Kush e privatizoi Butrintin ?!
Për luftë a vdekje u përplasën sot në sallën e Kuvendit pozita dhe opozita shqiptare ! Demokratët veçanërisht dukeshin shumë të irrituar. Pasi vetë kryeministri personalisht, por edhe gjithë qeveria pas tij, i kishin dhënë me koncesion parkun natyror dhe antik të Butrintit një firme të huaj !
Sepse vetë shteti shqiptar dukej se as nuk dinte dhe as nuk donte të merrte përsipër administrimin e kësaj perle të arkeologjisë shqiptare. Tipike kjo për një kryeministër si Edi Rama që gjithçka ia lë në dorë privatit !
Se si do të administrohet kjo qëndër arkeologjike, natyrore dhe antike kjo do të shihet në muajt dhe vitet në vijim. Por është e sigurt, dhe pavarësisht fjalëve të kryeministrit, se ata që do të merren me këtë vlerë kombëtare, nuk janë nisur nga Amerika veçse për shkaqe filantropike. Fakti që aty do tu ndërtokan resorte të gjithfarëllojshme dëshmon se biznesi është biznes. Ose siç thonë në Amerikë « Business as usual » !
Edi Rama duke u dashur të mbrohej, kumtoi se opozita që çirret sot për ruajtjen e Butrintit, si para disa muajsh për një teatër karakatinë, e paska pasë privatizuar Butrintin gjatë qeverisjes së dytë të Berishës !
A ka mundësi të jetë e vërtetë kjo ?! Pra që PD-ja të ketë zbuluar « pronarin » e ligjshëm të Butrintit që nga koha e ilirëve të lashtë apo ndofta edhe të pellazgëve ?! Pra stërnipin e stërnipit të stërnipit… deri 2 500 vjet prapa ! Këtu ka diçka që të luan trunin apo të bën të mos u besosh as syve dhe as veshëve. Si mund tu privatizoka Butrinti ?!
Në fakt po ta shohësh hollë hollë problemi është te unë. Kur ti privatizon naftën, kromin, nikelin, burimet ujore si Glinkën etj etj, përse nuk u privatizoka dot Butrinti ?!
E vetmja gjë që nuk qëndron qënka gjetja e trashëgimtarit. Personalisht unë dyshoj shumë se personi që ka pasë « gllabëruar » Butrintin në kohën e Berishës qënka pasardhës i drejtpërdrejt i pronarit të kohës së ilirëve të lashtë !
Por çfarë nuk ngjan në këtë Albsurdistanin tonë. Prandaj edhe i kemi punët kaq mirë. Por me rëndësi është që Grida Duma dhe Edi Rama u përplasën sot egërsishëm me njëri tjetrin për të mirën tonë ! Për të ruajtur trashëgiminë tonë historike ! Prandaj nuk mund të rrihet pa brohoritur : « Rrofshin baballarët dhe mamatë e kombit » !
Bir Selman i nënës
Lajmi mori dhenë. GjekMarkaj, deputet i nderuar i parlamentit shqiptar paska marrë në këmbë oqeanin dhe paska takuar “vatranët”. Dmth anëtarët e nderuar të organizatës “Vatra” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Dhe aty qënka pritur me gjitha nderimet e rastit. Madje paska mbajtur edhe një a dy fjalime lotndjellëse mbi “gjakun e shprishur të kombit”! Vatranëve u ishin mbushur sytë me lot.
Por papritur paska ngjarë e pamenduara. Në mejdanin e vatrës na kishte dalë si ato amazonat e motshme apo si zanat e maleve tona një farë Kokalari, patriote e thekur, si gjithë vatranët, e martuar me një grek.
Përplasja alla Gjergj Elez Alia ndërmjet GjekMarkajt dhe Kokalarit në aeroplanin gjatë kthimit për në Tiranë gjeti vend edhe në faqet e shtypit dhe masmediave tona të shumënderuara.
Pyetja që shqetësonte gjithkënd ishte: a i kishte thënë deputeti ynë i nderuar vatranes patriote “fuck you”, apo “va fan cullo”!? Kjo është gjithë çështja. Të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi.
Si nuk e paskemi ditur se ishim anëtarë të Bashkimit Europian?!
Një skandal i ri shpërtheu pak ditë më parë në faqet e shtypit shqiptar : liderrat tanë të nderuar kisin firmosur për gazjellësin që do kaloka mes për mes Shqipërisë, pra për « TAP-in, me sy mbyllur.
Që do të thotë se se konsorciumi që do e ndërtoka këtë gazsjellës nuk do i paguaka asnjë qindarkë shtetit shqiptar. Për më shumë nuk e paska për detyrim të derdhë as edhe një metër kub gaz në vendin tonë ! Kjo të lë pa mend dhe pa gojë. Dhe të ngre leshtë e kokës përpjetë ! Edhe kjo « thagmë » paska ngjarë në kohën e Berishës së Dytë.
Të duhen fare pak mend dhe njohuri për të ditur se çdo gazsjellës që kalon në një vend të tretë është i detyruar t’i paguajë atij vendi taksa dhe akciza të shumta. Dhe po ashtu ta furnizojë vendin kalues me gaz me çmim preferencial. Që do të thotë konkretisht me 30 ose 40 përqind më pak se çmimi zyrtar i tregut.
Shembulli më i fundit dhe më i freskët vjen nga Ukraina. Tani që atje ka nisur konflikti, u mësua se gazsjellësi që kalon nga Rusia në Ukrainë dhe deri në Gjermani vazhdon të funksionojë normalisht. Dhe kjo pavarësisht luftës atje, bombardimeve dhe sulmeve të pandërprera.
Sepse ky gazsjellës qënka një “pulë” që bëka vezë të arta për Ukrainën. Që kur ky gazsjellës është ndërtuar para shumë vjetësh në kontratën ruso ukrainase është sanksionuar pagimi çdo vit nga ana e Rusisë e 2 miliardë eurove! Dhe pajisja me gaz e Ukrainës nga Rusia me çmim preferencial. Ose më shqip : çmim me “mik”.
Por jo kjo nuk mund të ngjajë kurrsesi në Shqipëri. Politikanët tanë e duan kaq shumë këtë popull saqë në emrin e tij marrin përsipër rreziqe të paimagjinuara.
Dhe një nga këto ishte nënshkrimi i TAP_it si dhuratë. Shqipëria nuk kërkoka asnjë qindarkë nga kalimi i këtij gazsjellësi në territorin e vendit. Ne jemi kaq të pasur saqë nuk na bëjnë përshtypje nja 500 milionë euro që konsorciumi do të duhej të na paguante çdo vit. Kaq të pasur dhe begatë jemi saqë i kemi dhënë falas ose shitur për një copë bukë edhe të gjitha pasuritë tona kombëtare.
Dhe kur disa gazetarë pa ndjenjë patriotike e pyetën Berishën se si spjegohej kjo dhuratë, Skënderbeu i gjithëdijes shqiptare u përgjigj pa iu dridhur qerpiku:” Ne e bëmë këtë se e konsideruam veten anëtarë të Bashkimit Europian”!
Ke çfarë të thuash dhe të shtosh më shumë. Por me siguri që Berisha e ka ngatërruar popullin shqiptar me djalin, vajzën, Arminën, dhëndërrin dhe ata dhjetra të tjerë që i vinë rrotull. Ata po që janë anëtarë të Bashkimit Europian me të drejta të plota.
Prandaj shqiptarëve nuk u lejohen pyetje të tilla. Ata duhet të ndjehen të lumtur dhe krenarë. Baca ka thënë me gojën plot se Shqipëria qënka anëtare e BE-së! Si nuk e paskemi ditur?!

Lini një koment