– Pjesa e tretë –
Siç kemi theksuar edhe në 2 shkrimet e mëparshme kushtuar rubrikës « Shkenca dhe Zoti » ndryshe nga sa parashikohej, zbulimet më të fundit, sidomos ato rreth mekanikës kuantike apo Bing Bangut, në vend që të forconin bindjen se është krejt e mundur ta spjegosh universin dhe jetën në Tokë pa pasur nevojë për ekzistencën e një qënieje superiore, bënë të kundërtën ! Dhe sot lufta midis besimtarëve dhe ateistëve është ashpërsuar si kurrë më parë. Dhe kjo është një luftë e gjatë që ka nisur që me lindjen e Njerëzimit.
Teoria e evolucionit eshte venë sot në pikepyetje pasi shkenca nuk ka arritur ende dot të spjegoje apo të provoje sesi nga materia pa jetë u krijuan organizmat e gjalla. Shkenca dhe evolucioni ka hequr dorë po ashtu edhe nga aksioma e Darvinit se Njeriu e ka prejardhjen nga majmuni. Pas shumë dekadash debatesh sot shkenca e pranon se Njeriu nuk ka rrjedhur nga majmuni, por sipas teorise më të re, Njeriu dhe majmuni kane nje paraardhës të perbashket.
Pikërisht rreth këtyre çështjeve një shekull më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përplasën si kurrë ndonjëherë dy kampe të ndryshe dhe deri kundërshtare për vdekje me njëri tjetrin. Kampi parë përbëhej nga evolucionistët. Te ata që besonin se jeta në Tokë ka lindur si pasojë e shndërrimit të materies inerte në disa lloj aminoacidesh, nga të cilat lindën më pas edhe qelizat e para.
Pala e dytë përbëhej nga të ashtuquajturit kreacionistë, të cilët besojnë se jeta në Tokë është krijuar nga Zoti. Sipas tyre është tejet qesharake, deri fëminore, teoria evolucioniste sipas së cilës jeta në Tokë lindi nga disa aminoacide te krijuara si pasojë e nje shkarkese elektrike (rrufesh) në ndonje pellg me ujë, para disa miliarda vjetesh. Nga ku më pas u krijua nje qelizë fillestare, si psh ameba dhe që filloi të shumezohet pa mbarim. Dhe kështu shpërtheu dhe lulëzoi edhe jeta ne Tokë.
Përplasja midis evolucionistëve dhe kreacionistëve mori një përmasë të paparë dhe të pamenduar ndonjë herë në procesin e njohur me emrin « Gjyqi i majmunit ». Shkas për këtë u bë një mësues në qytetin e Dejtonit, në shtetin e Tennesit në SHBA. Ky mësues i quajtur Xhon Tomas Scope, profesor në shkollën publike të qytetit, u spjegonte dhe u mësonte nxënësve të tij teorinë e evolucionit të Çarls Darvinit. Problemi lindi pasi në shtetin konservator të Tennessit ishte rreptësisht e ndaluar përhapja apo predikimi i kësaj teorie. Dhe profesori i shkollës u dënua me një gjobë prej 100 dollarësh të asaj kohe. Kaq mjaftoi që zëmërimi dhe indinjata të shpërthente në pjesën më të përparuar të Amerikës ndaj këtij vendimi të padrejtë.
Nga ana tjetër përkrahësit e teorisë së krijimit të jetës në Tokë nga Zoti nuk ndenjën duarkryq. « Si është mundur të pohosh dhe pranosh që njerëzit e sotëm e kanë prejardhjen nga qënie inferiore siç është majmuni ?! » – shtruan ata pyetjen.
Për radikalët e krishterë, teoria e Darvinit, që mohonte prejardhjen hyjnore të Njeriut vinte në dyshim edhe ekzistencën e shpirtit dhe si rrjedhim edhe atë të botës së përtejme. Sipas tyre pa shpirt e pa Zot, Njeriu i kthente krahët fesë për tu dhënë pas hedonizmit, imoralitetit dhe materializmit.
Puna vajti kështu deri në gjyq. Të dy palët zgjodhën avokatët më të njohur të asaj kohe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fondamentalistët morën për avokat prokurorin dhe politikanin e njohur Uilliam Xhenings Brajan, (tri herë kandidat për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës) ndërsa liberal-progresistët u përfaqësuan nga avokati i famshëm Klarëns Darrou, i cili kishte shpëtuar nga karrigia elektrike 2 të rinj autorë të një vrasjeje.
Procesi gjyqësor filloi më 10 korrik 1925 në një situatë pothuajse të një lufte civile. Të dy palëve u ishin ndezur gjakrat. Përveç sallës së gjyqit, e mbushur plot e përplot, jashtë u vendosën autoparlantë që publiku i shumtë i mbledhur për të ndjekur këtë gjyq, të kishte mundësi të ndiqte debatet. Pothuajse të gjitha gazetat kryesore të Amerkës kishin dërguar korrespondentët e tyre të posaçëm. Radiot e asaj kohe e transmetonin procesin « live ».
Gjyqi vazhdoi 11 ditë pa ndërprerje.Gjithë Amerika priste të shihte se kush do ta fitonte procesin : Majmuni apo Zoti ! Evolucionistë të shquar morën në mbrojtje profesorin e shkollës, në të njëjtën kohë kur teologë po aq të famshëm kündërshtonin idenë e përkrahësve të lindjes rastësore të jetës në Tokë.
Në morinë e debateve, argumentave dhe kundërargumentave mbahet mend edhe përplasja midis një evolucionisti të bindur dhe një kreacionisti të palëkundur dhe sarkazma e përkrahësit të jetës së krijuar nga Zoti ndaj përkrahësit të teorisë së Darvinit : « Kur pohoni se ju e keni prejardhjen nga majmuni, e keni fjalën nga ana e babait apo e nënës » – pyeti ai me qësendi kundërshtarin e tij. Pyetje që shkaktoi të qeshura të papërmbajtura në sallë dhe u përdor si titull kryesor edhe në shkrimet e gazetarëve që mbulonin atë ngjarje.
Gjyqi përfundoi me fitoren e kreacionistëve. Si pasojë ndalimi i përhapjes së teorisë evolucioniste vazhdoi në atë shtet deri pas viteve 1970. Tani atje mësohet si evolucionizmi aq edhe kreacionizmi.
Por sot një teori e re ka marrë vrull edhe nga arritjet më të fundit të shkencës. Disa astrofizikantë dhe biologjistë japonezë njoftuan para pak javësh se ata kanë zbuluar molekula biologjike si dhe “tullat” përbërëse të ADN-së në shumicën e meteorëve dhe asteroidëve që kanë rënë në Tokë. Sipas tyre kjo është një provë e pamohueshme se jeta në planetin tonë ka ardhur nga Kozmosi. Ashtu si dhe uji i oqeaneve. Teoria e re njihet sot me emrin Panspermia.
Atëhere ka të drejtë shkenca apo feja ?! Jeta ka ardhur në Tokë nga qielli apo ka lindur këtu rastësisht ?! Debatet vazhdojnë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment