Sistemi drejtësisë dhe ai shëndetësor – janë nëna e korrupsionit në vend.
Pak ditë më parë u fol për një farë prokurori/avokat i quajtur Arjan Ndoja, i cili na u rrezikoka të shkarkohet prej postit që mbante nga Vettingu. Ishte juristi amerikan Jakobsen që i kumtoi atij ndër të tjera se nuk do të dëshironte kurrë të punonte me të !
U audiencë u fol edhe për lidhje të tij me të dyshuar si anëtarë të botës së krimit. Por edhe për të ardhura vjetore që arrinin deri në 250 000 euro !
Dhe si jevgu që u bë pasha, arroganca e Ndojës nuk njihte kufinj. « Ju, iu drejtua ai juristit amerikan, më keni inat se jam bërë i pasur » !
Dhe si të mos mjaftonte me kaq ai shtoi me harbutërinë e injorantit që kujton që i di të gjitha se : « Në asnjë vend të botës nuk gjykohen prokurorët e gjyqtarët për vendimet që marrin. Në respekt të Kushtetutës të Shqipërisë dhe ligjit të vetting, dua konfirmim në detyrë”, – pretendoi më pas prokurori/avokat ! Fjalia e fundit flet shumë. “Ktheu nga ke ardhur se këtu ligjin e bëjmë ne” – duket se i thotë prokurori shqiptar juristit amerikan !
Ndryshe është relativisht e vërtetë që gjyqtarët dhe prokurorët nuk gjykohen dhe dënohen kurrë për vendimet që marrin. As në Danimarkë, as në Gjermani, as në Norvegji dhe as në…
Por atje kemi të bëjmë me qytetarë dhe profesionistë të vendeve që nuk mund ta imagjinojnë korrupsionin. Që u bie të fikët në rast se mësojnë se një përfaqësues i ligjit është ndikuar në vendimin e tij nga lidhjet që ka pasur me të akuzuarin ose për shkaqe mitmarrjeje.
Por Shqipëria nuk është as Danimarka dhe as Gjermania. Dhe shqiptarët janë shqiptarë dhe jo danezë apo norvegjezë! Prandaj edhe bota, dhe sidomos BE dhe SHBA, kanë kërkuar me ngulm qe sistemi gjyqësor në vend të kalojë në sitë. Se aq të pasur, të pacipë dhe të rrezikshëm për shoqërinë janë bërë këta gjykatës dhe prokurorë.
Dhe këtë dukuri e kemi “peshqesh” nga sundimi i Sali Berishës, i “plepave” të tij, saqë edhe vetë Amerika u desh ta denonconte si korruptues dhe përfitues. Deri sa e shpalli edhe “non grata”. Fenomen që që atëhere ka vazhduar në të gjithë kohën dhe nën të gjitha qeveritë.
Dhe kulmi është se në Shqipërinë tonë të shkapërdarë dhe të shkalafitur ata nuk kanë as frikë dhe as turp. Para disa muajsh ishte një mjek i njohur që para kamerave televizive pohoi me gojën plot dhe pa iu dridhur qerpiku se : në rast se pacintët nuk na paguajnë, (dmth nuk na japin bakshish) ne e lëmë profesionin që nesër”!
Sa poshtë ka rënë shteti shqiptar. Tjetri me plot gojën thotë “më lëni të fus duart në xhepin e hallxhinjve, ndryshe e lashë punën »! Dhe ndaj tij nuk është ndërmarrë asnjë masë. Kjo tregon se shqiptarët janë mësuar me të keqen dhe ajo nuk u bën më përshtypje.
Që këta fundërrina që e quajnë veten gjykatës dhe mjekë arrijë deri këtu, kjo dëshmon që peshku është qelbur nga koka.
Se edhe vetë politikanët janë të përfshirë në këtë “biznes”. Është e vërtetë se ata nuk i fusin duart në xhepat e hallexhinjve. Jo. Ata veprojnë me shumë “finesë” dhe diplomaci. Ata marrin “pjesën e tyre” nga tenderat dhe projektet publike që u ofrojnë miqve, shokëve apo edhe biznesmenëve për të cilët janë në dijeni se nuk të lënê pa gjë!
Vërtet që ata nuk vjedhin qytetarin e zakonshëm. Por ata vjedhin në arkën e shtetit, duke e lënë Shqipërinë sa të varfër aq dhe të shkretuar. Ky është një dëm edhe më i madh se ai që shkaktojnë mjekët dhe gjyqtarët e korruptuar.
Pyetja është: Si mund të dilet nga kjo rrjetë merimange?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment