Fjala e kryeministrit dhe lapsi i ekonomistit.

      Dy herë ka folur sot, e shtunë 21 maj, Edi Rama për të mirat që sjell infrastruktura në zhvillimin dhe përparimin e vendit.  Paradite foli për portin e Durrësit dhe pasdite për  aeroportin e Vlorës : « Për ata që thonë që ne nuk kemi bukë të hajmë, po u them se me ndërtimin e aeroportit të Vlorës është sikur po ndërtojmë një fabrikë të madhe buke », – theksoi i pari i qeverisë.

       « Ne na duhen shumë aeroportet se nuk janë për thjesht të lënë hapësira të atdheut në dispozicion të UFO-ve,  por na duhen  që të sjellin në vend sa më shumë konsumatorë të shërbimeve që ofrojmë. Për ata që thonë s’kemi bukë, do të ndërtojmë një fabrikë të madhe buke. Aeroportet sjellin bukë në kuptimin simbolik” – tha ai.

        Në fokus së fjalës së kreut të qeverisë shfaqej edhe shqetësimi për një mjedis më të pastër dhe mbi investimet e ardhshme për të rritur kapacitetet akomoduese të qytetit bregdetar.

        Kryeministri Edi Rama duke folur në Konferencën Ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime”, u ka bërë thirrje banorëve të Vlorës që të kujdesen më shumë për pastërtinë e zonave ku jetojnë.

       “Lungo Mare, në aspektin estetik, kënaqësisë që krijon ajo hapësirë. Përtej asaj që duket në atë zonë kanë ndodhur edhe gjëra që nuk duken. Njerëzit që kanë prona në atë zona janë më të pasur sot,” tha Rama.

         Sipas tij, Vlora po hyn në një fazë kur nevoja për akomodim të atyre që vijnë do të rritet në pikën e një krize shumë të madhe. Po ashtu, kreu i qeverisë tha se rritja e çmimit në strukturat e shërbimit është shenjë e rritjes ekonomike.

          “Rritja e çmimeve, në aspektin e industrisë turistike, është shenja më e parë e rritjes së një ekonomie tërësore. Është sfida jonë që të shtymë sa më shumë për ndërtimin e infrastrukturës së mikpritjes në Vlorë që të kemi sa më shumë shtretër. Mungesa e 12.000 shtretërve, duke pasur parasysh edhe ndërtimin e aeroportit.”

           Rama u takua po sot edhe me një grup projektuesish holandezë që kanë marrë përsipër kthimin e portit të Durrësit  në një modul shumëplanesh. Pra si një port turistik, tregtar apo edhe kantier riparimesh për mjetet e transportit detar. Përmes një filmi të realizuar nga studio holandeze, projektuesit shpalosën vizionin për portin e ri të Durrësit. Sipas tyre porti do të jetë një derë hyrëse në Ballkanin Perëndimor.

        “Porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik, pra këtu ka mundësi që ju të krijoni një portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor.” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.

             Kryeministri Rama tha se qëllimi ishte pikërisht  transformimi i infrastrukturës së vjetër në një port model si një ndër shtyllat e vizionit Shqipëria 2030. “Saktësisht ky ishte qëllimi, prandaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste, nuk kishte kapacitete për t’u zgjeruar, nuk kishte lidhje, nuk kishte asgjë. Ndërkohë që porti i ri ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor, – u shpreh kryeministri, teksa vlerësoi se “zgjatimi i Portit të Thatë deri në Prishtinë është kryevepër”.

       Kur lexon apo dëgjon fjalën e kryeministrit shqiptar nuk ke si të mos entuziazmohesh. Sidomos kur ke parasysh një kohë tjetër, të shkuar që do Zoti nuk vjen më kurrë, kur Shqipëria u shkatërrua me rrënjë e me degë. Nuk u la uzinë, fabrikë, kombinat, pemishte pa u rrafshuar. Fatin e tyre e ndoqën edhe sektorët e tjerë të ekonomisë, mbrojtjes, shkencës, arsimit, shëndetësisë etj etj.

       Ndërsa sot po flitet për ndërtime dhe zbukurime, për rrugë, porte dhe aeroporte.

       Po a është gjithçka kaq rozë?! Nuk duket ashtu. Pavarësisht optimizmit të kryetarit të qeverisë. Sepse  ekonomia është laps, rendiment, rentabilitet, të ardhura dhe shpenzime. Infrastruktura ka vendin e vet. Por ajo vjen e dyta në prioritetet e zhvillimit ekonomik të vendit.  Rritja e prodhimit të përgjithshëm (PNB-së), përmirësimi i bilancit të import/ eksportit, ulja e borxhit të përgjithshëm etj etj janë prioritete me shumë më me rëndësi dhe peshë sesa infrastruktura turistike.

       A ka ndonjë studim të kryer nga studio të pavarura se sa del kostoja e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, apo e portit të Durrësit. Kush investon ?! Sa kohë duhet të lahet ky investim?!  Sa do të jenë të ardhurat dhe shpenezimet që lidhen me funksionimin e këtyre enteve industriale -turistike?!

       Për këto gjëra kryeministri nuk foli! As ndonjë nga ministrat e tij nuk dha ndonjë hollësi më shumë. Bien daullet, ngrihen flamurët, krijohet një ambient i gëzueshëm festiv dhe propagandistik dhe kaq!

       Po ku është lapsi i ekonomistit këtu?!

       Sipas kryeministrit porti i Durrësit do u shndërroka në portin kryesor hyrës të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dakort. Po nga do nisen anijet për tu shkarkuar në Durrës. Me përjashtim të porteve italiane, vendet e tjera mesdhetare a nuk do ta kenë më të lehtë të zbarkojnë mallrat e tyre në Selanik, siç kanë bërë prej 200 vjetësh, sesa të shkarkohen psh në Durrës?!

         Të kuptohemi. Shndërrimi i portit të Durrësit në një qëndër të rëndësishme tregtare/detare është një projekt që duhet përshëndetur. Por më shumë se për fishekzjarre dhe tam tame kryeministri apo dhe qeveria duhet ta argumentojnë edhe ekonomikisht këtë nisëm. Me shifra dhe jo vetëm me fjalë të bukura. Kjo është ajo që mungon.

       Sepse njerëzit kanë dëshirë të dëgjojnë sot shumë më tepër ekonomistin se politikanin?! Po ku është ekonomisti këtu?  

         Sepse të hapësh sot rrugë dhe aeroporte duke rritur psh borxhin e brendshëm dhe të jashtëm dhe pa pasur preventiva të sakta se sa do të fitosh dhe për sa vite, – është më e pakta budallallik. Si spjegohet që sot në Shqipëri nuk funksionon asnjë fabrikë që të prodhojë ta zëmë pjesë mekanike për bujqësinë. Si spjegohet që kryeministri nuk i jep asnjë përparësi krijimit të fabrikave, uzinave dhe kombinateve që e lajnë shpejt investimin dhe fusin para në arkën e shtetit, por jepet vetëm pas infrastrukturës apo zbukurimit të qëndrave të qyteteve?!

           A nuk do të ishte më mirë që zoti Rama t’i përkushtohej  plagëve kryesore ekonomike me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare sot siç janë borxhi i jashtëm, shitja dhe privatizimi i pothuajse i tërë pasurive kombëtare, koncesionet e huaja etj etj?!

         Nuk thonë më kot se politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme,  ndërsa burrat e shtetit për brezat e ardhshëm! Pa dyshim se Rama mbetet qeveritari më zoti i këtyre 30 vjetëve të fundit, por pikërisht prej kësaj, ai sot nevojitet të kthehet në një burrë shteti.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment