Ultimatumi i Ramës drejtuar BE-së se në rast të mos hapjes së negociatave të anëtarësimit, Shqipëria do të ndryshonte kurs, nuk kaloi pa rënë në vesh edhe të udhëheqësve të lartë të Bashkimit Europian.
Ishte një ultimatum i guximshëm ky nga ana e numrit një të ekzekutivit shqiptar. Krejt ndryshe nga politika e deritashme 30 vjeçare e Shqipërisë ndaj Brukselit. Rama foli si përfaqësues i një vendi sovran, që ndjek interesat e veta politike. Aq më shumë që deri më tani politika e Tiranës ka qënë ajo e shtrirjes barkas dhe e dorëputhjes. Që ka dhënë pak rezultate.
Kështu psh pavarësisht politikave të « dyerve të hapura », deri të shpartalluara të Shqipërisë, Beogradi është shumë përpara Tiranës në rrugën e anëtarësimit në BE. Serbia prej kohësh ka filluar negociatatat dhe ka mbyllur deri më tash disa kapituj të procesit të anëtarësimit. Dhe kjo pavarësisht se ajo është shkaktare e 3 luftrave të përgjakshme në Ballkan.
Vuçiçi vetë, nga ana tjetër, ka qënë një figurë e afërt me politikën e Millosheviçit, Mlladiçit dhe Karaxhiçit. Dhe krejt ndryshe nga politika e Tiranës, Beogradi mban edhe sot e kësaj dite marrëdhënie jashtëzakonisht të ngrohta me Moskën dhe Pekinin. Aq sa ai guxon të shprehet se nuk do të ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht presioneve të Perëndimit. Serbia e sotme po ndjek në fakt politikën e dikurshme të Titos të vendeve të « paangazhuara », duke e mbajtur mirë sa me Lindjen aq edhe me Perëndimin.
Duket se këtë politikë të llastimit të Serbisë nga BE-ja ka pasur parasysh edhe Rama me deklaratën e tij të fortë. Dhe përgjigjet e shqetësuara nuk vonuan nga Brukseli. « Deri në fund të presidencës franceze ne duhet të hapim patjetër bisedimet me Shqipërinë” – deklaroi dje ministri i jashtëm i BE-së, Borrel. Ndërsa ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ishte edhe më e qartë. Ajo u shpreh në favor të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Por po të vëresh me kujdes politikën e kancelarive kryesore europiane vëren se ka diferenca të theksuara në atë që ato kuptojnë me përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane.
Jo më shumë se një javë më parë presidenti francez foli për një Bashkësi Politike Europiane, një organizëm ky që si një satelit do të rrotullohet rreth Brukselit, por pa u lejuar të ulet atje. « Pjesëmarrja në këtë Bashkësi nuk do të thotë detyrimisht anëtarësim » – theksoi qartë presidenti i Francës, kur bëri të ditur planin e tij të ri.
Sipas tij kjo është përgjigja më e mirë ndaj 10 vendeve që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së. Konkretisht ai e ka fjalën për Ukrainën, Gjeorgjinë, Turqinë, Armeninë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kosovën, Bosnjë – Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Shumë analistë dhe studiues të politikës europiane e kanë krahasuar këtë organizëm të ri të BE-së me një soj kampionat futbolli me tre kategori. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë anëtarët e Eurozonës. Pra vendet që përdorin euron si monedhë zyrtare. Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë vendet anëtare të procesit të Shengenit dhe në kategorinë e tretë 10 vendet e sipërpërmendura. Vendet që do marrin pjesë në Bashkësinë Politike Europiane do të ftohen të marrin pjesë edhe në disa nga mbledhjet e rëndësishme të Bashkimit Europian, por thjesht si « dëgjuese », pra pa pasur të drejtën e votës.
A i ka pasur parasysh Rama këto kushte kur paralajmëroi Europën për një ndryshim të mundshëm kursi ?! Dhe për më shumë ku mund ta çojë Shqipërinë kursi i ri i Ramës ?! Praktikisht mundësitë reale janë tejet të kufizuara. Lidhjet e Shqipërisë me Rusinë dhe Kinën janë sot të paimagjinueshme për një sërë arsyesh, njëra më e rëndësishme se tjetra. Pa folur këtu se « karrigia » është tashmë e zënë ! Atë vend e ka zënë tashmë Beogradi prej vitesh. Aq më shumë që lidhje të tilla nuk i përgjigjen, madje bien ndesh me aspiratat kombëtare të popullit shqiptar. Përsa i takon lidhjeve me Amerikën ato tashmë janë aq të forta saqë nuk mund të flitet për kurs të ri.
Mbeten atëhere dy opsione : Ballkani i Hapur dhe Turqia. Por edhe këto opsione nuk janë në interesin e vendit tonë. Afrimin me Turqinë shqiptarët e kanë vuajtur 500 vjet në kurriz. Për më shumë Turqia e Erdoganit ka në bazë të politikës së saj neo-otomane kriterin fetar. Që bie ndesh me politikën kombëtare të shqiptare të tolerancës dhe laicizmit.
Edhe Ballkani i Hapur, sa do që ta mbështesë Rama, nuk i konvenon politikës kombëtare shqiptare. Sepse “violinë” kryesore atje mbetet Beogradi.
Pra kemi të bëjmë më shumë me një lloj bllofi dhe shantazhi të Ramës ndaj BE-së sesa për ndonjë ndryshim të vërtetë në aspiratat e popullit shqiptar.
Bllof dhe shantazh që kanë dhënë rezultatet e para. Por politika shqiptare duhet të ruhet sidomos nga gracka e Bashkimit Politik Europian. Sepse Serbia dhe Mali i Zi psh kanë filluar negociatat zyrtare të anëtarësimit me BE-në. Ukraina, duke pasur parasysh situatën e sotme politike, por edhe atë ekonomike të një vendi me 45 milionë banorë, do të pritet sot ose nesër me krahë hapur nga BE-ja. Ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja – Hercegovina etj mund të ngelin përjetësisht “anëtare” me të drejta të plota të Bashkimit Politik Europian, por pa u bërë kurrë anëtare të vërteta të BE-së.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment