Për të gjithë ne që kishim shpresuar se një ditë edhe Shqipëria do të ishte një anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian, fjalimi i djeshëm i presidentit francez, Emanuel Macron, na ra si një dush i ftohtë.
Duke marrë shkas nga kërkesa e Ukrainës për tu anëtarësuar në BE, presidenti francez pasi pohoi se një anëtarësim në familjen e bashkuar europiane, kërkon ndonjëherë edhe më shumë se 2 dhjetvjeçarë, propozoi një projekt të ri “anëtarësimi”! Këtë projekt ai e ka pagëzuar si “ Bashkësia politike europiane”.
Ky organizëm i ri do u mundësojë vendeve europiane demokratike që gjenden jashtë BE-së tu bashkohen vlerave tona, nëpërmjet një hapësire të re bashkëpunimi në fushat e sigurisë dhe poltikave të përbashkëta – pohoi Macron.
Këtë propozim presidenti i Francës e paraqiti pikërisht në 8 maj, ditën e Europës, kur përfundoi punimet edhe konferenca për të ardhmen e saj.
Sipas Macronit në këtë bashkësi politike mund të marrin pjesë qoftë Ukraina, por po ashtu edhe Britania e Madhe nëse dëshiron.
Dhe duket se kjo nuk është vetëm një ide e presidentit të Francës. Edhe kancelari gjerman Olaf Sholc, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe ajo e Parlamentit Europian Roberta Metsola u shprehën në mbështetje të kësaj ideje.
Makron nuk hyri në shumë hollësira. Por njohës të mirë të politikës europiane që janë të afërt me qëndrat ku merren vendimet e rëndësishme të Europës, bënë të ditur se fjala është për të krijuar një Europë të re, e përbëra nga tre zona apo qarqe.
Sipas tyre në qarkun e parë duhet të bëjnë pjesë vendet anëtare të eurozonës. Në rrethin e dytë ato të zonës Shengen që nuk bëjnë pjesë në qerthullin e parë. Dhe në zonën e tretë pikërisht vendet që sot konsiderohen si kandidate për në BE. Siç janë psh vendet e Ballkanit.
Edhe përgjegjësitë dhe detyrat do të jenë të ndara. Kështu psh vendet që do të bëjnë pjesë në « Bashkësinë politike europiane » nuk do të kenë të drejtën e votës në marrjen e vendimeve të rëndësishme të BE-së.
« Ne duhet ta ankorojmë një herë e mirë Ukrainën në Europë, njëlloj si dhe Moldavinë dhe vendet e Balkanit Perëndimor, që tu mundësojmë banorëve të këtyre vendeve të marrin pjesë dhe të përfitojnë plotësisht nga hapësira jonë demokratike dhe tregu ynë i përbashkët, duke u dhënë po ashtu mundësinë të marrin pjesë në disa nga institucionet tona » – u shpreh edhe kryeministri i Belgjikës, Aleksandër de Croo.
Sot numri i vendeve që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së ka arritur në 10. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia – janë tashmë kandidatë zyrtarë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Përveç tyre në listë gjenden tani edhe Ukraina, Moldavia, Bosnjë – Hercegovina, Kosova dhe Gjeorgjia.
Por Macron e bën të qartë se bërja pjesë në « klubin » e bashkësisë politike europiane nuk do të thotë kurrsesi anëtarësim automatik në BE. Duket se bëhet fjalë më shumë për t’i mbajtur këto vende sa më afër, që ato të mos kërkojnë dhe të gjejnë aleatë të tjerë.
Sipas ish kryeministrit italian Gianni Letta, ky projekt i Macronit mund të vihet shpejt në jetë. Ndofta që vjeshtën e ardhshme mund të mbahet takimi i parë ndërmjet 27 anëtarëve të BE-së dhe 10 vendeve të rrethit të tretë.
Parisi zyrtar nuk e ka mohuar asnjëherë skepticizmin e tij ndaj zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Sipas zyrtarëve të lartë francezë “hapja” e mëtejshme e BE-së me anëtarë të rinj do ta vështirësonte shumë funksionimin e institucioneve të BE-së. Problemi është se këtë qëndrim e mbështet tani edhe Gjermania, Komisioni dhe Parlamenti Europian dhe vende të tjera të Bashkimit Europian.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment