Të shkëputur nga toka e tyre prej mijëra vjetësh ata megjithatë e ruajtën kulturën, gjuhën, zakonet dhe qytetërimin e tyre. Dhe erdhi puna që pas qindra vjetësh ata u kthyen në tokën e banuar më parë nga pararadhësit e tyre të famshëm.
Sigurisht që ebrenjtë janë një komb tejet i veçantë dhe i rrallë në botë. Por shembulli i mirë duhet përmendur gjithsesi. Atëhere le t’i afrohemi më shumë vendit tonë. Edhe diaspora kroate, e njohur për kohezionin e saj, luajti një rol të madh në çlirimin e vendit nga diktatura e Millosheviçit.
E vërteta është se në krye të këtyre diasporave gjendeshin njerëz me « bagazh », me vepra konkrete dhe të njohura në fushën e letërsisë,, ekonomisë, politikës, fesë etj etj. Ndërsa në krye të diasporës së shpërndarë shqiptare dalin shpesh herë hiçkërrkushër, të cilët si devizë dhe dekoratë kanë përkushtimin dhe besnikërinë ndaj bajrraktarëve të tyre në Tiranë, të quajtur qoftë Berishë, qoftë Ramë.
Dhe prandaj na dalin në krye ca Kokëpalarë apo Grenxa që tërbojnë dynjanë. Dhe bajrraktarët dinakë të Tiranës dinë t’i shfrytëzojnë këta përfaqësues të « Oksidentit », duke i paraqitur si figura dhe personalitete me peshë nga vendet nga ku kanë ardhur ! Deri në momentin që nuk ua kanë më nevojën, duke thënë që « kanë jetën e tyre » aty ku janë !
Folëm më sipër për ebrenjtë dhe kroatët. Por harruam rolin e disa shqiptarëve që kanë lindur në Perëndim dhe me veprën, punën dhe artin e tyre, i bëjnë nder vendit të tyre të origjinës. Ju, që po lexoni këto rradhë, me siguri që e keni kuptuar se e kam fjalën për Dua Lipën, Rita Orën, Xhakën etj që në çdo rast nuk e lënë pa e përmendur me krenari se janë me origjinë shqiptare. Dhe Dua, Rita e kompani kanë me miliona « follouers » në mbarë botën, qoftë në Facebook, Twiter etj etj.
Normalisht shqiptarët e diasporës duhet tua vëjnë pasqyrën para hundës këtyre Açkave, Kokalarëve e kujtdo tjetër, që nuk janë askushi dhe frustrimin e tyre e zbrasin në Shqipëri. Edhe politikanët që i përdorin këto figurina, siç thashë, për interesat e tyre elektorale, dëshmojnë edhe një herë tjetër se janë po aq të poshtër dhe se nuk lejnë gur pa luajtur, qoftë që të rivinë në pushtet, qoftë për ta ruajtuar atë.
Shqipëria ka ende njerëz të ngritur që mund ta nxjerrin ata vendin nga balta. Ndërsa emigrantët, në rast se duan ta ndihmojnë vendin e tyre të origjinës, së pari duhet të mësohen të sillen mirë aty ku janë, të respektojnë ligjet, kulturën dhe qytetërimin e shoqërive ku janë vendosur. Dhe kur të kthehen në Shqipëri të rrezatojnë kulturë, dije, qytetërim, duke bërë thirrje për bashkim dhe mirekuptim dhe duke mos pranuar kurrsesi të kthehen në vegël të askujt, se ashtu veçse dëshmojnë vogëlsinë dhe boshësinë e tyre.
Rastet e Kokalarit, Açkës etj të shkaktojnë padashur veçse përçmim dhe keqardhje.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment