Kanë mbetur edhe pak ditë para se Edi Rama të mbushë 9 vjet si kryeministër i zgjedhur i vendit. Ka qënë pikërisht 23 qershori i vitit 2013 kur Rama fitoi për herë të parë zgjedhjet legjislative, duke larguar nga pushteti kryeministrin e deriatëhershëm dhe ish presidentin Sali Berisha. Dhe duke pasur parasysh situatën e sotme aktuale në vend, mbetet jashtë çdo dyshimi që Rama do të vendosë edhe një rekord të ri si kryeministri më jetëgjatë këtyre 30 vjetëve quasi demokratike.
Nëntë vjet si kryeministër i një vendi, me një perspektivë zgjatjeje dhe rifitimi të mandatit ndoshta edhe përgjatë 7 vjetëve të ardhshëm, përbëjnë pa asnjë dyshim një epokë më vete. Pak kryeministra kanë qënë kaq jetëgjatë. Duke përjashtuar këtu ish – kancelaren gjermane Merkel, e cila e udhëhoqi Gjermaninë për plot 16 vjet. Flasim për vende me demokraci të konsoliduar, se në botë ekzistojnë edhe sot shumë raste kur një president apo kryeministër rri në pushtet sa të dojë vet. Apo deri kur i vjen vdekja. Siç po ngjan për shembull me Putinin, Lukashenkon, Erdoganin, presidentin e Kinës Xi Jinping etj etj.
Nëntë vjet janë një kohë tejet e mjaftueshme për të bërë një bilanc rreth ndryshimeve të ngjara në vend gjatë kësaj periudhe. A ka përparuar vendi, apo ka ngecur në vend?! Apo më keq akoma ka bërë prapaktheu në fushën e sundimit të ligjit, të zhvillimit të ekonomisë, rritjes së mirëqënies së njerëzve etj etj.
Rreth këtyre çështjeve ka shumë për të shkruar, analizuar dhe debatuar. Ka mendime dhe opinione pro dhe kundra. Por një gjë nuk mund të mohohet. Gjatë këtyre viteve Edi Rama ia ka dalë që ta kthejë Shqipërinë në një vend normal.
Sot Shqipëria nuk zë më faqet e para të shtypit të huaj si vend që nuk gjen dot qetësi, siç ngjau gjatë Vitit të Mbrapshtë 1997. Sot nuk vriten më njerëz në mes të bulevardit se I gjuajtën ndërtesës së kryeministrisë me gurë! Sot edhe polici më i thjeshtë që e tejkalon sadopak të drejtën e tij të vetmbrojtjes përfundon në bankën e të akuzuarve.
Një tjetër fakt I rëndësishëm që dëshmon për normalizimin e vendit ishte edhe sapozgjedhja e presidentit të ri. Një njeri i papërfolur për mitmarrje apo korrupsion. Një njeri që ka qëndruar larg politikës, duke kryer detyrën e vet si një ushtarak I zakonshëm. Dikush që ka jetur veç me rrogën e vet. I cili nuk ka qënë kurrë pjesë e « lojërave » të ndyra politike. Me një fjalë një president normal i një vendi normal.
Nuk ka asnjë dyshim se jo gjithçka shkon « vaj ». Vendi ndeshet ende me shumë probleme jetësore. Korrupsioni kapilar i përhapur pothuajse në të gjitha qelizat e shoqërisë, krimi i pamposhtur ende, mimarrja e përhapur në të gjitha sferat e administratës shtetërore – janë plagë të hapura që do të duhen kohë të shërohen.
Opinioni publik pret dhe shpreson me të drejtë për më shumë dhe për më mirë. Prandaj duket se është bërë e udhës që analistë të ndryshëm apo edhe njerëz të thjeshtë të shprehen se “ populli shqiptar meriton më shumë”. Po a është i vërtetë një perifrazim i tillë?!
Këto opinione në fakt janë diçka normale. Në asnjë vend të botës nuk gjen dot një qeveri që të gëzojë 100 përqind mbështetjen e zgjedhësve. Por pyetja shtrohet: A janë shqiptarët vetë më të mirët, më të ndershmit, më punëtorët, ata që respektojnë ligjet e vendit dhe të njerëzisë?! Ndryshe: A ekziston te populli shqiptar një ndërgjegje dhe një përgjegjshmëri siç e kanë shumë popuj të zhvilluar dhe të përparuar?! Si për shembull ata të Europës veriore ku bien në sy cilësi e karaktere tejet të veçanta siç janë psh disiplina dhe respektimi i ligjit te gjermanët, mosnjohja e dukurisë së korrupsionit nga danezët, respekti për tjetrin e finlandezëve, mbrojtja e pronës publike nga suedezët, respektimi I balancës ndërmjet detyrimeve dhe të drejtave nga norvegjezët etj etj?! Apo rendimenti I lartë prodhues te japonezët dhe sakrifica për të mirën e përbashkët te kinezët?!
Dhe po ashtu a ekziston në Shqipëri një klasë politike e ngritur, e aftë, patriote siç e kanë shumica e vendeve europiane. Vetë politika shqiptare, për nga cilësitë dhe vetitë rri mbi mesataren e popullit apo nën të?! Ata që quhen me gjasë “baballarët apo nënat e kombit” a e meritojnë një cilësim të tillë?! A kanë këto figura politike ngritjen e nevojshme intelektuale, dozën e duhur morale, ndershmërinë e nevojshme për të mos u tunduar nga privilegjet e pushtetit apo të korruptuesve etj etj?!
Pa dyshim që jo. Megjithatë arrestimi, dënimi dhe burgosja i një ministri të rëndësishëm të qeverisë socialiste, i një ish deputeti të njohur, i një ish drejtori të përgjithshëm të radiotelevizionit kombëtar të vendit – dëshmojnë me forcë se po ecet përpara në rrugën e duhur të vendosjes së ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Sot nuk ka më vjedhje të floririt në malin e Krrabës, apo vrasje dëshmitarësh që bëjnë gabimin e pafalshëm të daljes për gjah. ShIK-u nuk vret më tani prapa krahëve, prandaj drejtuesit e tij nuk kanë arsye të kërkojnë strehim politik në Britaninë e Madhe.
Nuk ka më as hedhje njerëzish në ajër që djali i filanit apo aksh ministër të bëhen milionerë në euro! Emri i ish –republikës së pavarur të Lazaratit, që dikur përbënte kryelajm edhe në mediat perëndimore është tashmë harruar.
Shqipëria nga mediat e huaja cilësohet sot si një vend ekzotik turistik që duhet “zbuluar” patjetër. Nuk tregohemi më me gisht si vend i pasigurt ku bëjnë namin banditët. Vendi ka fituar reputacionin dhe seriozitetin si çdo vend normal. Po ashtu Shqipëria tërheq sot vëmendjen ndërkombëtare si bashkpenëmbajtëse e rezolutave të OKB-së, si kryetare e rradhës e Këshillit të Europës ose e Këshillit të Sigurimit. Vetë Edi Rama pritet sot me nderime dhe pompozitet në kancelaritë perëndimore si i barabarti ndërmjet të barabartëve.
Dhe siç thamë edhe më lart jo gjithçka është “rozë”. Përkundrazi. Ka ende shumë për të bërë, sidomos në fushën ekonomike, në uljen e borxhit të përgjithshëm, rritjen e nivelit të jetës, forcimit të rendit dhe ligjit, pastrimit të aparatit të superkorruptuar të drejtësisë etj etj.
Por me rëndësi të dorës së parë është që Shqipëria gjatë këtyre 9 vjetëve të “sundimit” nga Edi Rama është kthyer tashmë në një vend normal europian. Dhe kjo nuk është pak.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment