“Asgjë e re nga Fronti i Lindjes” – do të shkruante Erich Remark në rast se do ta jetonte këtë kohë. Edhe lufta Rusi – Ukrainë ka hyrë në hullinë e saj pa shumë ndryshime strategjike në terren. Ushtria ruse po përparon ngadalë dhe jo sipas planeve të Moskës. Nga ana tjetër populli i Ukrainës, duke filluar nga presidenti Zelenski dhe deri te ushtari më i thjeshtë, po tregojnë çdo ditë e më shumë shembuj heroizmi.
Në vështrim të parë të duket se lufta është e pabarabartë. Nga njëra anë një fuqi agresore si Rusia me një popullsi sa katërfishi i asaj të Ukrainës, por edhe me një armatim po kaq të fuqishëm. Nga ana tjetër ukrainasit të kapur pothuajse në befasi, si gjithë bota, nga agresioni rus.
Nisur edhe nga këto çpërpjestime Putini kishte hartuar një plan lufte i njohur si “blitzkrieg” ose pushtim rrufe. I njëjtë si plani i Hitlerit ndaj Bashkimit Sovjetik më 1941. Por edhe Putinit, njëlloj si Hitlerit dikur, i ngeli sharra në gozhdë. Falë qëndresës së popullit ukrainas, ushtria ruse jo vetëm që nuk i realizoi dot objektivat që i kishte vënë vetes, por pësoi edhe humbje të konsiderueshme.
Plani fillestar kishte të bënte me pushtimin e gjysmës së Ukrainës, duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin e saj, Kievin. Dhe vendosjen atje të një qeverie kuislinge, afërsisht si ato që Italia fashiste instaloi në Tiranë pas pushtimit të vendit.
Por dy faktorë kryesorë bënë që planet e Moskës të dështonin. I pari kishte të bënte me CIA-n, shërbimin e fshehtë amerikan. Ndryshe nga shumë fuqi europiane, CIA ishte në dijeni prej kohësh se Putini po përgatitej të sulmonte. Prandaj Uashingtoni paralajmëronte dy tre javë para se të ngjante, se Rusia do të pushtonte Ukrainën.
Duket se CIA kishte rekrutuar me kohë, që me rënien e Bashkimit Sovjetik, agjentët e saj në Kremlin. Njëri nga këta ishte edhe Çubais, zëvendëskryeministër në kohën e Jelcinit dhe “babai” i « reformave » dhe privatizimeve të sektorit shtetëror në atë kohë. Menjëherë pasi nisi lufta Çubais u arratis nga Rusia dhe sot askush nuk e di se ku gjendet. Me përjashtim të CIA-s, sigurisht.
Faktori i dytë kishte të bënte me armatimin modern dhe të sofistikuar që kishte përfituar Ukraina që pas vitit 2014, kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë. Por edhe Amerika nuk kishte qëndruar duarkryq. Për vite me rradhë ajo e kishte modernizuar ushtrinë ukrainase, siç po bën edhe sot. Edhe me më shumë forcë.
Përpara kësaj qëndrese të papritur Putini i ndryshoi planet. Ai u tërhoq nga plani për pushtimin e Kievit dhe i shpërnguli forcat e tij në lindje të Ukrainës, në Donbas. Rajon ky i pasur me lëndë të para dhe burime energjetike.
Njëkohësishta ai iu sul edhe qytetit tejet strategjik të Mariupolit, të cilin pothuajse e ka rrafshuar. Synimi i këtyre veprimeve është aneksimi edhe i Donbasit me Rusinë, siç ngjau edhe me Krimenë. Me vënien në dorë të Maripolit, Putini bashkon në rrugë tokësore edhe Krimenë me Donbasin.
I pasigurt këtu duket fati i Odesës. Një qytet port ky shumë i rëndësishëm për Ukrainën që gjëndet në Detin e Zi. Përveç se një qëndër strategjike, Odesa është po ashtu një qytet i pasur, me histori të lashtë dhe kultura dhe popullsi të ndryshme. Thuhet se ky qytet u ndërtua së pari nga helenët e lashtë, para më se 2500 vjetësh.
Sipas shumë specialistëve dhe analistëve ushtarakë sulmi ndaj Odesës do të shkaktojë gjakderdhje të paparë deri më sot. Sepse Odesa ka kohë që po përgatitet. Ajo është furnizuar gjatë gjithë këtyre javëve me armatim të shumtë dhe të sofistikuar. Qyteti është tani plot me llogore dhe mina antitank dhe antipersonale. Prandaj kjo do të jetë një betejë tejet e vështirë për tu fituar nga Moska. Ndofta një Stalingad i dytë.
Por një sulm ndaj Odesës do të tregojë shumë për planet e Putinit dhe hakmarrjen e tij. Meqë nuk arriti dot të ndryshonte regjimin në Kiev ai do të përpiqet tani ta lëjë Ukrainën pa dalje në det. Duke e dobësuar kështu ndjeshëm fuqinë e saj ekonomike dhe strategjike.
Në këto kushte lajmet dhe shpresat për dialog, për ndërprejen e luftimeve dhe zgjidhje diplomatike, janë fjalë boshe. Askush nuk duket tani i gatshëm të lëshojë pe. Putini kërkon “copa” të tjera nga Ukraina. Kievi nga ana e tij deklaron se pa largimin e të gjitha trupave ruse nga vendi, duke përfshirë edhe Krimenë, nuk ka paqe. Uashingtoni nga ana e tij nxit Ukrainën në vazhdimin e luftës. Me ndihmën tonë të pakursyer financiare dhe ushtarake ju mund ta fitoni luftën dhe ta shporrni ariun rus nga tokat tuaja, – bëjnë thirrje strategët ushtarakë amerikanë.
Dhe gjithçka mund të ngjasë. Amerika dhe Britania e Madhe janë në fakt duke e ndihmuar Ukrainën me të gjithë fuqinë e tyre. Sa me armatime, aq edhe me logjistikë ultra të sofistikuar. Rusët po pësojnë humbje të mëdha. Madje, falë inteligjencies amerikane, rusëve u janë vrarë edhe disa gjeneralë të rëndësishëm.
Atëhere si do i vejë filli këtij konflikti?! Kush do të fitojë?!
Askush nuk e di përgjigjen. Por të gjithë pohojnë se kjo luftë nuk do të përfundojë shpejt. Se asnjë palë nuk mund të bëjë tani hapa pas. Se do ndeshet në rradhë të parë me zëmërimin e popullit të vet dhe ndofta edhe të aleatëve. Gjithë këta mijëra të vrarë dhe të cunguar për kot?!
Një nga figurat e njohura të politikës britanike, Llojdi Aston, pohoi para pak ditësh se nga kjo luftë Rusia duhet të dalë e copëtuar. Të njëjtën gjë dëshiron edhe Uashingtoni.
Por Parisi dhe Berlini mendojnë ndryshe. Se kanë interesa të ndryshme nga ato britaniko/amerikane. Ndryshe nga Uashingtoni dhe Londra, Berlini dhe Parisi dëshirojnë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt. Sepse ato po humbasin shumë, dhe jo vetëm nga ana ekonomike. Dhe mund të humbasin edhe më shumë në rast se ky konflikt përshkallëzohet duke përfshirë edhe NATO-n. Atëhere do të kemi një luftë tjetër botërore, dhe përsëri në kontinentin europian. Ky është skenari që po lë pa gjumë sot shumë kancelari europiane.
Deri më tani Europa furnizohej në sasi të mëdha me gaz, grurë dhe naftë nga Rusia. Këto lëndë të para tani po pakësohen dhe ndonjë ditë do të ndalojnë fare. Por Europa nuk bën dot pa gazin rus. Ndryshe Amerika u premton europianëv t’i furnizojë si me grurë, por po aq edhe me gazin e saj të lëngshëm. Si dhe me armë. Por ky furnizim jo vetëm që nuk është i mjaftueshëm, por është edhe tejet i shtrenjtë. Pa folur këtu se duhen impiante të posaçme për ta kthyer gazin e lëngshëm në të gaztë etj etj.
Pa rënë në sy, por gjithmonë e më dukshëm, në Perëndim po krijohen dy akse me qëndrime tejet të kundërta ndaj këtij konflikti. Nga njëra anë aksi Londër/ Uashington që kërkon një luftë pa kompromis dhe deri në fund ndaj Rusisë, dhe nga ana tjetër aksi Paris/Berlin që po mendon se si mund t’i japë fund këtij konflikti sa më shpejt.
Para hezitimeve të dukshme të europianëve Zelenski po i forcon çdo ditë e më shumë lidhjet me Shtëpinë e Bardhë. Aq më shumë qê ditët e fundit Amerika i premtoi edhe 30 miliardë dollarë të tjerë ndihma. Flitet se deri më tani Uashingtoni i ka ofruar Kievit ndihma të gjithfarllojshme që i afrohen shifrës 500 miliardë dollarë! Ndërkohë Kievin dhe Zelenskin po e vizitojnë pothuajse të gjithê zyrtarët më të lartë të SHBA-ve, duke filluar nga ministri i jashtëm, Blinken, ministri i mbrojtjes Uistin dhe deri te kryetarja e Kongresit, Pelosi.
Ditët dhe javët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar kahjen që do marrë lufta. Mund të vijë një ditë që ariu rus, me apo pa Odesën, të thotë: “Boll më. U ngopa”. Duke shpresuar tanimë se ai do të ketë përgjithmonë të tijën zonën e Donbasit me Mariupolin, Kharkivin etj. Do t’i duhet Ukrainës tani të hidhet në sulm për t’ia shkulur këto territore Rusisë. Dhe prandaj lufta do të vazhdojë gjatë. Se askush nuk ka interes të tërhiqet. Një luftë llogoresh e pafund.
Europianët do të përpëliten dhe do të bëjnê çmos tê propozojnë zgjidhje diplomatike. Hapi i parë duhet të jetë propozimi që do i drejtojnë Moskës dhe Kievit për një armëpushim, derisa sa të gjendet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët! Kuptohet që Kievi nuk mund të pranojë “bisedime paqeje” për sa kohë që Kremlini mban të pushtuar territore të rëndësishme të tij, por mund të pranojë një armëpushim të përkohshëm. Pastaj europianët do tê përpiqen me të gjitha forcat që ky armëpushim i përkohshëm të kthehet në një armëpushim të gjatë, i cili më pas do s’do do të transformohet në një konfikt të “ngrirë” dhjetravjeçar.
Ky do të jetë edhe skenari më i mundshëm i daljes nga kjo luftë. Në rast se përjashtojmë atë shkallëzimit të konfliktit deri në një luftë të re botërore. Që Europa nuk e dëshiron kurrsesi.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment