Pothuajse të gjithë liderët e botës po ndjekin me shqetësim në rritje zhvillimet e fundit në konfliktin tejet të rrezikshëm Ukrainë – Rusi. Frika e një shkallëzimi të tij që mund të përfundojë në një luftë të tretë dhe shfarosëse botërore i ka bërë shumë analistë dhe figura politike të pyesin veten se ku u gabua që shpërtheu kjo luftë e re në kontinentin e vjetër të Europës?!
Çfarë mund të ishte bërë ndryshe që kjo luftë të ishte shmangur?! Dhe çfarë mund dhe duhet bërë tani që të dilet nga ky qerthull i rrezikshëm?! – janë disa nga pyetjet dhe dilemat që mundojnë deri edhe figura të njohura të politikës së sotme botërore.
Prandaj edhe intervista që Ati i Shenjtë, Papa Françesku i dha më 3 maj të përditshmes së njohur italiane “Corriere della Sera”, u prit me interesim dhe kërshëri të veçantë. Dhe numri një i Vatikanit, foli, siç e ka zakon, drejt dhe hapur.
“Do të donja ta takonja Putinin dhe më pas edhe Zelenskin për t’i dhënë fund kësaj kasaphane, por nuk besoj se Putini do të ishte i gatshëm për një takim të tillë” – u shpreh, ndër të tjera, Papa i Romës.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen dhe ngjalli diskutime edhe përtej Italisë ishte pohimi i tij se: “ ndofta ishin ulurimat e NATO-s para portës së Rusisë që e bënë Putinin të vepronte kaq keq dhe të niste këtë konflikt”.
Ati i Shenjtë shpreh me këtë rast edhe dyshimet e tij ndaj thellimit të këtij konflikti. “ Nuk jam i sigurt nëse armatimi i Ukrainës është gjëja më e mirë që duhet bërë” – shprehet ai.
Duke komentuar deklaratat e Papa Françeskut e përditshmja tjetër italiane, “Il Giornale” thekson se rrënjët e këtij konflikti duhen kërkuar që në vitin 1990, kur u rrëzua edhe Muri i Berlinit… Atëhere, shkruan gazeta, Bushi i Vjetër, Gorbaçovi, Miterrani, ministri i jashtëm gjerman Gensher ishin pothuajse të gjithë të një mendimi, se sido që të shkonte fati i Traktatit të Varshavës, NATO dhe Perëndimi nuk duhej t’i afroheshin kufijve të Bashkimit Sovjetik. “Premtim që nuk u mbajt” – nënvizonte “Il Giornale”.
Edhe ish presidenti i Brazilit, Injazio Lula, tregohet i ashpër me presidentin e Ukrainës Zelenskin si dhe me politikën e Perëndimit në këtë konflikt. Në një intervistë që ai i dha të mërkurën së përjavshmes amerikane “The Time” Lula i bën njëlloj fajtor Zelenskin dhe Putinin për fillimin e këtij konflikti.
Lula akuzon në këtë intervistë edhe Perëndimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye: “Nëqoftëse këto fuqi do të kishin deklaruar që në fillim se Ukraina nuk do të bëhej kurrë pjesë e NATO-s, lufta nuk do të kishte ngjarë” – pohon ish presidenti brazilian dhe njëkohësisht kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme që priten të zhvillohen në Brazil në muajin tetor.
Siç shihet opinion botëror është i ndarë më dysh. Një palë akuzojnë Putinin se ka sulmuar pabesisht një vend që kishte të drejtën absolute si shtet sovran të anëtarësohej në NATO dhe ku të donte. Pjesa tjetër e opinionit publik mendon se faji qëndron te ekspansionizmi i vazhduar i NATO-s drejt kufijve të Rusisë!

Lini një koment